BREAKING NEWS

Shqipëria nuk gjen qetësi / Plas arma në Elbasan, ekzekutohet një person në makinë

Shqipëria nuk gjen qetësi / Plas arma në Elbasan, ekzekutohet
x

Ekonomia

Kërkesat e Strasburgut, ATP rishikon vendimet e kompensimit të pronave për 10.120 pronarë, 18.2 miliardë lekë kosto në buxhet

Kërkesat e Strasburgut, ATP rishikon vendimet e kompensimit të pronave

Agjencia e Trajtimit të pronave nuk ka zbatuar rekomandimet e lëna nga Gjykata e të Drejtave të Njeriut gjatë 2020. Shumë çështje pronash nga Shqipëria kanë përfunduar në Gjykatën e Strasburgut, pasi pronarët pretendonin se nuk iu është dhënë e drejta dhe nuk kanë gjetur dot zgjidhje me institucionet e pronave në vend. Për këtë arsye GJEDNJ la një sërë detyrash për ATP. Në këtë kuadër Agjencia e Trajtimit të Pronave ka vendosur të rishikojë vendimet për pronarët që janë të pakënaqur për kompensimin. Sipas të dhënave të publikuara nga ATP, përgjatë 2021 do të rishikohen vendimet për 10.120 pronarë. “Në 2020, nga Gjykata e të Drejtave të Njeriut u lanë disa detyra: ATP të sigurojë kompensimin e jo më pak se 10% të vlerës totale që do të kishin përfituar kërkuesit, nëse vlerësimi financiar do të ishte kryer, duke iu referuar zërit aktual kadastral të pasurisë së shpronësuar; të parashikojnë indeksimin e shumës së kompensimit deri në pagesën përfundimtare dhe zbatimin e Konventës në praktikë. Për këtë do të kryhet përllogaritja e vlerës financiare me shtimin e saj sipas zërit kadastral aktual sipas rekomandimeve të GJEDNJ, nga ku do të preken afërsisht 10.120 subjekte që vlera fillestare e vlerësimit do të rishikohet me qëllim vetëm për të përfituar më tepër”, thuhet në raportin vjetor të ATP. Rishikimi i këtyre vendimeve po bëhet me qëllim që pronarët të marrin më shumë kompensim, bazuar në vlerën e pronës e tyre. E gjithë kjo do të kërkojë fond shtesë dhe sipas të dhënave rishikimi i vendimeve do t’i kushtojë buxhetit të shtetit 18.2 miliardë lekë. “Fatura financiare që do të përfitojnë më tepër pronarët parashikohet të jetë afërsisht 18.2 mld lekë. Kjo vlerë e shtuar financiare mbetet dhe mbulohet brenda fondit total prej 50 mld lekë të parashikuar në ligjin nr. 133/2015”, evidentohet në raport. Sipas rekomandimeve, vendimet e kompensimit që do të ekzekutohen do të indeksohen me normën e interesit nga momenti i plotësimit të dokumentacionit deri në momentin e ekzekutimit. Çdo vendim përfundimtar do të rillogaritet duke i dhënë dhe indeksimin e normës së interesit nga momenti i plotësimit të dokumentacionit sipas formularit deri në momentin e ekzekutimit.

Vendime të tjera

Në bazë të rekomandime të GJEDNJ do bëhen rishikime edhe në disa vendime të tjera. Konkretisht, pronat të cilat kanë vlerën e më shumë se 1 milion lekë do të marrin kompensim financiar të plotë. Gjatë 2021 pritet të përfitojnë nga ky vendim 10. 085 pronarë. Gjithashtu, në ato prona ku janë bërë disa ndryshime për interesa publike, nuk do të jetë më nevoja të bëjnë hartën nga e para nëse komisioni i parë e ka vlerësuar me hartën e vjetër. Kështu do të përfitojnë kompensim të pronës edhe ata pronarë që nuk kanë hartën e re dhe, në total, bëhet fjalë për më shumë se 8 mijë pronarë. “Heqja e detyrimit të hartave shoqëruese në fazën e ekzekutimit të vendimeve për rastet kur prona është zënë nga liqenet artificiale dhe kur prona është vlerësuar me vlerë financiare nga ish-komisionet. Nga këto ndryshime do të përfitojnë rreth 8. 049 subjekte të cilat kanë mungesë të hartës. Gjatë fazës së ekzekutimit të vendimeve të gjithë subjektet janë të detyruar të dorëzojnë hartën e vendimit pasi më parë duhet të drejtoheshin në gjykatë për ta ribërë këtë”, evidenton raporti. Po nga këto rekomandime të lëna si detyrë për ATP, përfitojnë edhe subjektet që kanë prona në zonat pyjore dhe kullota, që i kanë kaluar në pronësi bashkisë. “Ndryshimi në vendime detyron që sipërfaqet e transferuara në pronësi të bashkive, të cilat janë pjesë e fondit pyjor e kullosor publik të përcaktuara për t`u përdorur për kompensim fizik. Këto sipërfaqe mbeten në dispozicion të Agjencisë të Trajtimit të Pronave për kompensim fizik”, raporton Agjencia.