BREAKING NEWS

Ministria e Shëndetësisë publikon bilancin: 130 raste të reja brenda 24 orëve

Ministria e Shëndetësisë publikon bilancin: 130 raste të
x

Ekonomia

Parlamenti miraton ligjin, shtyhet për në fund të vitit afati për rivlerësimin e pasurive, ja detajet

Parlamenti miraton ligjin, shtyhet për në fund të vitit afati

Kuvendi ka miratuar dje projektligjin e hartuar nga Ministria e Financave për shtyrjen e afatit të procesit te rivlerësimit të pasurive. Izolimin i vendit për dy muaj dha efektin e tij stopues edhe në punë e sporteleve të Kadastrës Shtetërore, duke bërë që aplikimet nga qytetarët të jenë të pakta. Për këtë arsye, duke marrë parasysh numrin e ulët të aplikimeve, Ministria e Financave i ka kërkuar Kuvendit të shtyjë sërish datën e mbylljes së procesit. Pas shqyrtimit të ligjit në Komisionin e Ekonomisë dhe përcaktimi i detajeve të projektligjit, dje Parlamenti miratoi vendimin përfundimtar të qeverisë për shtyrje të procesit të rivlerësimit të pronave deri në 31 dhjetor, nga 30 shtatori që ishte vendosur më parë. “Projektligji parashikon shtyrjen e afatit për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme nga data 30 shtator 2020, në datën 31 dhjetor 2020. Ligji nr. 90/2019, i hartuar edhe mbi përvojën ndër vite, synoi rritjen e numrit të personave që kryejnë rivlerësimin e pasurive të paluajtshme, shoqëruar edhe me regjistrime të shumë transaksioneve pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës. Shtyrja me 3 muaj e afatit të rivlerësimit të pasurive të paluajtshme synon t’i japë kohën e mjaftueshme të gjithë individëve apo subjekteve tatimore, që janë të interesuar, që të kenë mundësi të aplikojnë dhe ta kryejnë këtë proces”, përcakton ligji. Deri më tani sipas ministres në buxhet janë arkëtuar nga rivlerësimi vetëm 100 milionë lekë, nga 4 miliardë lekë që pritet të mblidhen në fund të procesit, pasi pritshmëritë janë për një rivlerësim prej 50 mijë pronash. “Të ardhurat e realizuara deri në këto momente janë diku tek 100 milionë lekë dhe presim që të kemi më shumë aplikime dhe arkëtime në periudhën në vazhdim. Ne vazhdojmë të kemi të njëjtën pritshmëri që të ardhurat që do të realizohen do të jenë 3.5 ose 4 miliardë lekë deri në fund të këtij procesi”, konfirmojnë të dhënat nga Ministria e Financave.

 Pandemia uli aplikimet

Deputetja e Partisë Socialiste, Evis Kushi u shpreh në mbështetje të projektligjit për shtyrjen e afatit deri në fund të këtij vitit, për rivlerësimin e pasurive të patundshme dhe ftoi qytetarët të përfitojnë nga ky afat i ri. Gjatë fjalës së saj në Kuvend ajo tha se, në kushtet e situatës së krijuar nga Covid -19, qeveria vendosi të shtyjë afatin për procesin e rivlerësimit të pasurive të patundshme nga data 30 shtator 2020, (e parashikuar më parë) deri në datën 31 dhjetor 2020. “Situata e pandemisë uli ndjeshëm numrin e aplikimeve në këtë proces. Rreth 68% më pak është numri i aplikimeve në krahasim me pritshmëritë tona të parashikuar në fund të vitit të kaluar. Ndaj propozohet shtyrja e këtij afati me tre muaj, duke i dhënë mundësi të gjithë qytetarëve të interesuar të realizojnë këtë proces. Nga periudha 17 janar 2020, kur ligji hyri në fuqi, deri në 17 mars 2020, kur nisi marrja e masave të veçanta, për të kufizuar përhapjen e infeksionit të shkaktuar nga COVID-19, numri i aplikimeve për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme është 15, 071. Ndërkohë, për periudhën 18 mars - 22 maj numri i aplikimeve është 4,835”, tha ajo. Sakaq ajo shtoi se, nga ky proces si për individët dhe për bizneset, si edhe për buxhetin e shtetit, të ardhurat që garantohen nga procesi i rivlerësimit të pasurive, janë më të mëdha se sa reduktimi i të ardhurave që vijnë nga ulja e barrës tatimore, që në këtë rast është nga 15% që parashikohet në ligjin për tatimin mbi të ardhurat, në 3% siç e parashikon ligji.

Efekti financiar

 Gjatë shqyrtimit të ligjit u parashikua që procesit të rivlerësimit t’i nënshtrohen rreth 50 mijë banesa dhe të ardhurat nga tatimi mbi rivlerësimin e pasurive të paluajtshme të jenë plus 6 miliard lekë bruto, me normë tatimi 3 për qind. Gjithashtu, u parashikua reduktimi me 2 miliardë lekë i të ardhurave nga tatimi mbi kalimin e së drejtës së pronësisë për periudhën e rivlerësimit. Efekti neto në të ardhurat e buxhetit të shtetit u parashikua 6 – 2 = 4 miliardë lekë. Procesi i rivlerësimit të pasurive të paluajtshme është kryer edhe në vitet 2013 dhe 2016. Rezultatet dhe parashikimet për këtë proces, në 2020 janë konkretisht; numri i pasurive të rivlerësuara pritet në 50,000 dhe të ardhurat nga rivlerësimi në 4 mld lekë. Ndërsa vazhdon të qëndrojë fakti se ky rivlerësim u parashikua të kryhet me tarifa të reduktuara: 3 për qind e bazës së tatueshme për individët; 5 për qind për pasuritë e paluajtshme të personave juridikë.