BREAKING NEWS

Surpriza ‘të pakëndshme’ 24 orët e fundit, Ministria e Shëndetësisë jep detajet sa raste të reja janë shënuar me COVID

Surpriza ‘të pakëndshme’ 24 orët e fundit, Ministria
x

Ekonomia

Miratohen ligjet, falen detyrimet e sigurimeve për punonjësit e nëntokës dhe njihen sigurimet për ata që kanë punuar në ndërmarrjet bujqësore

Miratohen ligjet, falen detyrimet e sigurimeve për punonjësit e

Parlamenti ka miratuar dje dy ligje të rëndësishme që zgjidhin problematikat e krijuara ndër vite për ish-punonjësit e ndërmarrjeve bujqësore dhe për punonjësit e nëntokës. Të dy këto projektligje janë shqyrtuar dhe miratuar më parë nga komisioni i Punës dhe Çështjeve Sociale dhe ai i Ekonomisë, ku konkretisht u propozua falja e detyrimeve ndaj ISSH për punonjësit e nëntokës dhe njohja e sigurimeve shoqërore për ish-punonjësit e kooperativave. Përmes projektligjit “Për faljen e detyrimeve, që ish-punonjësit e nëntokës kanë ndaj fondit të sigurimeve shoqërore”, zgjidhet gjithashtu një ngërç, për detyrimet e papaguara të punonjësve të nëntokës -minatorëve në funksion të trajtimit të tyre financiar të posaçëm apo për efekt të pensionit të pleqërisë. Nga të dhënat e bëra publike nga projektligji tregohet se, për një periudhë të gjatë këta persona nuk kanë mundur të paguajnë detyrimin debitor ndaj fondeve të sigurimeve shoqërore për shkak se ndërkohë që trajtoheshin me pension suplementar, kanë punuar dhe kanë marrë pagë, por nuk kanë paguar sigurimet. Siç është evidentuar në kohë shumica prej tyre nuk kanë mundur ekonomikisht të shlyejnë pagesat e sigurimeve, por edhe se kanë qenë të paqartë me interpretimin e ligjit. Bazuar në këto të dhëna Parlamenti vendosi përfundimisht faljen e borxhit të krijuar. “Falen gjobat e përllogaritura nga sistemi i sigurimeve shoqërore, të llogaritura për periudhën që ata janë trajtuar me përfitimet, të cilët njëkohësisht kanë zhvilluar aktivitet ekonomik si të punësuar ose vetëpunësuar, sipas gjendjes së papaguar deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji. Falen detyrimet e vendosura, që janë evidentuar sipas pikës 1, të këtij neni, pra me trajtim të veçantë, të cilat në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë ankimuar dhe janë në proces ankimi administrativ apo në proces gjyqësor”, thuhet në projektligj. Ndër të tjera ky ligj përcakton se debitë kanë krijuar edhe për shkak se këta punonjës marrin më pak pension suplementar se kategoritë e tjera. “Këta persona aktualisht trajtohen me pensione sipas dispozitave të ligjit “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, ose sipas ligjit “Për pensionet e punonjësve që kanë punuar në miniera, në nëntokë” por për likuidimin e detyrimeve të krijuara nga mosdeklarimi i punësimit dhe tërheqja e paligjshme e këstit të përfitimit, në periudha të mëparshme, trajtohen me 50-75% të përfitimit mujor, duke mbetur në kushte të pamjaftueshmërisë së të ardhurave kundrejt nevojave jetësorë”, thuhet në dokument.

Ligji për ish-punonjësit e ndërmarrjeve bujqësore

Përmes projektligjit për njohjen si periudhë sigurimi për efekt përfitimi nga sigurimet shoqërore të kohës së punësimit në ish-kooperativat bujqësore do të lehtësojë një proces të vështirë për qytetarët, të cilët jo pak herë janë gjendur para dyerve të gjykatës për të gjetur të drejtën e tyre. Ndaj edhe nëpërmjet miratimit të tij do të marrin atë që meritojnë një numër i konsiderueshëm për gati rreth 40 kooperativa. Projektligji i jep zgjidhje problematikës shumëvjeçare në lidhje me vjetërsinë në punë të anëtarëve që kanë punuar pranë ish-kooperativave bujqësore. “Në shumë raste regjistrat e këtyre kooperativave janë dorëzuar të mangët, ose nuk janë dorëzuar fare, një pjesë e këtyre regjistrave u shkatërruan dhe për këtë shkak periudhat e vjetërsisë në punë pranë kooperativave bujqësore nuk u janë njohur anëtarëve. Ndjekja e procedurave gjyqësore ka pasur dhe ka një kosto financiare për këtë kategori, e cila është shlyer nga vetë personi ose nga vetë organet e sigurimeve shoqërore”, sqarohet në relacionin shoqëruar projektligjit. Ndër të tjera bëhet e ditur se, qëllimi i këtij projektligji është njohja si periudhë sigurimi për efekt përfitimi nga sigurimet shoqërore, të periudhave të punësimit në ish-kooperativat bujqësore, për të cilat në Drejtorinë e Arkivit Qendror të Institutit të Sigurimeve Shoqërore nuk është dorëzuar dokumentacioni i plotë për vjetërsinë në punë nga data e krijimit deri në hyrjen në fuqi të ligjit nr. 7501 datë 19.07.1991, “ Për tokën”, i ndryshuar.