BREAKING NEWS

Publikoi videon e Lefter Allës duke thithur kokainë, Artan Hoxhën e thërrasin në Polici, vjen reagimi që nuk pritej i Blendi Fevziut

x

Ekonomia

Konkurrenca fundos Spitalin Amerikan, hetim koncesionit të hemodializës nga viti 2016 deri në 2019, dyshime për favor të privatit në shëndetësi

Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur të thellojë hetimet ndaj Spitalit Amerikan për koncesionin e Hemodializës. Në vitin 2018 nisi hetimi i thelluar pas dyshimeve se po shkelet konkurrenca mes sektorit privat dhe atij publik në sistemin e shëndetësisë. Por, sipas një vendimi të marrë në fund të 2019, AK ka vendosur që të zgjerojë hetimet nga 2016 kur u firmos koncesioni dhe deri në 31 dhjetor të vitit 2019.

“Komisioni i Konkurrencës, në mbledhjen e datës 17 tetor 2019, shqyrtoi raportin e realizuar mbi vlerësimin e konkurrencës në shërbimin spitalor nga ku u konkludua se vlerësimi i tregut kërkon analiza shtesë. Hetimi do të përfshijë periudhën kohore shtesë nga 1 janar 2019 deri në 31 dhjetor 2019”, thuhet në vendim. Siç duket shtrirja më tepër në kohë e hetimeve do të zbardhë shkeljet e bëra nga Spitalit Amerikan, duke filluar nga fondi që merr ky koncesionar në krahasim me koncesionet e tjera deri tek cilësia e shërbimit ndaj pacientëve. Ndërsa theksojmë këtu që fondi i përcaktuar për të është shumë më i lartë edhe se i spitaleve publike, gjë e cila krijon pabarazi në treg. “Në lidhje më çështjen e konkurrencës nëpërmjet sistemeve të referimit dhe ofrimit të shërbimeve u konstatua se Fondi i Sigurimeve të Detyrueshme të Kujdesit Shëndetësor financon katër paketa shërbimesh; paketën e shërbimit të dializës, paketën e shërbimit të kardiologjisë, paketat e shërbimit të transplantit të veshkës dhe paketën e shërbimit të impiantit koklear. Përfituesi më i madh i fondeve buxhetore është QSUT dhe Spitali Amerikan.

Të dy këta ofrues ofrojnë të njëjtat shërbime, por referuar numrit të rasteve të trajtuara vihet re qartë që Spitali Amerikan është i orientuar drejt shërbimit të dializës dhe transplantit të veshkës, kurse QSUT drejt shërbimeve të kontrollit të zemrës”, thuhet në vendim. Më konkretisht DiaVita, raporti në 2018 rreth 643 mln lekë të ardhura, të cilat janë financime nga buxheti i shtetit për shërbimin e dializës që kompania ofron prej dy vitesh në disa qytete të vendit. Buxheti ka për t’i paguar kompanisë edhe 5.4 mld lekë deri në 2025. Referuar këtyre shifrave fondi i shtetit për sistemin e shëndetësisë rrezikohet ndjeshëm nga ky koncesionar.

Lista e skandaleve

Hetimet do të shtrihen edhe në shërbimet që ofron Spitali Amerikan, numrin real të pacientëve dhe shpenzimet nga ai vetë në raport me fondin që merr. Lidhja e kontratës mes Spitalit Amerikan dhe kompanisë Evita sh.p.k shfaq parregullsi. Pasi sipas hetimeve të deri tanishme rezulton se Spitali Amerikan zotëron vetëm 15% të kapitalit dhe Evita SHPK e cila zotëron 85% të kapitalit të shoqërisë DiaVita SHPK. Referuar vendimit të AK dyshohet se edhe lidhja e aksioneve është bërë në kuadër të përfitimit të pandershëm në treg. Për këtë arsye AK bënë me dije se hetimi i thelluar do të fokusohet gjithashtu edhe në këtë pikë.

“Në lidhje me çështjen e fundit që ka të bëjë me vlerësimin e përqendrimeve të tregut, apo marrëveshjet vertikale dhe horizontalë mes spitaleve privatë, rezulton se Spitali Amerikan është përfituesi i 15% të shoqërisë DiaVita SHPK, shoqëri e kontraktuar në shërbimin e dializës nëpërmjet kontratës së koncesionit. Gjykojmë që pjesa e madhe e tregut në shërbimin e dializës së Spitalit Amerikan mund të jetë e influencuar nga struktura aksionare mes dy shoqërive dhe niveli i ndikimit të kësaj mbivendosje aksionesh kërkon një analizë më të thelluar të kontratës së koncesionit dhe impaktit në treg të saj”, thekson AK.