BREAKING NEWS

SHBA bilanc lufte, reth 400 mijë të infektuar në total  dhe 2 mijë të vdekur brenda ditës

SHBA bilanc lufte, reth 400 mijë të infektuar në total  dhe
x

Ekonomia

Ja si koncesionet në shëndetësi po fundosin buxhetin e shtetit, miliarda lekë çdo vit për “Check-UP”, “Sterilizimin” dhe “Laboratorët”

Ja si koncesionet në shëndetësi po fundosin buxhetin e shtetit,

Koncesionet në shëndetësi duket se janë kthyer në gangrenë për buxhetin e shtetit. Qeveria aktuale vendosi që t’ia japë privatit “Check-Up”, procesin e sterilizimit, por dhe atë të hemodializës. Por edhe pse u tha se ky proces do të ndihmojë për të rritur shërbimin shëndetësor, duket se këto koncesione po gërryejnë buxhetin. Revista “Monitor” ka realizuar një studim, konkluzioni i të cilit i nxjerr PPP-të në shëndetësi si përgjegjëse për fundosjen e buxhetit. Sipas këtij studimi, e gjithë situata komplekse dhe jashtë kontrolli vjen si pasojë e lidhjes së kontratave me koncesionarët pa asnjë shqyrtim specifik fiksibiliteti.

Lidhja e kontratave të paanalizuara krijon paqartësi në vlera dhe shërbime duke bërë që vlera e shpenzimeve të rritet ndër vite. Shembull konkret i treguar në studim është ai i koncesionarit të sterilizimit. Kur u lidh kontrata për koncesionin e sterilizimit, u mor në konsideratë numri i operacioneve të zhvilluara para vitit 2014. Me plakjen e popullsisë dhe rritjen e numrit të personave të sëmurë, nevoja për shërbime kirurgjikale është rritur. Vitin e kaluar, në të gjithë vendin, u kryen rreth 90 mijë ndërhyrje kirurgjikale në qendrat spitalore. INSTAT raportoi se në vitin 2018 u bënë rreth 8 mijë operacione më shumë se në vitin 2017. Për pasojë, pagesat ndaj kompanisë koncesionare vitin e kaluar arritën mbi 2 miliardë lekë, ose rreth 4 milionë euro më shumë se parashikimi vjetor 1.5 miliardë lekë. Nga ana tjetër Kontrolli i Lartë i Shtetit ka pohuar se janë akumuluar mbi 5 milionë euro detyrime ndaj kompanisë që ofron sterilizimin me PPP.

Tejkalimi i kostos për Check-UP dhe Laboratorët

Në raportin e publikuar menjëherë pas auditimeve të bëra në disa institucione të vendit, Kontrolli i Lartë i Shtetit doli në përfundimin se Check- UP merr 6 milionë euro për shërbime të paafruara për pacientë. Nëpërmjet këtij raporti KLSH tregoi se, edhe këtë vit, nuk janë arritur projeksionet e kontratës, duke bërë që pagesa e marrë tepër nga koncensionari për punën e pakryer për vitet 2015, 2016, 2017 dhe 2018, të arrijë në 800 milionë lekë ose rreth 6 milionë euro. E njëjta situatë përsëritet edhe me koncesionarin që mbulon shërbimet laboratorike. Në monitorimin e bërë mbi kontratën e kompanisë që ofron shërbimet e laboratorit, KLSH evidentoi se gjithashtu ky koncensionar merr më shumë fonde në raport me shërbimin që ofron për spitalet. Sipas të dhënave të publikuara nga KLSH vetë, gjatë vitit të parë të operimit të këtij koncensionari rritjet në financim regjistrohen në vlerat e 3,3 milionë euro. Referuar të gjitha shkeljeve të zbuluara KLSH, në auditimet e mëparshme, ka kërkuar që koncesionarit t’i paguhen vetëm kostot fikse për rastet e pakryera dhe jo vlera e shpenzimeve variabël, të cilat nuk ndodhin në rastin e një kontrolli bazë të pakryer, konstatohet se edhe këtë vit është vazhduar si vitet e mëparshme, duke sjellë rritje pa të drejtë të kostove buxhetore për këtë shërbim.

Batërdia e Spitalit Amerikan

Nga auditimi i KLSH mbi monitorimin e paketës së hemodializës, e cila zë peshën më të madhe të paketave spitalore, në vlerën 2,095 milionë lekë, rezulton se 1,874 milionë lekë, ose 89 % e kësaj vlere realizohet në subjekte private dhe me PPP. Për vitin 2018, paketa e shërbimit të dializës me PPP u realizua në shumën 586 milionë lekë në krahasim me 410 milionë lekë realizuar një vit më parë. Sipas kësaj kontrate koncesionare, Fondi duhet të paguajë koncesionarin për numrin e projektuar të pacientëve dhe seancave, pavarësisht se numri efektiv i pacientëve dhe i seancave është më i ulët se ai i projektuar. Këto para shkojnë te Spitali Amerikan, pasi ai e ofron shërbimin.