BREAKING NEWS

Infektohet me COVID-19 mjeku kirurg në Berat, në gjendje të rëndë niset me urgjencë drejt Infektivit

Infektohet me COVID-19 mjeku kirurg në Berat, në gjendje të
x

Ekonomia

Ministria e Financave nxjerr shifrat, borxhi publik kapërcen 9 mld euro, rritje krahasuar me një vit më parë

Ministria e Financave nxjerr shifrat, borxhi publik kapërcen 9 mld euro,

Borxhi publik i Shqipërisë ka ndjekur një trend rritës gjatë vitit që lamë pas. Me sa duket planet e qeverisë për reduktim të borxhit nuk janë përmbushur, përkundrazi niveli i tij ka regjistruar një rritje të ndjeshme. Sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga Ministria e Financave, borxhi i brendshëm dhe i jashtëm publik i Shqipërisë ka shënuar për herë të parë një shifër më të lartë se 9 miliardë euro. Në të dhënat zyrtare të publikuara nga MFE rezulton se shifra e këtij borxhi, më 31 dhjetor 2019, arriti vlerën e rreth 1 trilion e 112 miliardë lekëve. Kjo shifër është e barabartë me 9 miliardë e 137 milionë euro. Shifër kjo dukshëm më e lartë se një vit më parë dhe madje niveli më i lartë i shënuar ndonjëherë. Po të bëjmë krahasimin në shifra me nivelin e borxhit të vitit 2018 rezulton se në një vit shifra është rritur me 44.5 milionë euro, pasi në fund të 2018-ës, kjo shifër ishte vetëm 8 miliardë e 972 milionë euro. Por, nga ana tjetër ekziston një dritë jeshile që dikton se borxhi publik mund të këtë pësuar një rënie të lehtë gjatë 2019-ës. Sipas burimeve të ministrisë, ndikim pozitiv në këtë rast ka dhe niveli i Prodhimit të Brendshëm Bruto. Në këto kushte, duke qenë se në të njëjtën kohë është rritur edhe vlera e përgjithshme e Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit, rezulton që raporti i borxhit publik me PBB-në në fakt të jetë ulur. Kështu, nga 67.85 për qind që ishte ky raport në fund të vitit 2018, në fund të 2019-ës rezultoi në 65.84 për qind, pra borxhi ka ardhur në rënie në një nivel prej dy për qind. Lëvizje kjo që i përafrohet parashikimeve të qeverisë, për uljen e nivelit të borxhit ndër vite.

Planet e qeverisë për uljen e borxhit

Pavarësisht përpjekjeve dhe masave të ndërmarra qeveria është e vetëdijshme që niveli i borxhit publik në vend është në përmasa shqetësuese. Për këta arsye, reduktimi i nivelit të borxhit të jashtëm dhe të brendshëm publik është paraqitur si një nga pikat kyçe, që do të marrë vëmendjen totale të të gjithë organeve përgjegjëse për planin tre vjeçar 2020-2022. Me qëllim stabilizimin e niveli të tij në përmasa të tolerueshme, saktësisht deri në 57% në fund të vitit 2022. “Për tre vitet në vijim synohet ruajta e Balancës Primare Pozitive, e cila do të jetë pozitive për të pestin vit radhazi në nivelin 0.7%, duke synuar mbajtjen e borxhit në trajektoren rënëse, ndërsa në fund të vitit 2020 borxhi publik pritet të ulet në nivelin e 62.2% të PBB, për të zbritur poshtë 60% të PBB në 2021 dhe më tej në rreth 57% në vitin 2022”, thuhet në planin e qeverisë. Gjithsesi rruga e ndërmarrë për ulje të borxhit nuk do të jetë aspak e lehtë, po të marrim në konsideratë dhe problemet natyrore që kanë prekur vendin tonë me ndikim të drejtpërdrejtë në situatën ekonomike, pasi për përballimin e tyre qeveria shqiptare ka kërkuar mbështetje financiare nga vende të tjera. Sipas ekspertëve, ulja e nivelit të borxhit ndaj Prodhimit të Brendshëm dëshmon se strategjia e uljes së shpenzimeve dhe mbajtjes së një deficiti shumë të ulët buxhetor për vite me radhë ka rezultuar pozitive. Por ndërkohë pritet të shihet se ç’efekt do të sjellë prurja e një sasie të madhe kredish e huash, që iu akorduan Shqipërisë më 17 shkurt të këtij viti për rindërtim pas tërmetit, mbi parametrat e borxhit. Bazuar në këto të dhëna tendenca pritet të rikthehet në rritje të shpejtë, duke e çuar raportin borxh publik me PBB në mbi 70 për qind. Ndërkohë që në projektbuxhet synohet mbajtja e deficitit buxhetor nën nivelin e 2%, ku për vitin 2020 planifikohet të jetë në nivelin 1.6% të Produktit të Brendshëm Bruto, niveli më i ulët i targetuar në dy dekadat e fundit.