BREAKING NEWS

Shtohet presioni ndaj partive politike, pas SHBA edhe OSBE kërkon që të inkriminuarit të lihen jashtë zgjedhjeve, pritet ndryshim rrënjësor në Parlament

Shtohet presioni ndaj partive politike, pas SHBA edhe OSBE kërkon që
x

Ekonomia

Pasojat e izolimit, mbyllen 38 për qind e bizneseve në vend, ulet konsumi dhe fitimi për kompanitë që operojnë ende

Pasojat e izolimit, mbyllen 38 për qind e bizneseve në vend, ulet

Pas heqjes së kufizimeve, 38% e bizneseve në vend nuk e rifilluan më aktivitetin e tyre. Kriza e shkaktuar në ekonomi nga pandemia dhe kufizimet për të frenuar përhapjen e saj kanë ndikuar negativisht aktivitetin e bizneseve, ku shumë prej tyre nuk po munden ta marrin veten as pas hapjes së ekonomisë. Këtë e tregojnë edhe të dhënat e publikuara nga Drejtoria e Tatimeve në faqen e saj zyrtare. Sipas këtyre të dhënave, periudha pas izolimit u ka kushtuar bizneseve shqiptarë humbje të mëdha deri në falimentim, sidomos atyre të vogla. Konkretisht nga maji në fund të dhjetorit 2021 janë mbyllur 38% e bizneseve në vend, pra 1800 më shumë se viti i mëparshëm dhe pjesa më e madhe ishin biznese të vogla. “Të dhënat për subjektet që kanë kaluar në status pasiv, tregojnë se nga 1 maji, kur filloi heqja graduale e kufizimeve, deri në 31 dhjetor, subjektet që kanë kaluar në status pasiv janë rritur me 38% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Gjithsej janë rreth 6,600 subjekte që rezultojnë të shtuara në listën e subjekteve pasive në periudhën në fjalë, nga rreth 4800 për maj-dhjetor 2019”, thuhet në raportin e publikuar nga Tatimet. Sipas Tatimeve, krizës nuk i ka shpëtuar as kryeqyteti, ku veprojnë rreth 40% e subjekteve të regjistruara në vend. Numri i bizneseve të kaluara në status pasiv në Tiranë është rritur me 35% për periudhën në shqyrtim. Madje aty humbjet ishin më të mëdha për shkak se edhe lehtësimi i kufizimeve ishte më i ngadaltë dhe rreziku nga infektimi me koronavirus shumë më i lartë. Ndërsa kujtojmë se problemi më i madh që solli shkurtim të stafeve ishte edhe pezullimi i transportit. Të dhënat e tatimeve tregojnë se në të gjitha rajonet, numri i subjekteve që kanë kaluar në status pasiv është rritur me ritme të larta, me përjashtim të Lezhës (+7.6%) dhe Dibrës, që është e vetmja ku numri i subjekteve të mbyllura është më i ulët se në 2019-n (-10.4%).

Rënia e konsumit shumë e lartë

Sipas të dhënave të Tatimeve edhe kompanitë të cilat vazhdojnë të operojnë në treg po vuajnë rënien e ndjeshme të konsumit. Më së shumti bizneset e vogla tregojnë se nga java në javë regjistrohet tkurrje konsumi, për shkak se klientët ndihen të pasigurt dhe shpenzojnë vetëm për gjëra bazike, apo edhe nga kufizimet në orare që ende vijojnë. Sigurisht që mbyllja e bizneseve ka sjellë një numër në rritje të papunësisë. Shifrat që u referohen të dhënave administrative të punësuarit me pagë të deklaruar zyrtarisht tregojnë se, numri i të punësuarve ka rënë me gati 30 mijë persona gjatë 9 muajve të 2020-s, në krahasim me të njëjtën periudhë të 2019-s. Ndërkohë, shihet se nga totali prej 29 mijë e 600 personash, që kanë humbur punën gjatë një viti, mbi 10 mijë i takojnë sektorit privat, 17 mijë sektorit bujqësor dhe 1600 persona, sektorit shtetëror për të papunët në sektorin bujqësor, të dhënat administrative i referohen Anketës së Forcës së Punës. Shifra pritet të jenë edhe më të larta po të marrim parasysh se kanë mbetur të papunë dhe shumë qytetarë që punonin në të zezë. Pasi, në 6-mujorin e parë, sipas të dhënave administrative, por dhe atyre nga anketa, dolën të papunë rreth 50 mijë persona, si rrjedhojë e karantinës së ashpër, që detyroi mbylljen e qindra bizneseve dhe goditjes që eksportuesit morën nga rënia e porosive nga partnerët e tyre jashtë. Ndërsa në 3-mujorin e tretë, të dhënat administrative tregojnë një rimëkëmbje të dobët, ku 30 mijë persona ende janë jashtë tregut të punës. Sakaq edhe këto të dhëna tregojnë se numri më i lartë i të larguarve nga puna është regjistruar në sektorin e turizmit. Kjo pasi zonat që e kanë të bazuar aktivitetin te turizmi kanë dhe rritjen më të lartë të mbylljeve të bizneseve për janar-dhjetor 2020, në raport me të njëjtën periudhë të 2019.