BREAKING NEWS

Një nga tetë më të rrezikshmit e Vlorës/ Kush është Xhevahir Jonuzi që hapi zjarr ndaj RENEA-s dhe mbeti i plagosur (Detajet)

x

Ekonomia

Miratohet në parim buxheti i ri, rritje pensionesh dhe reformim skemës së kontributeve, ja fondet për naftëtarët, minatorët dhe të përndjekurit

Parlamenti ka miratuar dje në parim buxhetin për vitin 2020. Edhe pse seanca e djeshme plenare u fokusua tek pasojat e tërmetit, pjesë e axhendës ishte edhe buxheti i ri dhe paketa fiskale. Me datë 19 dhjetor pritet të jetë seanca e dytë plenare, pas së cilës do mund të vihen në zbatim të gjitha pritshmëritë e përcaktuara nga Ministria e Financave në lidhje me indeksimin e pensioneve, për reformim të skemës së kontributeve, për vlerën që do të marrin naftëtarët dhe metalurgët si pension suplementar si dhe për dëmshpërblimet e ish- të përndjekurve politikë. Referuar buxhetit të viti 2020, qeveria planifikon indeksim të pensioneve në masën 2,5% deri në vitin 2022 dhe rritje të numrit të personave që do përfitojnë pension. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, mbulimi i efekteve financiare të shtesës natyrale të numrit të përfituesve parashikohet të jetë rreth 48,000 përfitues, pra një shtesë neto me rreth 16,000 persona në vit, me një efekt financiar rreth 13 miliardë lekë. Për vitet e ardhshme qeveria ka hartuar një plan, i cili do të mund të plotësojë nevojat bazë të pensionistëve. Në bazë të këtij plani pritet që pensionet të shënojnë një rritje me rreth 5% çdo vit për 5 vite që do të arrijë vlerën e 1,4 mld lekëve, ndryshim nga i cili priten të përfitojnë 10 mijë pensionistë. Sipas qeverisë, është e nevojshme që të përcaktohen fillimisht kriteret mbi pensionin minimal dhe në mënyre graduale të përmirësohen pensionet e ulëta në përputhje me këto kritere. Ndër të tjera qeveria ka parashikuar edhe një pagesë për ata pensionistë që deri më tani nuk kanë marrë shumën e merituar.

Skemat e kontributeve

Me miratimin e buxhetit të ri qeveria kërkon të arrijë përsosjen e menaxhimit të skemës së sigurimeve shoqërore, sidomos të mbledhjes së të ardhurave të kontributeve. Për këtë arsye do të bëhet formulimi, miratimi dhe zbatimi i një skeme të re për masën e kontributit. Vazhdimi i implementimit të skemës së pensioneve profesionale të profesioneve shumë të vështira. Ndër të tjera qeveria parashikon zhvillim të më tejshëm të infrastrukturës të dokumenteve me qëllim përmirësimin e shërbimeve. Çka do të thotë se plotësimi i kërkesave të aplikantëve do të bëhet jo më vonë 30-32 ditë nga data e aplikimit. Përmirësimi i infrastrukturës së shërbimeve, vazhdimi i punës për arkivimin e përqendruar të dokumentacionit për periudhat e sigurimit, skanimin dhe digjitalizimin e tyre.

Pension suplementar për naftëtarët

Në buxhet përcaktohet edhe fondi që do të shkojë për trajtim me pension suplementar të naftëtarëve, minatorëve dhe metalurgëve. Konkretisht, efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i ligjit, llogariten në shumën 725 000 000 lekë. Qeveria ka deklaruar se do të rrisë indeksin për pensionet e policëve, ushtarakëve dhe anëtarëve të SHISH. Po ashtu ndryshime janë parashtruar edhe për ata që përfitojnë pension suplementar, që sipas planit të qeverisë do të arrijë masën 50% të pensioneve të caktuar sipas ligjit të vitit 1993, që do prekin vlerën e 26 milionë lekëve.Për sa i përket ish-të përndjekurve, është parashikuar një fond prej 1 miliard lekë ose 0.05% e PBB. Në lidhje me këtë çështje Ministria e Financave bën të ditur se në rast se vlera totale e miratuar për të gjithë përfituesit është deri në 1.000.000 lekë, shpërndarja e dëmshpërblimit do të kryhet me një këst të vetëm. Buxheti i vitit 2020 ka parashikuar edhe dëmshpërblim për ish-pronarët, sipas të dhënave shuma e përcaktuar për këtë kategori regjistrohet në vlerat e rreth 2,52 miliardë lekëve. 

Esmeralda Hida