BREAKING NEWS

Zgjedhjet po afrojnë! Befason me reagimin Kreshnik Spahiu: Ilir Meta po kërkon...

Zgjedhjet po afrojnë! Befason me reagimin Kreshnik Spahiu: Ilir Meta po
x

Ekonomia

Ndryshon ligji për sigurimin e automjeteve, ulen shpenzimet dhe lehtësohen procedurat, ja parashikimet

Ndryshon ligji për sigurimin e automjeteve, ulen shpenzimet dhe

Qeveria ka vendosur të ndryshojë projektligjin për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit. Në relacion bashkëshoqërues projektligjit shpjegohet se, nevoja për këtë projektligj erdhi edhe si angazhim i AMF-së për përmbushjen e rekomandimeve të dhëna nga Komisioni Europian, si nëpërmjet progres raporteve ashtu edhe nëpërmjet takimeve vjetore të nënkomitetit BE-Shqipëri “Tregu i brendshëm dhe konkurrenca”. Ndërkaq bëhet me dije se, fokusi i këtij projektligji është të lehtësojë procedurat dhe pakësojë shpenzimet për kërkesat që dërgojnë të dëmtuarit në rast aksidenti pranë shoqërive të sigurimit. Në relacion thuhet se, lehtësimi në procedura do të përkthehet në më pak zvarritje dhe kosto për qytetarët dhe nga ana tjetër do të rrisë nivelin e shpërblimit që do të marrë nga kompania pala e dëmtuar. “Ky projektligj synon: uljen e shpenzimeve të marrjes në sigurim; rritjen e masës së dëmshpërblimit; të përmirësojë procedurat dhe afatet e trajtimit të kërkesave për dëmshpërblim nga ana e shoqërive të sigurimit si sigurues i drejtpërdrejtë i palës së dëmtuar dhe për rastet e dëmeve shkaktuar nga mjete të pasiguruara/paidentifikuara, shkurtimin e kohës dërgimit të kërkesës dhe plotësimit të saj të drejtpërdrejtë”, thuhet në relacion. Më tej sqarohet se, tani e tutje kompanitë e sigurimit do të kenë të drejtën të përcaktojnë tarifat, por gjithmonë dukje iu përmbajtur direktivave europiane, ku do të paraqiten edhe risqet dhe çdo kontratë do të ketë transparencë. “Shkurtimin e afatit dhe uljen e shpenzimeve të trajtimit të kërkesave për dëmshpërblim nga ana e shoqërive të sigurimit me anë të nënshkrimit të Raportit Europian të Aksidenteve; parashikimin e të drejtës së shoqërisë së sigurimit për të përcaktuar tarifat e primit të sigurimit, duke marrë parasysh faktorët e riskut, një ndër të cilët mund të jetë sistemi Bonus Malus, i cili përfaqëson një sistem eficent tarifimi, i cili pasqyron profilin e riskut, duke individualizuar tarifat e primeve”, thuhet në relacion.

Eliminimi i abuzimeve

Nga ana tjetër ndryshimet e bëra në ligj kanë si për qëllim edhe eliminimin e abuzimeve që bëhen nga kompanitë e sigurimit në rast shpërblimi. Në shumicën e rasteve shkaku dhe pasojat e dëmtimeve trajtohen me standarde të dyfishta dhe kjo pengon që pala dëmtuese të mos përfitojë dëmshpërblimin. Prandaj, ligji i ri kërkon që këto problematika të zgjidhen menjëherë dhe me transparencë, pa zvarritje dhe shmangie. “Ky projektligj ka si për qëllim të përmirësojë procedurat dhe afatet e trajtimit të kërkesave për dëmshpërblim nga ana e shoqërive të sigurimit, në mënyrë që të shmangen problematikat dhe rastet abuzive që janë hasur deri më sot në trajtimin e kërkesave për dëmshpërblim, si dhe procesi i dëmshpërblimit të jetë sa më transparent për përfituesin; zgjidhjen e problematikave të Byrosë, duke ndarë trajtimin dhe pagesat e dëmeve nga byroja dhe shoqëritë e sigurimit si sigurues i drejtpërdrejtë i palës së dëmtuar; të shmangë interpretimin me standarde të dyfishta, për të njëjtën çështje, të ligjit dhe akteve nënligjore në zbatim të tij;përshtatjen me zhvillimet dhe kërkesat e tregut të sigurimeve”, thuhet në relacion. Nga ana tjetër parashikohet që, ky projektligj do të ndikojë në edukimin, ndërgjegjësimin dhe disiplinimin e konsumatorit, si dhe të rrisë cilësinë e shërbimit ndaj tij; si dhe rritjen e kufirit minimal të përgjegjësisë në mënyrë progresive të shtrirë në kohë. Në këtë aspekt, hartimi i këtij projektligji është një hap i rëndësishëm në procesin e zbatimit të programin politik strategjik të Këshillit të Ministrave, si dhe rekomandimit në progres raportin e BE-së, për Shqipërinë.