BREAKING NEWS

Aksident i rëndë në Gramsh, humbin jetën 2 persona, 8 të tjerë të plagosur (Detajet e para)

Aksident i rëndë në Gramsh, humbin jetën 2 persona, 8
x

Ekonomia

Pas tenderave, ish-kryebashkiakët batërdi dhe me ndërtimet, në 6 muaj dyfishuan dhënien e lejeve

Pas tenderave, ish-kryebashkiakët batërdi dhe me ndërtimet,

Ish-kryetarët e bashkive kanë lëshuar dorën sa i takon lejeve të ndërtimeve në ditët e fundit të abuzimit. Të dhënat vijnë nga Instituti i Statistikave-INSTAT. Sipas një raporti të hartuar nga INSTAT, ku analizohen të dhënat për lejet e ndërtimit të dhëna në 6-mujorin e parë të vitit 2019, rezulton se disa kryebashkiakë që e dinin që do të largoheshin kanë shfrytëzuar detyrën për abuzime. Sipas Institutit të Statistikave, vetëm në tremujorin e dytë të 2019-ës, që përkon me periudhën prill-qershor, kur u zhvilluan edhe zgjedhjet vendore, në të gjithë territorin e vendit u dhanë 310 leje ndërtimi, me një rritje vjetore prej 15%. Në total, vlera e ndërtimeve llogaritet në 14.8 miliardë lekë, apo rreth 121 milionë euro, nga ku mbi gjysma i takojnë pallateve. Në rritje rezultojnë edhe lejet e reja për hotele dhe ndërtesa tregtare si dyqane, mapo dhe qendra tregtare. Siç duket, kryetarët e bashkive, duke ditur largimin nga puna, kanë “lëshuar” dorën me lejet e ndërtimit, duke rritur kështu abuzimet. Pak ditë më parë gazeta tregoi sesi në ditët e fundit të detyrës kryebashkiakët kanë kryer batërdi edhe me tenderat. Për periudhën deri në 7 maj 2019, 61 bashkitë e vendit kanë shpallur tenderime me vlerë 15.8 miliardë lekë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, vlera e prokurimeve është rritur me 6.24 miliardë lekë. Pas tenderave, abuzimi i radhës duket se janë lejet e ndërtimit. Ndërkohë, në total për 6 muajt e parë të vitit 2019 që janë analizuar janë dhënë 555 leje ndërtimi, 13% më shumë krahasuar me 6-mujorin e parë të 2018. Nga këto, 11.7% janë dhënë për punime inxhinierike, 27.1% për ndërtesa jo rezidente dhe 61.2% janë leje të dhëna për ndërtime për banim. Sipas INSTAT, rritja e lejeve të ndërtimit lidhet me ndërtimet rezidenciale, por jo vetëm. Në vitet e fundit, rritja e numrit të turistëve po nxit investime të shumta në hotele dhe struktura akomoduese. Vetëm në dy vitet e fundit, janë dhënë gjithsej 114 leje ndërtimi për hotele të reja.

 

Lejet e ndërtimit në Tiranë

Me 111 leje të miratuara në periudhën prill-qershor, Tirana është qarku ku do të ndërtohet pjesa më e madhe e këtyre ndërtesave për të cilat është dhënë leja. Në gjashtë muajt e parë të vitit, në kryeqytet janë dhënë gjithsej 205 leje ndërtimi, me një rritje prej 25%, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur ishin dhënë në total 164 leje, sipas të dhënave që u publikuan sot nga INSTAT. Por, treguesi më i rëndësishëm i ndërtimeve është sipërfaqja e lejeve, që po shënon një rritje më të fortë. Në 6 muajt e parë të vitit, sipërfaqja e dhënë për leje ndërtimi në kryeqytet, po sipas INSTAT, ishte 753,087 m², duke shënuar një rritje me 136% në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Vetëm në tremujorin e parë të 2019-s, sipërfaqja e dhënë për leje ndërtimi ishte 50% më e lartë sesa ajo që u dha për gjithë 6-mujorin e parë 2018. Vetëm në tremujorin e parë u dha për ndërtim një sipërfaqe prej rreth 480 mijë metra katrorë. Në 3-mujorin e dytë, ritmet ranë disi dhe sipërfaqja zbriti në 273,133 m². Të dhënat që nga viti 2014, tregojnë se ish-kryebashkiaku Basha dha mesatarisht leje ndërtimi me sipërfaqe 200-300 mijë metra katrorë në gjysmën e parë të 2014 dhe 2015, ndërsa në 2013-n vendimet për ndërtime kishin qenë minimale. I njëjti ritëm konstatohet dhe në mandatin e pasardhësit. Me ardhjen e Veliajt, në 6-mujorin e parë 2016, sipërfaqja e dhënë për leje ndërtimi ra dukshëm në raport me 2014-2015 (rreth 60 mijë metra katror). Më pas ndërtimet filluan të lulëzonin në Tiranë dhe për periudhën janar-qershor 2018 u dhane leje ndërtimi për një sipërfaqe prej gati 320 mijë metra katrore. Ritmet nuk u ndalën, duke kulmuar në gjysmën e parë të këtij viti.