Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Pas rrëzimit në Kushtetuese, qeveria rrit sërish tarifat e licencimit të karburanteve, 3 milionë lekë për Bashkinë e Tiranës, 1 milion lekë për rrethet

Postuar: 20/04/2017 - 08:08

Pas rrëzimit në Gjykatën Kushtetuese, qeveria ka vendosur të rivlerësojë tarifat e licencimit të karburanteve. Në mbledhjen e djeshme, Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për tarifat e reja të licencave të karburanteve, duke i ulur ato në krahasim me vendimin e dhjetorit të 2015, por duke i rritur në krahasim me tarifat aktuale. Kështu, sipas vendimit të djeshëm të qeverisë, ka rivendosur tarifën e rilicencimit të stacioneve të shitjes së karburanteve në 3 milionë lekë për Tiranën dhe 1 milion lekë për rrethet. Ky vendim erdhi pasi në nëntor të vitit të kaluar, Gjykata Kushtetuese kishte hedhur poshtë si antikushtetues tarifat e mëparshme prej 5 milionë lekë për Tiranën dhe 2 milionë lekë për rrethet. Këto tarifa ishin shumëfishuar në dhjetor 2015, nga përkatësisht 30 mijë dhe 20 mijë lekë. Në vendimin e ri të qeverisë përcaktohet gjithashtu se organi që ka për detyrë të japë licencën informon menjëherë inspektoratin shtetëror përgjegjës dhe bashkëpunon me të për marrjen e masave të bllokimit të veprimtarisë së subjekteve që ushtrojnë pa licencë aktivitetin e tregtimit me pakicë të karburanteve, gazit të lëngshëm, të naftës për automjetet, vajrave lubrifikante dhe lëndëve djegëse, për përdorim nga konsumatorët fundorë. Po ashtu, organi që ka për detyrë të japë licencën informon Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve për subjektet e licencuara dhe vendndodhjen e pikave të depozitimit apo të tregtimit, në mënyrë që këto të fundit të kontrollojnë zbatueshmërinë e legjislacionit në fuqi.

Tarifat e dhjetorit 2015

Me një vendim të papritur në dhjetor të vitit 2015, Këshilli i Ministrave vendosi në mënyrë të papritur dhe pa u diskutuar me grupet e interesit, të shumëfishonte pagesën për dhënien dhe përsëritjen e licencave për stacionet e shitjes së karburanteve, gazit të lëngshëm të naftës, për automjetet dhe vajrave lubrifikantë, duke e bërë atë 5 milionë lekë, për Bashkinë e Tiranës, dhe 2 milionë lekë, për bashkitë e tjera. Kjo VKM rriti tarifën me 50-fish për Bashkinë e Tiranës dhe 20-fish për bashkitë e tjera. Më parë, tarifat ishin përkatësisht 30 mijë lekë dhe 20 mijë lekë. Operatorët e çuan vendimin në Kushtetuese dhe më 2 nëntor 2016, Gjykata Kushtetuese, pasi shqyrtoi dhe analizoi pretendimet e ngritura nga kërkuesi vendosur të pranojë pjesërisht kërkesën e grupeve të interesit, duke vendosur shfuqizimin e pikës 9 të kreut II të vendimit të Këshillit të Ministrave “Për përcaktimin e procedurave dhe të kushteve për dhënien e licencave për tregtimin e naftës bruto dhe nënprodukteve të saj”. Gjykata Kushtetuese, me vendimin 86 30/12/2016 e ka quajtur antikushtetues VKM 970 2/12/2015, me anë të të cilit u shumëfishua tarifa e rimarrjes së lejes së tregtimit. Gjykata argumentoi se ky veprim ishte abuziv, tejkalonte të drejtën që ligjvënësi i ka dhënë qeverisë dhe kjo ishte jo proporcionale, pasi kjo tarifë paguhet karshi shërbimit që merr. Tashmë qeveria vendosi të ridimensiononte tarifat, duke i rritur sërish edhe pse jo aq sa në fund të 2015.

 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 3

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 25/04/2017 - 12:44

Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujrave, Z.Edmond Panariti, merr pjesë në Forumin Rajonal për Zhvillim të Qëndrueshëm, të organizuar nga Kombet e Bashkuara, në Gjenevë.

Postuar: 25/04/2017 - 08:06

Pas botimit në Fletoren Zyrtare të ligjit “Për pagesën dhe fshirjen/shuarjen e detyrimeve tatimore, detyrimeve të pagueshme në doganë, si dhe procedurën e heqjes nga qarku

Postuar: 23/04/2017 - 17:15

Traditat dhe trashëgimia kulturore janë një mundësi e madhe për zhvillim ekonomik të qendrueshëm, kryesisht të zonave të tilla  të mëdha që përfshijnë disa fshatra siç ësht

Postuar: 23/04/2017 - 08:21

Gjatë viteve të fundit, tregu bankar paraqet karakteristikat e një tregu me norma relativisht të larta fitimi në kushtet e stanjacionit të kreditimit; interesa shumë të ulta të

Postuar: 22/04/2017 - 08:15

Rreth 1 mijë invalidë dhe minatorë në pension pritet të përfitojnë nga projektligji i ri i qeverisë, i cili fal kontributet e papaguara nga këta persona, të cilët rezultojnë deb