Lajme të tjera
BREAKING NEWS

Prag lufte mes Turqisë dhe Greqisë! Kryeministri Rama befason gazetarin grek, ja çfarë i thotë për Erdogan

Prag lufte mes Turqisë dhe Greqisë! Kryeministri Rama befason
x

Ekonomia

Pandemia godet konsumin, inflacioni shkon në 1.4 për qind, por bankat dalin me fitime

Pandemia godet konsumin, inflacioni shkon në 1.4 për qind, por bankat

Inflacioni ra përsëri në korrik, duke konfirmuar zbehjen e goditjes së përkohshme në çmime që dha shpërthimi i epidemisë së Covid-19. Të dhënat e INSTAT tregojnë se norma vjetore e inflacionit për korrikun ishte 1.4%, nga 1.8% që pati qenë në qershor. Në krahasimin mujor, indeksi i çmimeve të konsumit pësoi rënie me 0.5%. Luhatjet e inflacionit gjatë muajve të fundit kanë qenë kryesisht të lidhura me grupin e ushqimeve. Edhe për korrikun, inflacioni i këtij grupi pësoi sërish një rënie të ndjeshme me 1 pikë përqindje, duke zbritur në 3.1%. Për korrikun, ndikim të ndjeshëm dha ulja e çmimit të perimeve, me 0.8% më pak krahasuar me një vit më parë. Ndërkohë, inflacioni ngelet në nivele të larta për frutat, me 16.3%, për vajin me 4.8%, apo për peshkun me 4.5 %. Për shumicën e grupeve të tjera, luhatjet e normës vjetore të inflacionit janë të vogla. Për korrikun ulja e çmimit të karburanteve solli rënien e mëtejshme në inflacionin e grupit “Transporti”, në -4.8%. Shifrat po tregojnë se rritja e çmimeve pas shfaqjes së epidemisë së Covid-19 ishte kalimtare. Inflacioni është rikthyer tashmë pranë niveleve të fillimit të vitit dhe duket se një rritje e tij e qëndrueshme do të kërkojë ende kohë. Në mbledhjen e javës së kaluar, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë u shpreh se inflacioni pritet t’i afrohet objektivit prej 3% vetëm në vitin 2022. Këtë vit pritet që ekonomia të pësojë një rënie të fortë me më shumë se 6%, ndërsa rimëkëmbja mund të rifillojë vetëm vitin e ardhshëm, gjithmonë në rast se epidemia nuk do të ketë përshkallëzime të mëtejshme negative, që mund të kërkojnë kufizime të tjera të aktivitetit social dhe ekonomik. Rënia e prodhimit dhe e punësimit pritet ta dobësojnë kërkesën e brendshme dhe të mbajnë të ulëta presionet për rritje të çmimeve.

Sistemi bankar me fitim

Sektori bankar e mbylli 6-mujorin e parë të vitit me një fitim neto prej 7.15 miliardë lekësh. Sipas të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë rezultati i sistemit bankar u rrit ndjeshëm gjatë tremujorit të dytë, me një zgjerim të fitimit neto me mbi 6 miliardë lekë krahasuar me tremujorin e parë. Megjithëse fitimi progresiv vjetor i sistemit është afërsisht 32% më i ulët krahasuar me vitin e kaluar, deri këtu performanca financiare mund të lexohet pozitivisht në kontekstin e një periudhe kur ekonomia është përfshirë nga kriza më e rëndë qysh prej vitit 1997. Vetëm në tremujorin e dytë 2020, fitimi i sistemit bankar ishte rreth 5.8 miliardë lekë, ose gati 5% më i lartë se e njëjta periudhë e një viti më parë. Rënia për 6 mujorin është shkaktuar nga performanca e dobët e tremujorit të parë, ku fitimet e sistemit u tkurrën me 72%. Për 6 mujorin, të ardhurat nga interesi u rritën me 0.1% me bazë vjetore, ndërsa shpenzimet për interesa u tkurrën me 4.8%. Kthimi nga kapitali, i llogaritur me bazë vjetore, në fund të qershorit arriti në 9.1%, në rritje për të katërtin muaj radhazi; megjithatë, edhe për këtë tregues, shifrat janë më të ulëta krahasuar me vitin e kaluar, kur kthimi llogaritej në 14.3%. Shifrat e performancës financiare të sistemit ende nuk përfshijnë një efekt të mirëfilltë të krizës në cilësinë e portofolit të kredisë. Edhe për qershorin raporti i kredive me probleme rezultoi i qëndrueshëm në nivelin 8.1%, më i ulëti në 11 vitet e fundit. Pavarësisht se shtimi i provigjioneve sinjalizon një rritje të sasisë së kredive të këqija, ky efekt është balancuar nga zmadhimi i portofolit total të kredisë, duke bërë që raporti të mos ndryshojë.