Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Ndryshon ligji për pasuritë e sekuestruara, ja si do të bëhet administrimi dhe shitja pa vendim konfiskimi

Postuar: 09/02/2019 - 08:02

Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka vendosur të ndryshojë ligjin për administrimin e pasurive të sekuestruara dhe konfiskuara. Siç thuhet në relacion, projektligji ka për qëllim të përmirësojë procesin e miradministrimit të pasurive të sekuestruara dhe konfiskuara. Çështja e administrimit të pasurive është diskutuar shumë në forumet ndërkombëtare dhe rajonale. Standardet përkatëse ndërkombëtare theksojnë se juridiksionet duhet të kenë mekanizma ligjorë për të menaxhuar në mënyrë efektive pasuritë e ngrira dhe të konfiskuara, në pritje të një vendimi të formës së prerë. Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK) është një agjenci administrative e ngritur në kuadër të Ministrisë së Financave. Funksioni i saj kryesor është administrimi i pasurive pas sekuestrimit deri në kthimin e tyre ose konfiskimin përfundimtar, sipas vendimeve të gjykatës. Megjithatë, AAPSK administron kryesisht pasuritë e sekuestruara/ konfiskuara vetëm sipas ligjit 10192/2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit, korrupsionit dhe krimeve të tjera nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, i ndryshuar, ndërkohë që pasuritë e sekuestruara/ konfiskuara në procesin penal i mbesin për administrim gjykatës, e cila i vetëmenaxhon ose ia cakton administrimin një burimi të jashtëm dhe në shume raste, mbesin të pa administruara fare dhe në mëshirë të fatit. Si një institucion plotësisht funksional, me staf dhe me fonde, AAPSK-ja kombëtare duhet të administrojë të gjitha pasuritë e sekuestruara, qoftë civile dhe penale, për të qenë plotësisht efektive. Por Gjykatat e Rretheve gjyqësore nuk janë të detyruara t’ia kalojnë AAPSK-së për administrim, pasuritë që sekuestrohen / konfiskohen gjatë proceseve penale që ato zhvillojnë, pasi nuk ka një ligj që t’i detyrojë ta bëjnë. Për rrjedhojë, vjen si domosdoshmëri miratimi i këtij projekt-ligji “Për administrimin e pasurive të sekuestruara dhe konfiskuara”.

Procesi i ri

Projektligji “Për administrimin pasurive të sekuestruara dhe konfiskuara” synon në radhë të parë të ngrejë në një nivel më të lartë të gjithë procesin aktual të administrimit të pasurive, duke vendosur në themele ligjore procedurën që ndjek agjencia, që nga momenti i parë i ekzekutimit të vendimit të sekuestros, me marrjen në dorëzim të pasurive që do të administrohen, duke vijuar më pas me menaxhimin e tyre, sipas mënyrave dhe formave specifike në varësi të llojit të pasurisë, e duke mbyllur qarkun e administrimit, me anë të procesit të destinimit përfundimtar të pasurive që konfiskohen. Një objektiv tjetër është ai i përfshirjes së të gjitha pasurive që sekuestrohen dhe konfiskohen (si në procesin penal ashtu edhe në atë parandalues) në fushën e veprimit të AAPSK-së, duke e përqendruar administrimin e të gjitha pasurive me prejardhje të paligjshme në një institucion të vetëm. Synim tjetër madhor, i cili përmbush një rekomandim të rëndësishëm të disa eksperteve ndërkombëtarë, është edhe shtimi i kompetencës për shitjen e pasurive të luajtshme, të cilat prishen, amortizohen apo u bie vlera shpejt, qysh në fazën e sekuestrimit, duke mos pritur vendimin përfundimtar të konfiskimit. “Përdorimi i kësaj procedure do të bënte që vlera e realizuar nga shitja e pasurisë të ruhej në një llogari bankare të veçantë, e në rast revokimi të sekuestrimit t’i kthehej pronarit të ligjshëm, ndërsa në rast konfiskimi të kalonte në buxhetin e shtetit. Shitja e parakohshme e këtyre pasurive të sekuestruara do të sillte një përfitim për të gjithë, pasi jo vetëm ruhet vlera momentale e pasurisë së luajtshme (autoveturë, pajisje teknologjike dhe IT, gjë e gjallë, etj), vlerë e cila do të humbte fare, në qoftë se këto pasuri do të mbaheshin deri në përfundim të afateve procedurale gjyqësore, por edhe shkurton ndjeshëm shpenzimet e Agjencisë për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e tyre”, thuhet në relacion. Së fundmi, synohet që ky të shërbejë edhe si ligj organik për Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, duke përcaktuar me norma ligjore organizimin, funksionet dhe kompetencat e saj.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 21/04/2019 - 08:05

 Detyrimet e parapaguara ndaj administratës tatimore shënuan një rritje në vitin 2018, duke arritur rreth 108 miliardë lekë, me një rritje prej 8 miliardë lekë në raport me një vit më parë.

Postuar: 20/04/2019 - 07:51

Ashtu si pothuajse gjatë gjithë vitit 2018, edhe këtë vit mesa duket bankat do të vijojnë të mos

Postuar: 19/04/2019 - 07:20

Pas shumë muajsh kundërshtimesh nga ana e biznesit, qeveria ka shfaqur shenjat e para të një tërh

Postuar: 18/04/2019 - 07:19

Të gjithë tatimpaguesit me të ardhura në shumën mbi 2 milionë lekë duhet të dorëzojnë deklaratën

Postuar: 17/04/2019 - 07:18

Ministria e Financave dhe Ekonomisë në bashkëpunim me Sekretariatin e Këshillit të Investimeve zh

Postuar: 16/04/2019 - 07:26

Hyn në fuqi vendimi për rritjen e pagave për diplomatët, ushtarakët, mësuesit dhe policët e burgj

Postuar: 14/04/2019 - 18:45

Bankat shqiptare kanë aktualisht 2,9 miliardë euro të investuara jashtë vendit ose gati një të tr