BREAKING NEWS

Aromë trazirash në prag të 25 prillit, Berisha kërcënon me revolta nëse humbet zgjedhjet, Meta sfidon SHBA dhe paralajmëron rrëzimin e reformës në drejtësi

Aromë trazirash në prag të 25 prillit, Berisha kërcënon
x

Ekonomia

Miratohen ndryshime në buxhet, viti 2020 mbyllet me rënie ekonomike 4.4 për qind, borxhi shkon 79 për qind

Miratohen ndryshime në buxhet, viti 2020 mbyllet me rënie ekonomike

Ekonomia për vitin 2020 është mbyllur nën efektin e një krize të thelluar nga pandemia, që solli tkurrje të ndjeshme. Ditën e djeshme në Komisionin e Ekonomisë janë diskutuar ndryshimet e bëra në buxhetin 2020 për rialokimet në fund të vitit për shlyerjen e disa detyrimeve dhe dhënien e shpërblimeve në disa zëra të veçantë. Gjatë fjalës së tij, kreu i Komisionit, Anastas Angjeli, bëri me dije se pavarësisht përpjekjeve për rikuperim edhe në tremujorin e katërt ekonomia ka vazhduar në rënie. Sipas Angjelit, muajt e fundit u mbyllën me një rënie ekonomie rreth 4.4%, ndërsa borxhi publik në 79.8%. Kreu i Komisionit shpjegoi se, ishte i pashmangshëm ky nivel i lartë i borxhit dhe tkurrje e ndjeshme e ekonomisë, për aq kohë sa të ardhurat kanë vijuar në rënie dhe shpenzimet kanë qenë të larta për shkak të përballimit me pasojat e pandemisë. “Për shkak të dy goditjeve që ekonomia shqiptare mori, tërmeti dhe pandemia, gjendja e treguesve makroekonomikë sidomos në rritjen ekonomike ka pësuar një tkurrje. Deri tani parashikohet rënie e rritje ekonomike me 4.4%, deficiti buxhetor 6.7% dhe duhet të pranojmë që borxhi publik mbetet në nivele të larat rreth 79.8%. Gjithsesi parametrat mbeten brenda parashikimeve, pasi në planin e fusnit parashikohej një rënie ekonomike me 6%”, u shpreh ai. Sa u përket ndryshimeve të buxhetit 2020 për rialokim fondesh, zëvendësministrja e Financave dhe Ekonomisë, Adela Xhemali, tregoi se mbi 4 miliardë lekë do u shtohen zërave që financojnë familjet në nevojë dhe personat me aftësi të kufizuar, me në fokus familjet që preken nga koronavirusi. “Referuar alokimeve më të rëndësishme, akti normativ përcakton alokimin e fondit 3.4 miliardë lekë për financimin e shpërblimit të fundvitit për kategorinë e pensionistëve, shtesën e fondeve në masën 1.4 miliardë lekë, për financimin e disa nevojave shtesë të ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, kryesisht për skemën e ndihmës ekonomike dhe paaftësisë, si rrjedhojë e specifikave të përdorimit të saj gjatë vitit 2020, të karakterizuar nga pasojat sociale të pandemisë COVID-19”, u shpreh ajo.

Bashkitë me nivel të lartë borxhesh

Ndërsa shpjegoi se rënia ekonomike është ndikuar shumë nga borxhi tatimor prej 130 miliardë lekësh, zëvendësministrja Xhemali tregoi se pjesa më e madhe e borxheve është krijuar nga bashkitë dhe shoqëritë e ujësjellës kanalizimeve. Kështu në këtë rialokim të fondeve qeveria ka vendosur që mbi 816 milionë lekë t’u jepen bashkive për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura, ndërsa 420 milionë lekë do shkojnë për ujësjellës kanalizimet që gjithashtu kanë detyrime të pashlyera. “70 milionë lekë do t’u jepen njësive të qeverisjes vendore që kanë pasur vështirësi në mbledhjen e të ardhurave dhe janë mbrapa me pagesat e detyrimeve. Shtesën e fondeve në masën 420 milionë lekë në zërin e subvencionit të ndërmarrjeve ujësjellës kanalizimeve, me qëllim shlyerjen e detyrimeve të prapambetura në zërin kontribute të sigurimeve shoqërore e shëndetësore dhe tatimfitimit. Akordimi i këtij fondi prej 420 milionë lekë në zërin subvencione ka një efekt neutral në buxhetin e vitit 2020, pasi ai do të shkojë automatikisht për pagesën e detyrimeve të sipërcituara, duke u regjistruar si të ardhura në buxhetin 2020. Po ashtu, në Aktin Normativ përcaktohet shtesë e fondeve për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë në masën 200 milionë lekë”, u shpreh Xhemali. Akti Normativ siguron edhe një financim shtesë në masën 673 milionë lekë për dy projekte prioritare të KQZ-së, përkatësisht, si dhe akordimin e një fondi prej 97 milionë lekësh për ngritjen e sistemeve mbështetëse për funksionimin e godinës së SPAK-ut dhe BKH-së. Më tej, Adela Xhemali tha se akti normativ nuk prek parametrat kyç makrofiskal, ndërsa përmes tij u sigurua zbatimi i dy prioriteteve, financimin e shpërblimit në masën 5 mijë lekë për çdo pensionist në fund të vitit si dhe financimin e skemës së ndihmës ekonomike dhe paaftësisë.