Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Miratohet buxheti, rritje pagash për mbi 65 mijë të punësuar, ulje e tatimit mbi pagën për 15 mijë vetë, ja sa përfitojnë bizneset

Postuar: 04/12/2018 - 07:22

Miratohet me 76 vota pro në Parlament, projektbuxheti i vitit 2019 dhe ndryshimet në paketën fiskale. Sipas të dhënave, buxheti për vitin e ardhshëm arrin vlerën e 486,477 milionë lekësh, ndërkohë që shpenzimet parashikohet të shkojnë në 519,377 milionë lekësh. Buxheti pritet të ketë një deficit prej 32, 900 milionë lekësh. Rritja ekonomike parashikohet të vijojë të forcohet dhe të arrijë nivelin 4.3% në vitin 2019. Norma mesatare e papunësisë parashikohet të bjerë në 12% në 2019, dhe pritet të gjenerohen mbi 30 mijë vende të reja pune. Buxheti 2019 planifikon më shumë burime si rezultat i politikave fiskale, të cilat bazohen në përmirësimin e administrimit fiskal dhe minimizimin e informalitetit në ekonomi. Në tre vitet e fundit, buxhetet e miratuara kanë synuar reduktimin gradual dhe të targetuar të barrës tatimorë nëpërmjet uljes së tarifave të tatimit dhe përjashtimeve të studiuara. Rritja e të ardhurave është synuar kryesisht nga zgjerimi i bazës së tatueshme, lufta ndaj informalitetit dhe përmirësimi i administrimit tatimor. Edhe Projektbuxheti i vitit 2019 synon të shpërndajë në mënyrë më të drejtë barrën fiskale, duke ulur ngarkesën për grupe, kategori dhe sektorë të caktuar.

Rritja e pagave

Buxheti 2019 financon politika të reja për rritjen e pagave në sektorët e shëndetësi, arsim parauniversitar, mbrojtje dhe sistemi penitenciar me një rritje prej 7%. Gjithashtu parashikohet dhe një rritje e pagës për punonjësit e përfaqësive diplomatike. Numri i përfituesve është 64 865 punonjës me një kosto prej 3 miliardë lekë në vit. Në shëndetësi përfitojnë 4,650 mjekë dhe 13,765 infermierë, në total 18,415 punonjës me një fond vjetor prej 1 miliardë lekë; Në arsim përfitojnë 35,783 staf mësimor me një fond vjetor prej rreth 1.4 miliardë lekë; Në mbrojtje përfitojnë 6,800 ushtarakë, më një fond vjetor prej rreth 300 milionë lekë; Në sistemin penitenciar, përfitojnë 3,560 policë të burgjeve më një fond vjetor prej 177 milionë lekë. Në sektorin e jashtëm, përfitojnë mbi 356 punonjës, me një fond vjetor prej 120 milionë lekë.

Lehtësimi i barrës fiskale

Buxheti 2019 parashikon gjithashtu lehtësimin e barrës fiskale nga e cila përfitojnë: Mbi 15 mijë punëmarrës nga ulja e normës së tatimit mbi pagat e nivelit të mesëm; 20 mijë biznese ose mbi 50 mijë investitorë të kapitalit nga ulja e normës së tatimit mbi dividentin; 11 mijë biznese përfitojnë nga ulja e normës së tatimit mbi fitimin me 2/3; Mbi 50 Shoqëri të Bashkëpunimit Bujqësor nga incentivimi i fermerëve të inkorporuar; Nga ulja e taksave të ndryshme si ajo e ambalazheve përfitojnë ulje kostoje dhjetra operatorë të fushës; Nga përjashtimet e parashikuara në Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, lehtësohet veprimtaria e qindra operatorëve ekonomikë në industrinë e fasonit, atë farmaceutike, makinerive bujqësore.

 Reformat

Buxheti 2019 garanton vazhdimin e mbështetjes financiare për thellimin e reformave të nisura në sektorë kyç të ekonomisë. Reforma në drejtësi, e cila do të marrë një mbështetje të konsiderueshme buxhetore, së bashku me reformën në administratën publike dhe reformën e menaxhimit të financave publike do të jenë instrumente të rëndësishëm të realizimit të prioriteteve të programit të qeverisë në përputhje me interesat e qytetarëve për përmirësimin e nivelit të jetesës së tyre. Për të tretin vit radhazi vazhdon mbështetja për Reformën Administrativo-Territoriale dhe reformat e decentralizimit.

Buxheti për bashkitë

Në buxhetin e vitit 2019, burimet e financimit të vetëqeverisjes vendore do të rriten me rreth 5 miliardë lekë ose 11% më shumë se sa ato të vitit 2018, të cilat do shkojnë për më shumë investime dhe përmirësimin e shërbimeve publike. Ndër masat më të rëndësishme përmendim miratimin dhe zbatimin rigoroz të ligjit për financave të vetëqeverisjes vendore; dhe reformën për taksën e ndërtesave me ngritjen e strukturave të posaçme dhe krijimin e kadastrës fiskale. Të gjitha këto dëshmojnë vullnetin dhe seriozitetin e Qeverisë për zbatimin e reformës administrative-territoriale. Në buxhetin vendor të vitit 2019, në vijim të reformës administrativo-territoriale dhe decentralizimit, vend të rëndësishëm zë reforma e financimit të arsimit parashkollor. Për vitin 2019, fondet për pagat e edukatorëve do të rriten me 9.1% në krahasim me vitin 2018. Në të njëjtën kohë do të përmirësohet sistemi i ndarjes së fondeve ndërmjet bashkive. Në ndryshim nga sistemi i mëparshëm, ku fondet ndaheshin sipas numrit të edukatorëve, konform praktikave të mira ndërkombëtare, financimi i këtij funksioni për vitin 2019, do të bazohet kryesisht në numrin e nxënësve (fëmijë 3-6 vjeç), si një kriter më objektiv për përcaktimin e nevojave për shpenzime. Si rrjedhojë e kësaj reforme, do të punësohen 438 mësuese (edukatore) më shumë se sa në vitin 2018, të cilët do të shkojnë në 32 bashki të cilat kanë një nevojë më të madhe për shtimin e edukatorëve, e matur nga raporti “fëmijë për edukatore”. Kjo reformë do ketë ndikim të drejtpërdrejtë në uljen e madhësisë mesatare maksimale të grupeve në kopshte nga 26 në 18 nxënës për edukatore, dhe madhësisë mesatare kombëtare nga 18 në 15 nxënës për edukatore, duke krijuar kështu parakushtet për një sistem më efikas.

Paketa fiskale

Këtë vit, qeveria ka vendosur reduktimin e normës së dividendit nga 15% në 8%, që vlerësohet të ketë impakt pozitiv në të ardhurat buxhetore të vitit 2019 me rreth 4.5 miliardë lekë, kjo i ofrimit të incentivës për zbatimin e kësaj norme të reduktuar edhe për fitimet e pashpërndara por të akumuluara apo të kapitalizuara të viteve të kaluara. Po ashtu, do të ketë ulje të ngarkesës fiskale për të punësuarit, duke e rritur fashën e të ardhurave, nga 130.000 lekë/muaj në 150.000 lekë/muaj, që tatohen me normën 13%. Nëpërmjet kësaj mase synohet të ulet barra tatimore për rreth 15.400 punëmarrës. Ky ndryshim parashikohet të sjellë një efekt në buxhetin e shtetit prej -0.3 miliardë lekë. Një tjetër risi do të jetë rritja e akcizës së cigareve sipas kalendarit me 3 lekë/paketa me efekt 0.46 miliardë lekë; ndryshimi i nivelit të akcizës për produktin e duhanit të grirë, puro dhe cigarrillos duke u rritur në masën 6,000 lekë/kg, me efekt pozitiv në buxhetin e shtetit prej 0.22 miliardë lekë. Buxheti 2019 parashikon ndërkaq ndryshime në Ligjin nr. 92/2014 “Për tatimin mbi vlerën e shtuar”, çka vlerësohet të sjellë një efekt prej -0.3 miliardë lekë në të ardhurat e buxhetit të shtetit, por që parashikohet të sjellin efekte pozitive në zhvillimin e sektorëve që preken. Në buxhet është propozuar dhe unifikimi i tarifës doganore në masën 10% për të gjitha kodet tetëshifrore të kategorisë 8418 të NMK, që vlerësohet të ketë impakt pozitiv në buxhetin e shtetit në masën 0.05 miliardë lekë.

Koncesionet PPP

Ministria e Financave vlerëson dhe miraton paraprakisht të gjitha projektet koncesionare dhe të partneritetit publik privat (PPP), si edhe çdo ndryshim të tyre, nga pikëpamja e implikimeve individuale apo në grup, për shpenzimet buxhetore, deficitin buxhetor, qëndrueshmërinë e borxhit publik dhe detyrimet kontingjente eventuale. Aktualisht janë aktive 11 kontrata koncesionare apo partneriteti publik privat (PPP), ndërkohë që në fund të vitit 2018 si dhe përgjatë vitit 2019 pritet të nisin dhe 4 kontrata të reja nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Për sa i përket respektimit të nenit 4/2 të ligjit nr.9936 datë 26.06.2008 “Për menaxhimin e sistemit buxhetor ku përcaktohet se "...shuma e përgjithshme e pagesave vjetore neto, që kryhen nga njësitë e qeverisjes së përgjithshme, të cilat rezultojnë nga kontrata koncesionare apo partneriteti publik privat (PPP), si rregull, nuk duhet të tejkalojnë kufirin prej 5 për qind të të ardhurave tatimore faktike të vitit paraardhës buxhetor", për vitin 2019 vërehet se për vitin 2019, kufiri i lejuar i pagesave neto për kontratat koncesionare/PPP, prej 5% i të ardhurave tatimore faktike të vitit 2018, është rreth 20.97 miliardë lekë.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 6

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 10/12/2018 - 15:29

Eksportet e Shqipërisë drejt Kosovës janë rritur me 40% për muajin nëntor, periudhë kur Prishtina vendosi taksën 100 për qind për mallrat serbe. 
 

Postuar: 09/12/2018 - 07:27

Skema e ndihmës ekonomike si ajo e përfitimit nga personat me aftësi të kufizuara do të ndryshojn

Postuar: 08/12/2018 - 07:30

Niveli i përgjithshëm i çmimeve u rrit vetëm me 1.8 % në muajin nëntor, duke shënuar ritmet më të

Postuar: 08/12/2018 - 07:28

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka ushtruar një kontroll në Entin Kombëtar të Banesave, nga ku ka rez

Postuar: 07/12/2018 - 07:32

Ambasada e Italisë në Tiranë njoftoi ditën e djeshme se për t’u ofruar një shërbim më të mi

Postuar: 06/12/2018 - 13:07

Monedha e përbashkët europiane ka shënuar një tjetër rekord të ulët për dekadën, duke u këmbyer p

Postuar: 06/12/2018 - 07:20

Vitin e ardhshëm, qytetarët e Tiranës do të përballen me një sërë faturash më të larta.