Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Njësitë vendore dështojnë në mbledhjen e taksave, Bashkia e Tiranës mblodhi 3 herë më pak se në 2017 të ardhura nga taksa e ndikimit në infrastrukturë

Postuar: 21/09/2018 - 07:39

Bashkitë nuk po mbledhin dot taksat. Një raport mbi financat publike vendore për periudhën Janar-Qershor 2018, publikuar nga Ministria e Financave bën me dije se performanca e bashkive në kahun e burimeve financiare të disponueshme vlerësohet relativisht e dobët në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit 2018. Sipas këtij raporti, në total burimet financiare në dispozicion shënuan një nivel prej rreth 35.4 miliard lekë, në rënie me rreth 7.6% në terma vjetorë. “Kjo performancë është diktuar gjerësisht prej ecurisë së të ardhurave nga burimet e veta vendore, mbledhja e të cilave vijon të mbetet ende larg potencialeve që ato paraqesin si pasojë e problemeve strukturore në administrimin e tyre. Varësia e buxheteve vendore nga një numër i kufizuar taksash pasqyroi njëkohësisht dhe dobësinë e tyre, materializuar në rënien e të ardhurave me rreth 21.5% në terma vjetorë, diktuar nga taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja”, thuhet në raport, sipas të cilit, të hyrat nga taksa e ndikimit në infrastrukturë, pas një rritje të theksuar në të njëjtën periudhë të një viti më parë, u tkurrën me rreth 53.4% në terma vjetorë dhe regjistruan rreth 1.4 miliard lekë. Në nivel bashkie, rënia e të ardhurave nga taksa e ndikimit në infrastrukturë u udhëhoq nga Bashkia e Tiranës. Gjatë periudhës janar-qershor 2018, të ardhurat nga kjo taksë regjistruan një nivel prej rreth 657.1 milionë lekë nga rreth 2.1 miliard lekë në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërkohë, në Bashkitë Vorë dhe Durrës, të ardhurat nga taksa e ndikimit në infrastrukturë rezultojnë të jenë thuajse përgjysmuar krahasuar me nivelin e shënuar në gjashtëmujorin e parë të vitit 2017.

Taksa e pronës

Krahas taksës së ndikimit në infrastrukturë, të ardhurat nga taksat e pronës (taksa e ndërtesës) gjithashtu rezultojnë të jenë në rënie në periudhën e konsideruar. Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2018, të ardhurat nga kjo taksë regjistruan një vlerë prej rreth 1.7 miliardë lekë, në rënie me rreth 36.1% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2017. Tkurrja e të ardhurave nga taksa mbi pasuritë e paluajtshme u përcaktua nga rënia me rreth 42.6% në terma vjetorë e të ardhurave nga taksa e ndërtesës. Performanca e dobët e regjistruar në të hyrat nga taksa e ndërtesës bie ndesh me pritshmëritë e krijuara në vijim të reformimit rrënjësor të kësaj takse nëpërmjet ligjit nr. 106/2017 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9632, datë 30.10.2006, “Për sistemin e taksave vendore”, të ndryshuar”. Raporti i Financave vlerëson se larg nga çfarë është synuar, vështirësitë në krijimin e kadastrës fiskale, përcaktimit të vlerës së pronës sipas vendndodhjes, përcaktimi i një agjenti tatimor etj., vlerësohet të kenë krijuar paqartësi të shtuara për bashkitë, të cilat mund të kenë kontribuar në performancën e kësaj takse gjatë gjysmës së parë të vitit 2018. Njëkohësisht, një pjesë e bashkive kanë vijuar të aplikojnë taksën e ndërtesës sipas metodologjisë së vjetër, deri në përfundim të periudhës tranzitore për të akomoduar metodologjinë e re me bazë vlerën. Fillim viti 2019 pritet të jetë dhe momenti kur të gjitha bashkitë në vend do të aplikojnë taksën e pronës sipas metodologjisë së re, bazuar në komunikimet në media të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë. Megjithatë, mbetet për t’u vlerësuar nëse kemi të bëjmë me vështirësi të përkohshme në zbatimin e metodologjisë së re në lidhje me aplikim e kësaj takse apo me vështirësi strukturore të cilat shkojnë përtej kompetencave të bashkive.

Taksa truallit

Taksa e truallit vijon të rezultojë pa të ardhura të regjistruara në gjashtëmujorin e parë të vitit 2018, ashtu sikurse evidentohet dhe në të gjitha periudhat e tjera të marra në shqyrtim. Në raportin e Financave thuhetse kjo mund të lidhet me problematikat e mungesës pothuajse totale të regjistrave të bazës së taksës (dhe taksapaguesve). Gjithashtu mund të jemi përballë edhe të një problemi të raportimit financiar, dhe një vlerësim më i thellë do duhej të bëhej nga autoritetet.

Shpenzimet

Përdorimi i burimeve financiare në dispozicion, përbën anën tjetër të rëndësishme në menaxhimin financiar publik vendor. Në gjysmën e parë të vitit 2018, bashkitë kryen shpenzime për rreth 39.7 miliardë lekë, në rritje me rreth 5.2% në terma vjetorë (përfshirë shpenzimet me fonde të kushtëzuara). Raporti i Financave konstaton se zgjerimi i shpenzimeve publike vendore vijon të përcaktohet gjerësisht nga ecuria e shpenzimeve korrente (veçanërisht shpenzimeve për personelin dhe atyre operative). Kjo ecuri nuk përputhet me eficiencën operacionale të synuar nga reforma administrative dhe territoriale. Ndërkohë, shpenzimet kapitale vijojnë të ndjekin prirje rritëse. Bashkitë investuan rreth 13.2 miliardë lekë në gjysmën e parë të vitit 2018, në rritje me rreth 6.2% në terma vjetorë. Strehimi dhe zhvillimi i komunitetit, infrastruktura rrugore, ujësjellës – kanalizimet dhe arsimi, duket të jenë funksionet që përthithën pjesën më të madhe të investimeve publike vendore.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 6

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 22/10/2018 - 13:08

Monedha e përbashkët e ka nisur këtë javë duke shënuar një rënie të fortë në tregun vendas.

Postuar: 22/10/2018 - 07:46

Kjo vjeshtë ka qenë një verë e dytë për bizneset e turizmit në të gjithë vendin për shkak të temp

Postuar: 21/10/2018 - 08:08

Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe 3 Sekretarë të Përgjithshëm ministrish rrezikojnë të k

Postuar: 20/10/2018 - 07:36

Avokatura e Shtetit duket se ka dalë nga shinat e një institucioni normal të shtetit shqiptar.

Postuar: 19/10/2018 - 21:11

Një vendim i Këshillit të Ministrave në Shqipëri, i pasuar nga një tender për dhënien me koncesio

Postuar: 19/10/2018 - 08:41

Banka e Shqipërisë zbaton një regjim të lirë të kursit të këmbimit.

Postuar: 19/10/2018 - 07:30

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka nisur procedurat për revokimin e 4 lejeve minerare n