BREAKING NEWS

Atentati i bujshëm në ish-Bllok, zbardhen akuzat e Prokurorisë për Marviol Billon, Ervis Martinajn dhe partnerin e Elvana Gjatës

Atentati i bujshëm në ish-Bllok, zbardhen akuzat e Prokurorisë
x

Ekonomia

Miratohet ligji, gati ngritja e Agjencisë së Shpronësimeve, grup i specializuar për gjyqet e pronave

Miratohet ligji, gati ngritja e Agjencisë së Shpronësimeve, grup

Komisioni i Veprimtarisë Prodhuese ka miratuar dje në parim, projektligjin "Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private për interes publik" të ndryshuar, që ka për synim ngritjen e Agjencisë Shtetërore të Shpronësimeve. Për prezantimin e projektligjit, i ftuar ishte z. Artan Shkreli, zëvendësministër në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, i cili sqaroi për komisionin dhe mediat se, ndryshimet e propozuara synojnë mes të tjerash të rregullojnë procedurat e shpronësimit, si dhe përqendrimin e kompetencave në një institucion përgjegjës për shpronësimet. Ai theksoi se miratimi i këtij projektligji duhet bërë sa më shpejt, pasi vjen në një moment kur do të bëhen disa shpronësime me karakter specifik që lidhen me procesin e rindërtimit pas tërmetit të 26 nëntorit.

“Kjo agjenci shtetërore ndërvepron me Kadastrën për lehtësimin e procedurave të shpronësimeve. Kemi plot shpronësime të reja që kanë prioritet ndërkohë që harrojmë të vjetrat. Miratojeni pasi jemi përpara një situate thuajse emergjente për shpronësimet duke qenë se janë edhe zonat e prekura nga tërmeti”, u shpreh Artan Shkreli. Sipas tij, ngritja e kësaj agjencie do të eliminojë problemin e mbartur të shpronësimeve, për shpronësimin sa më shpejt të të gjithë pronarëve, një nga qëllimet kryesore të ministrisë. Gjithashtu ai foli edhe për ngritjen e një grupi të specializuar që do të merret me gjyqet e shpronësimeve, duke sjellë kështu reduktim të numrit të tyre. Pasi, sipas Shkrelit, vonesat me shpronësimet përveç se kanë penguar shumë projekte, në të shumtën e rasteve kanë përfunduar në Gjykatë, ku shteti ka humbur në 90% të rasteve.“Do të ulet numri i çështjeve në gjykatë, pasi do të ngrihet një grup i specializuar për këto çështje. Agjencia do të merret me uljen e borxhit dhe do ta zerojë atë. Pasi deri më tani, nëse një shpronësim nga ministria jonë bëhet në vlerën e 2 lekëve dhe tregu e ka 4 lekë, atëherë kur shkon në gjykatë, individi merr dhe 5 apo 6 lekë. Shteti për fat të keq deri më tani ka humbur 90% të rasteve dhe ka pasur goditje në buxhet”, theksoi Shkreli.

Diskutimet për Agjencinë e Shpronësimit

Gjithsesi, miratimi i projektligjit për krijimin e Agjencisë Shtetërore të Shpronësimit nuk kaloi pa debate dhe diskutime. Një pjesë e anëtarëve të komisionit u shprehën skeptikë në lidhje me disa ndryshime që do të sjellë krijimi i kësaj agjencie. Një ndër ta ishte deputeti i PS, Dritan Bici, i cili tha se ngritja e këtij institucioni nuk do t’i japë zgjidhje problemit të çmimit zyrtar që njeh shteti për pronat, çka shumë shpesh ka krijuar edhe pakënaqësi tek qytetarët. Sipas tij nëse nuk shikohen çmimet e shpronësimit, problemet dhe pakënaqësitë do vazhdojnë.

“Shpronësimet e bëra për ndërtimin e hidrocentralit të Banjës kishin një vlerë për metër katror 1.100 lekë të vjetra. Çfarë parashikon ligji për këtë problem”, u shpreh ai. Në përgjigje të tij foli drejtori Juridik në MIE, Enea Karakaçi, ai sqaroi se krijimi i Agjencisë së Shpronësimit nuk ka lidhje direkte me vlerat e shpronësimit. “Nuk do të ndryshojë me krijimin e Agjencisë vlera e çmimit të shpronësimit. Ajo bëhet sipas akteve në fuqi dhe, kur flasim për tokën, ajo bëhet nëpërmjet një VKM-je dhe çmimit referencë të tokës, që është e njëjta që përdor Agjencia e Pronave”, tha Enea Karakaçi. Të njëjtën gjë theksoi edhe zëvendësministri, ai tha se ky projektligj nuk prek praktikën e tanishme në lidhje me çështjet kur individë kundërshtojnë vlerën e shpronësimit. Sipas tij, Agjencia e Shpronësimeve do të ketë buxhet të saj dhe do të jetë në varësinë e Infrastrukturës.