BREAKING NEWS

SPAK merr vendimin e papritur, rrëzon OFL-në dhe heq sekuestron për 48 pasuri: U bllokuan në kundërshtim me ...

SPAK merr vendimin e papritur, rrëzon OFL-në dhe heq sekuestron
x

Ekonomia

Humbje në buxhet, grumbullohen 215 milionë euro më pak, problem Tatimet dhe Doganat

Humbje në buxhet, grumbullohen 215 milionë euro më pak, problem

Arka e shtetit mbylli me 215 milionë euro mangët të ardhura vitin që lamë pas. Të dhënat më të fundit të publikuara nga Ministria e Financave tregojnë se qeveria nuk ka arritur të mbledhë shumën e parashikuar të të ardhurave në planin buxhetor në fillim të vitit 2019. Në total të ardhurat në fund të dhjetorit arritën në 460.3 miliardë lekë, duke ulur menjëherë pritshmëritë për rritje ekonomike. Ndërsa po të bëjmë krahasimin me të dhënat e vitit 2018 sërish të dhënat reale rezultojnë në ulje. Pak javë më parë ministrja e Financave, Anila Denaj, rishikoi në ulje rritjen ekonomike në 2,7 %, po të marrim këtu në konsideratë inflacionin në 1.4% mesatarja e 2019-s, atëherë rritja reale e të ardhurave është negative, prej -1.7%. Në këto kushte ministria përcakton si faktor me ndikim negativ në mos realizmin e të ardhurave Tatimet dhe Doganat. Këta dy sektorë kanë regjistruar një mosrealizim prej 154 milionë euro krahasuar me planin e caktuar në buxhet. Më konkretisht të dhënat e ministrisë tregojnë se TVSH-ja, zëri që sjell më shumë të ardhura në buxhet, kishte dhe mosrealizimin më të madh të planit, me -19 miliardë lekë. Të ardhurat nga TVSH lanë të papërmbushur arkën duke shënuan një rënie vjetore me 7.7% edhe në raport me arritjet e një viti më parë. Në total, TVSH solli 144 miliardë lekë në buxhet, ose rreth 32% të totalit të buxhetit. Ministria sqaroi se ky mos realizim i normë së të ardhurave është krijuar për shkak të përjashtimit nga TVSH të nënkontraktorëve të TAP, uljes së çmimeve të disa produkteve të importit, mbylljes së lojërave të fatit dhe zerimi i TVSH-së për produktet bujqësore. Me mungesë të konsiderueshme nga planifikimi, prej 4.8 miliardë lekësh paraqiten të ardhurat nga taksat nacionale dhe të tjera, pasi janë mbledhur vetëm 36.4 miliardë lekë si dhe akciza me minus 1.6 miliardë lekë. Po ashtu edhe pushteti vendor ka mbyllur negativisht 2019, pasi rezulton me zbritje 2.6 miliardë lekë në krahasim me parashikimet e qeverisë.

Efektet negative në investime

Mangësitë në arkën e shtetit përkthen në mangësi investimesh nga qeveria për qytetarë. Për shkak se ka mbledhur më pak para nga sa kishte parashikuar, rrjedhimisht qeveria është detyruar të shkurtojë shpenzimet për të mos rritur borxhin. Qeveria ka realizuar vetëm 491.8 miliardë lekë nga 519.5 miliardë lekë që ishin pritshmëritë, duke penalizuar kështu edhe investimet e parashikuara. Të dhënat zyrtare tregojnë se pjesa më e madhe e shkurtimeve kanë rënduar mbi investimet publike, zëri më produktiv të shpenzimeve qeveritare, i cili gjeneron punësim dhe rritje ekonomike. Burimet nga ministria pohojnë se, vitin e kaluar qeveria investoi në projektet publike si rrugë, shkolla dhe spitale, 100 milionë euro më pak nga sa kishte parashikuar për të kompensuar mungesën e të ardhurave dhe mos lënë hapësira për krijim borxhi, niveli i të cilit shfaqet gjithashtu problematik. Veç investimeve, pjesa tjetër e shkurtimeve ka ardhur nga anulimi i rritjes dhe fondit për politika të reja pensionesh, ndërkohë që një pjesë është kursyer nga interesat e borxhit. Nga të gjitha zërat e shpenzimeve buxhetore, investimet kapitale kishin performancën më negative. Gjatë vitit 2019 shpenzimet në këtë zë ishin 74.9 miliardë, krahasuar me planin fillestare shpenzimet kapitale më 2019 kanë një hendek të lartë prej 12 për qind ose rreth 11,1 miliardë lekë. Ndërsa në krahasim me një vit me parë konstatohen rreth 3.4 miliardë lekë minus. Rënia vjetore me 4.5% e investimeve kapitale erdhi si pasojë e rishikimit me ulje të shpenzimeve në disa projekte që nuk kishin avancuar për shkak të vonesave në kontraktime dhe punime.