BREAKING NEWS

BE pret të hapë fluturimet nga 15 Qershori, ç’do ndodhi me Shqipërinë

BE pret të hapë fluturimet nga 15 Qershori, ç’do ndodhi
x

Ekonomia

Masat izoluese rrisin nivelin e deficitit buxhetor, shkon në 463 për qind për periudhën janar-prill

Masat izoluese rrisin nivelin e deficitit buxhetor, shkon në 463 për

Niveli i deficiti buxhetor rritet ndjeshëm në 4 mujorin e parë të këtij viti. Masat e ndërmarra nga qeveria në kuadër të luftës kudër koronavirusit kanë ndikuar drejtpërdrejt në deficitin buxhetor, i cili ka kaluar përqindjen më të lartë të shënuar në vitet e fundit. Ndërkohë ky është një nivel që pritej përderisa niveli i shpenzimeve nga qeveria ka qenë shumë më lart se ai i të ardhurave për këtë periudhë 4 mujore. Referuar të dhënave të Ministrisë së Financave, në këtë fillim viti deficiti buxhetor është me minus 16 miliardë lekë krahasuar me një vit më parë. “Deficiti buxhetor është përkeqësuar ndjeshëm gjatë katër mujorit për shkak se të ardhurat buxhetore kanë rënë rreth 11 për qind dhe nga ana tjetër shpenzimet janë rritur me 2,8 për qind në raport me katër mujorin e parë 2019. Për pasojë deficiti buxhetor gjatë katër mujorit 2020 arriti në -15,6 miliardë lekë nga një suficit prej 4,2 miliardë lekësh që ishte vitin e kaluar”, thuhet në raportin e MFE. Disbalancimi më i lartë vjen nga shpenzimet e bëra kapitale, të cilat kapin vlerën e gati 17 miliardë lekëve më shumë krahasuar me 4 mujorin e parë të vitit 2019. “Shpenzimet kapitale këtë katër mujor kanë përmbysur tendencën e viteve të shkuara, duke pësuar rritje. Edhe në vite normale shpenzimet kapitale vinin në ulje në muajt e parë të vitit, për shkak të vonesave në tendera, por këtë vit gjatë katër mujorit shpenzimet për investime kapitale arritën në 16,5 miliardë lekë me një rritje 12.8% në raport me janar-prill 2019”, theksohet në raport. Nga ana tjetër vërehet një rritje e shpenzimeve për bashkitë, ndërkohë që në raport evidentohet se ky zë nuk kishte arritur të mbledhë as gjysmën e vlerës të parashikuar nga qeveria. Në këto kushte deficiti buxhetor vazhdon të ndjekë një trend rritës të ushqyer nga disbalanca e shpenzime-fitime në disa zëra.

Qeveria rrit ndjeshëm shpenzimet

Ashtu sikur e përmendëm edhe më lart shkak i përkeqësimit të deficitit buxhetor është bërë rritja e shpenzimeve në këto katër muaj ndërkohë që mbledhja e të ardhurave nuk është realizuar sipas parashikimeve. Nevoja për mbështetjet të qytetarëve në këtë periudhë izolimi ka shtuar nevojën për shpenzime të larta pavarësisht urdhrit të kryeministrit në fillim të pandemisë, për reduktimin e tyre. Kështu, sipas të dhënave të Ministrisë së Financave në këtë 4 mujor janë shpenzuar 2,4 miliardë lekë më shumë se në të njëjtën periudhë të 2019-ës, ku vlera më e madhe ka shkuar për shpenzime sociale. “Totali i shpenzimeve në 4 mujor regjistrohet në 148.7 miliardë lekë, apo 2.4 miliardë lekë më të larta se e njëjta periudhë e një viti më parë. Peshën më të madhe e mbajnë pagesat sociale, ato për papunësisë apo ndihmën ekonomike, të cilat janë akorduar për të amortizuar pasojat e COVID-19, ku në total arrijnë në 14.4 miliardë lekë, apo 6.8 miliardë lekë më shumë se një vit më parë”, raporton MFE. Këto shpenzime kanë bërë për shkak se për të dyja kategoritë e lartpërmendura, qeveria vendosi që gjatë periudhës mars dhe prill, të merrnin dyfishin e ndihmës. Zëri me rritjen më të lartë të shpenzimeve ishin pagesat sociale me një vlerë 14,5 miliardë lekësh, me një rritje 91 për qind në raport me vitin 2019, për shkak të alokimeve direkte që qeveria bëri për ndihmën financiare. “Ndërkohë, shpenzimet për fondet speciale, si sigurimet shoqërore apo shëndetësore, arrijnë në vlerën e 54.3 miliardë lekëve në Janar-Prill 2020, me një rritje prej 700 milionë lekësh në raport më të njëjtën periudhë të 2019-ës. Nga ana tjetër shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes kanë pësuar një rënie të lehtë”, thuhet në raport. Rritje të ndjeshme kanë pësuar shpenzimet korrente dhe kryesisht ato që kanë të bëjnë me pagat e administratës shtetërore, ndërkohë që kanë rënë pagesat për interesat. Në total shpenzimet korrente arrijnë vlerën e 132 miliardë lekëve.