Lajme të tjera
BREAKING NEWS

Prag lufte mes Turqisë dhe Greqisë! Kryeministri Rama befason gazetarin grek, ja çfarë i thotë për Erdogan

Prag lufte mes Turqisë dhe Greqisë! Kryeministri Rama befason
x

Ekonomia

Pandemia pasuron bankat, rriten 33 për qind investimet në letra me vlerë për shkak të borxheve të marra nga qeveria

Pandemia pasuron bankat, rriten 33 për qind investimet në letra me

Pandemia e shkaktuar nga koronavirusi duket se ka sjellë efekte pozitive vetëm në sistemin bankar. Madhësia e sistemit bankar shqiptar arriti vlerën e 1.53 trilionë lekëve në mesin e këtij viti, ose gati sa 97 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto të rishikuar të vitit 2020. Statistikat e Bankës së Shqipërisë treguan se totali i aktiveve u rrit me 7.4 për qind me bazë vjetore. Krahasuar me tremujorin e parë, aktivet pësuan një rënie me 20 miliardë lekë ose rreth 1.3 për qind. Por, kjo rënie i detyrohet efektit statistikor të mbiçmimit të shkurtër të euros në fund të muajit mars dhe që rriti përkohësisht vlerën e konvertuar në lekë të instrumenteve në monedhën europiane. Jashtë rrezes së veprimit të faktorëve kalimtarë, sistemi duket se ruajti ritme të kënaqshme të rritjes, edhe gjatë tremujorit që shënoi pikun e krizës. Rritja e aktiveve u udhëhoq sidomos nga investimi në letra me vlerë, zhvillim ky i pritshëm në një tremujor që solli rritje të fortë të kërkesës për financim nga qeveria. Statistikat tregojnë se portofoli i letrave me vlerë të sistemit bankar u rrit me 59 miliardë lekë gjatë tremujorit të dytë dhe arriti vlerën totale të 484.6 miliardë lekëve. Në harkun e një viti, vlera e këtyre instrumenteve në bilancin e sistemit bankar është rritur me pothuajse 33 për qind.

Borxhi nga qeveria

Në fund të qershorit, letrat me vlerë përbënin 31.7 për qind të aktiveve të sistemit bankar, nga 25.7 për qind që përbënin një vit më parë. Vlerësohet se bankat shqiptare ishin ndër blerësit kryesorë të Eurobondit prej 650 milionë eurosh të emetuar nga qeveria në muajin qershor, përveçse ngelen financuesit kryesorë të borxhit të brendshëm. Për tremujorin e dytë, stoku i borxhit të brendshëm të qeverisë u rrit me rreth 43 miliardë lekë. Bankat e kanë shfrytëzuar këtë kërkesë të qeverisë, duke ulur ndjeshëm vendosjet dhe depozitimet në institucionet e tjera financiare dhe duke i kanalizuar fondet e lira te titujt e borxhit qeveritar. Titujt e qeverisë janë një alternativë e volitshme, sepse sigurojnë kthime të kënaqshme në një periudhë kur normat reale të interesit, sidomos në valutë të huaj, janë praktikisht në terren negativ. Sistemi bankar shqiptar ngelet përgjithësisht likuid, me një raport mes depozitave dhe kredive pranë nivelit të 55 për qind. Sektori privat ende nuk gjeneron mjaftueshëm kërkesë të shëndetshme për kredi për t’iu mundësuar bankave një rritje më të lartë të huadhënies. Përveç kësaj, jo të gjitha bankat po shfaqin oreks për të marrë përsipër rrezik, çka pritet të theksohet edhe më tej pas shpërthimit të krizës së Covid-19. Në banka të veçanta, strategjia për të rritur investimet në letra me vlerë është ndikuar edhe nga nevoja për diversifikim dhe nga hapësirat e kufizuara të kapitalizimit, që nuk mundësojnë rritje shumë të madhe të huadhënies. Pavarësisht dominimit të investimeve në letra me vlerë gjatë 12 muajve të fundit, edhe kredia ngelet në rritje. Në terma bruto, portofoli i kredisë arriti vlerën e 586 miliardë lekëve, me një rritje vjetore prej 4.8 për qind. Për pjesën që i takon sektorit privat, rritja vjetore e kredisë është edhe më e lartë, me rreth 5.7 për qind. Për periudhën prill-qershor portofoli është tkurrur me 12.5 miliardë lekë, por edhe në këtë rast kjo i detyrohet kryesisht efektit të kursit të këmbimit te portofoli në valutë. Kredia e re për ekonominë arriti në 26 miliardë lekë, në rritje me 80 për qind krahasuar me mesataren e pesë muajve të parë, madje më shumë edhe se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.