BREAKING NEWS

Bien ndjeshëm rastet e reja/ Ministria e Shëndetësisë publikon bilancin e COVID, ja çfarë ka ndodhur në 24 orët e fundit

Bien ndjeshëm rastet e reja/ Ministria e Shëndetësisë
x

Ekonomia

Izolimi gjatë pandemisë rriti nivelin e papunësisë, 43 mijë qytetarë u larguan nga puna gjatë vitit 2020

Izolimi gjatë pandemisë rriti nivelin e papunësisë, 43

Mbi 43 mijë qytetarë humbën vendet e punës gjatë pandemisë për shkak të izolimit dy mujor në të gjithë vendin. Gjatë izolimit të gjithë bizneset në vend u mbyllën dhe kur u rihap ekonomia një pjesë e mirë e tyre shpallën falimentin dhe pjesa tjetër filluan punë me stafe të reduktuara, sigurisht kjo ndikoi në një rënie drastike të punësimit. Të dhënat deri në qershor të 2020 tregonin se mbi 50 mijë vetë humbën punën e tyre brenda dy muajve. Në muajt e verës deri në shator një pjesë e tyre u rikthyen në punë duke qenë se edhe aktiviteti ekonomik u shtua disi. Por, ky përmirësim zgjati vetëm për pak muaj, sepse në muajin shtator numri i të infektuarve u rrit ndjeshëm dhe në tetor qeveria vendosi të rikthejë sërish disa masa kufizuese, duke reduktuar punën sërish për ndërmarrjet në vend. Këtu u përsëri i njëjti cikël, stafet u reduktuan dhe sërish disa qytetarë mbetën të papunë dhe sipas të dhënave përfundimtare të Anketës për Punësimin e publikuar nga Instituti i Statistikave, në vitin 2020 kanë mbetur të papunë mbi 43 mijë qytetarë. “Kriza pandemike nxori të papunë 43, 000 persona në vitin 2020, sipas të dhënave në fund të vitit kishte gjithsej 1.23 milionë të punësuar në vend, nga 1.27 milionë në fund të 2019-s. Efektet pozitive të turizmit në tremujorin e tretë u shuan në 3 muajt e fundit të vitit. Si rrjedhojë, tremujori i katërt ka sjellë sërish një ulje të ndjeshme të numrit të të punësuarve në vend (-21 mijë në krahasim me tremujorin e tretë), duke bërë që viti më i vështirë që nga 1997-a të mbyllet me rreth 43 mijë të punësuar më pak”, thuhet në raport. Sipas këtyre të dhënave, në tremujorin e katërt 2020 shkalla zyrtare e papunësisë në Shqipëri është 11,8%. Ndërsa vlen të përmendet se këto janë të dhënat zyrtare, pra bëhet fjalë për ata punonjës që kanë qenë të regjistruar, por kemi pasur gjithashtu një numër të lartë të larguarish nga puna, të cilët kanë qenë informalë.

Rritet papunësia tek të rinjtë

Të dhënat nga Anketa e Punësimit tregojnë se, në tremujorin e katërt 2020, shkalla e punësimit për popullsinë 15-30 vjeç është 51%. Punësimi tek të rinjtë prej vitesh ka ndjekur një trajektore zbritëse. Pavarësisht programeve të reja të punësimit, ndërlidhjes së ndërmarrjeve me shkollat profesionale, pjesa më e madhe e të rinjve në vend nuk kanë një vend pune pasi diplomohen. Sipas të dhënave, nga viti në vit ka një reduktim të thellë në nivelin e punësimit tek të rinjtë. Kështu nga viti 2019 deri në fund të 2020 punësimi tek qytetarët 15 vjeç e lartë ka rënë me 3.4%. “Gjatë tremujorit të katërt të vitit 2020, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për të rinjtë e moshës 15-29 vjeç është 51,0 %. Për popullsinë 30-64 vjeç, në tremujorin e katërt 2020, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 77,8 %. Punësimi Gjatë tremujorit të katërt të vitit 2020, shkalla e punësimit për popullsinë 15-64 vjeç është 60,2 %. Ritmi vjetor i rritjes së punësimit për popullsinë 15 vjeç e lart, nga tremujori i katërt i vitit 2019 në tremujorin e katërt të vitit 2020, është -3,4 %”, raportojnë të dhënat e anketës. Ndër të tjera tregohet se, të rinjtë e moshës 15-29 vjeç që deklaruan se janë nxënës, studentë ose në trajnim përbëjnë 68,1% të të rinjve ekonomikisht jo-aktivë. Ndër të rinjtë e moshës 15-29 vjeç ekonomikisht jo-aktivë, 10,3% klasifikohen si të papunë të dekurajuar. Në popullsinë e moshës 30-64 vjeç ky grup përbën 12,7% të popullsisë ekonomikisht jo-aktive të kësaj grup-moshe. Kështu, me rikthimin e masave kufizuese gjatë tremujorit të katërt 2020, 11,4% e popullsisë ekonomikisht jo-aktive (në grup-moshën 15-64 vjeç) deklaruan se nuk po kërkonin punë pasi besonin se nuk ka punë të disponueshme, pra klasifikohen si të papunë të dekurajuar.