BREAKING NEWS

I përfshirë në korrupsion për lirimin e një të burgosuri, GJKKO merr vendimin dhe ndryshon masën e sigurisë për bashkëshortin e ish-gjyqtares Mimoza Margjeka

I përfshirë në korrupsion për lirimin e një të
x

Ekonomia

Instituti i Vjenës: Vala e dytë e koronavirusit do të tkurrë më tej ekonominë në Shqipëri, do ketë pasoja në konsum dhe shërbime

Instituti i Vjenës: Vala e dytë e koronavirusit do të tkurrë

Vala e dytë e koronavirusit do të thellojë krizën ekonomike në Shqipëri. Që prej marsit ndërkombëtarët parashikuan një të ardhme ekonomike shumë të zymtë për vendin tonë, duke qenë se u gjendëm të papërgatitur financiarisht përballë virusit, ndërsa tani janë thelluar opinionet negative. Të gjitha vendet e prekura nga Covid-19 janë në recesion ekonomik, por vendi ynë ka vështirësi më të mëdha. Kjo, sipas një raporti të publikuar nga Instituti i Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare, vjen nga pasojat e rënda që la në turizëm vala e parë, si dhe përkeqësimin që e pret vendin tonë me ardhjen e valës së dytë të koronavirusit. Sipas parashikimeve të publikuara nga ky institucion, Shqipëria do të pësojë 6.4% recesion ekonomik gjatë 2020, më keq se gjithë rajoni. “Ekonomia e Shqipërisë do të shënojë rënie me 6.4 për qind nga -5 për qind që ishin parashikimet e majit 2020, sidomos me goditjet që do të vijnë në muajt në vijim nga vala e dytë e koronavirusit. Pas Malit të Zi e dyta në rajon për thellësinë e rënies është Shqipëria dhe më pas Maqedonia, për shkak të varësisë së lartë nga turizmi. Më butë do të jetë rënia për Serbinë, pasi ekspertët e Vjenës parashikojnë një tkurrje me 2 për qind”, thuhet në raport. Edhe pse ky është një parashikim disi më pozitiv se raportet e tjera nga ndërkombëtarët, arsyet e renditura aty flasin për një gjendje drejt përkeqësimit për muajt në vijim dhe jo rikuperimi, siç mendohej në fillim të pandemisë. Sipas ekspertëve të Vjenës, ekonomia e vendit do të rritet me 4.6 për qind vitin që vjen. Mirëpo vala e dytë përshpejtuese e pandemisë solli rivendosjen e bllokimeve, të cilat mund të intensifikohen në muajt e ardhshëm, duke e bërë të sigurt tashmë rënien e thellë. Ekonomistët besojnë se, perspektiva afatmesme është jashtëzakonisht e pasigurt. Pas një tkurrjeje të vlerësuar prej 4.5% këtë vit, rajoni duhet të rritet me 3.1% në 2021 dhe me 3.3% në 2022.

Koronavirusi dëmtoi degët kryesore të Shqipërisë

Referuar të dhënave të raportit rezulton se, rimëkëmbja e ekonomive të Ballkanit Perëndimor, ku bën pjesë edhe Shqipëria, do të jetë e ngadaltë dhe do të varet nga suksesi në menaxhimin e pandemisë pa aplikuar masat bllokuese, si dhe nga vazhdimi i mbështetjes me masa nga qeveritë. Sipas Institutit këto vende e kanë të vështirë të marrin veten pasi janë ekonomi në zhvillim dhe mungesa e dikurshme e investimeve në shëndetësi rrit sot nevojën për shpenzime tej mundësisë, në raport me nivelin e të ardhurave. Ekspertët e Vjenës analizojnë se Shqipëria i ndjen më shumë pasojat për shkak ekspozimit të lartë ndaj sektorit të turizmit si dhe dëmtimet në konsum, prandaj vendit tonë do t’i duhet më shumë kohë të rikuperohet. “Pas heqjes së masave bllokuese në tremujorin e tretë tregtia me pakicë u rrit e nxitur nga blerjet e munguara gjatë bllokimit, dhe zinxhirët ndërkombëtarë të prodhimit rifilluan funksionimin. Megjithatë, nivelet e para krizës së aktivitetit ekonomik nuk janë arritur. Përveç kësaj, vala e dytë e pandemisë, e cila filloi në shumë vende të CESEE në shtator, ka ngritur shqetësime mbi aftësinë e sistemeve të kujdesit shëndetësor për të përballuar numrin në rritje të shtrimeve në spital. Përveç potencialit për bllokime më të rrepta në muajt e dimrit, pandemia do të lërë pasoja afatgjata në konsum, duke i çuar në depresion disa shërbime, të tilla si aviacioni, hotelet dhe rekreacioni”, thuhet në raport. Gjithsesi në skenarin bazë, i cili supozon se një vaksinë do të frenojë pandeminë pa nevojën e bllokimeve të gjata, ekonomitë e CESEE parashikohet të rriten mesatarisht me 3.1% në 2021 dhe 3.3% në 2022. Megjithatë vendi ynë gjendet ende shumë larg, për shkak të pasigurisë nëse do të kemi një mbyllje totale të dytë ekonomike apo jo.