Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Kreditë e këqija të korporatave të mëdha, BSH plan për ristrukturimin jashtë gjykatave

Postuar: 12/09/2018 - 07:22

 Bankat e nivelit të dytë do të detyrohen me një rregullore të posaçme, të bashkëpunojnë për të ristrukturuar jashtë gjykatës, kredimarrësit në vështirësi financiare. Banka e Shqipërisë ka bërë gati projekt-rregulloren “Për trajtimin jashtëgjyqësor nga bankat, të kredimarrësve në vështirësi financiare”, e cila është në fazë konsultimi dhe do të jetë e vlefshme për t’u zbatuar deri në vitin 2020. Kjo rregullore pritet të ndikojë në uljen e kredive me probleme, duke lehtësuar strukturimin e kredisë për korporatat e mëdha, nëpërmjet një procesi më të shpejtë. Sipas pr/rregullores, kredimarrës në vështirësi financiare cilësohet kredimarrësi individual, ose grupi i kredimarrësve të lidhur, që është i ekspozuar në më shumë se një bankë dhe ekspozimi total i tij në të gjitha bankat është më i madh se 100 milionë lekë, detyrimi i të cilit në një ose më shumë banka ka qenë në vonesë, të paktën 60 ditë, ose kur ndonjëra prej bankave kreditore vlerëson se kredimarrësi është ose mund të jetë në vështirësi financiare dhe për këtë, i nevojitet një zgjidhje. Rregullorja thotë se, veprimtaria e tij mund të vijojë, pavarësisht vështirësive financiare, dhe për këtë nevojitet marrja e masave për riaftësimin e tij në shlyerjen e detyrimeve, kur vlerësohet se përfitimet nga ky proces janë më të mëdha sesa nga likuidimi i biznesit.

Masat për trajtimin jashtëgjyqësor

Masat për trajtimin jashtëgjyqësor përfshijnë të paktën një ose disa prej mundësive të mëposhtme: zgjatjen e afatit të kredisë; dhënien e financimeve shtesë, nëse nevojitet, për rritjen e kapitalit qarkullues dhe/ose financimin e investimeve të reja; likuidimin e aktiviteteve dytësore që nuk lidhen drejtpërdrejt me biznesin kryesor të kredimarrësit; rritjen e kapitalit nëpërmjet financimit; kryerjen e ndryshimeve në drejtim; shitjen e pasurive të luajtshme ose të paluajtshme të kredimarrësit; konvertimin e borxhit në kapital; çfarëdo mase tjetër që favorizon vazhdimin e biznesit dhe forcon qëndrueshmërinë e tij, duke rritur në të njëjtën kohë mundësinë e rimëkëmbjes.

Si do të bashkëpunojnë bankat

Sipas projekt-rregullores së Bankës së Shqipërisë, bankat, me qëllim përcaktimin e kushteve të përgjithshme të bashkëpunimit ndërmjet tyre, nënshkruajnë marrëveshjen e përbashkët. Marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet bankave nënshkruhet në bazë të vullnetit të tyre të lirë. Kjo marrëveshje hartohet mbështetur në parimet kryesore për ristrukturimin e kredive. Banka e Shqipërisë asiston në nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit midis bankave, si dhe monitoron në vazhdimësi ecurinë e këtij procesi. Bankat, për realizimin e procesit të trajtimit jashtëgjyqësor të kredimarrësit krijojnë strukturat, me qëllim shkëmbimin dhe analizën e informacionit, si dhe miratimin e masave më të përshtatshme për trajtimin e kredimarrësve, në varësi të kompleksitetit të marrëdhënies me ta. Në këtë bashkëpunim, ata përfaqësohen nga administratorët, të cilët kanë autoritetin e nevojshëm nga strukturat drejtuese të tyre (bankave), për të negociuar dhe për të arritur konsensusin për trajtimin e përbashkët. Marrëveshjet finalizohen, duke respektuar parimin e proporcionalitetit kundrejt madhësisë së ekspozimeve, me qëllim ruajtjen e pozitës së secilës prej tyre dhe duke vlerësuar, në mënyrë të balancuar, bankat me pozicion më të favorshëm. Për të mbrojtur biznesin e debitorit dhe për të nxitur zgjidhjen, janë të detyruara të ruajnë konfidencialitetin, gjatë gjithë procesit të trajtimit jashtëgjyqësor të kredimarrësit. Sipas rregullores së re, bankat zbatojnë trajtimin jashtëgjyqësor kur ato vlerësojnë dhe gjykojnë se, në të ardhmen, gjendja financiare e kredimarrësit do të përmirësohet ndjeshëm, dhe se kredimarrësi do ta shlyejë kredinë. Bankat njoftojnë Bankën e Shqipërisë dhe e ftojnë si vëzhguese në takimet që do të bëhen midis tyre. Në çdo rast, bankat njoftojnë Bankën e Shqipërisë, lidhur me zhvillime të rëndësishme për këto procese.

Si do ta kontrollojë procesin BSH

Banka e Shqipërisë zbaton kufizimet e përcaktuara në këtë nen, në rast të mungesës së një qëndrimi të unifikuar kundrejt huamarrësit, që do të sillte rritjen e rrezikut të kredisë në portofolat e bankave individuale, duke kontribuar potencialisht dhe në rritjen e rrezikut sistemik. Kufizimet zbatohen për të gjitha bankat, të cilat nuk nënshkruajnë marrëveshjen e bashkëpunimit dhe janë shkaktare për mosrealizimin e marrëveshjeve të përcaktuara. Banka e Shqipërisë vendos për secilën bankë objektiva për uljen e treguesit të kredive me probleme për kredimarrësit e përbashkët me probleme. Në rast të mosarritjes së objektivit të përcaktuar, BSH përcakton për bankën një normë më të lartë të raportit të mjaftueshmërisë së kapitalit.

Si do të kryhet ristrukturimi i kredisë

Bankat, në marrëveshje me kredimarrësin, ristrukturojnë kredinë, sipas kritereve të përcaktuara në manualin e kredisë, të miratuar nga organet drejtuese. Ristrukturimi i kredisë kryhet kur, mbështetur në analizat e tyre, bankat gjykojnë se në të ardhmen gjendja financiare e kredimarrësit do të përmirësohet ndjeshëm, ose të ardhurat nga veprimtaria e tij do të rriten në mënyrë të konsiderueshme dhe se kredimarrësi do ta paguajë (shlyejë) të gjithë kredinë, sipas kushteve të reja. Kredia, e cila para ristrukturimit klasifikohet në kategoritë “standarde” ose “në ndjekje”, nëse ristrukturohet për herë të parë, pas ristrukturimit nuk mund të klasifikohet, në asnjë rast, më lart se kategoria “nën standarde”, deri në plotësimin e kushteve të caktuara.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 13

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 13/11/2018 - 07:23

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kallëzuar në prokurori dy ish regjistrues, zëvendës-regjistruesin dhe pesë specialistë të Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Sarandë p

Postuar: 12/11/2018 - 11:39

Gjatë mbledhjes së Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, ku po diskutohen në parim të ardhurat p

Postuar: 12/11/2018 - 07:47

Monedhat kombëtare janë forcuar në të gjithë rajonin përgjatë vitit të fundit, por në Shqipëri mb

Postuar: 11/11/2018 - 09:20

Banka e Shqipërisë zbaton një regjim të lirë të kursit të këmbimit.

Postuar: 11/11/2018 - 07:57

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka zgjeruar së fundmi “listën e zezë” të su

Postuar: 10/11/2018 - 11:24

Drejtori i Hetimit Tatimor z.Adrian Shehu zhvilloi një mbledhje të posaçme me strukturat e Zbatim

Postuar: 10/11/2018 - 07:50

Autoriteti i Konkurencës po përpiqet t’u japë fund konflikteve mes kompanive private që ope