Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Pensionistët rrezikojnë të mos marrin shpërblim në fund të vitit, qeveria ende asnjë fond, deputetët i kërkojnë sqarime ministres

Postuar: 16/10/2019 - 07:28

Pensionistët rrezikojnë që të mos marrin shpërblim në fund të vitit. Çdo vit është hartuar një paketë solidariteti për pensionistët dhe familjet në nevojë, po këtë herë qeveria nuk ka asnjë plan. Ministrja e Financave, Anila Denaj ka raportuar dje në Komisionin parlamentar të Ekonomisë për aktin normativ të buxhetit 2019. Ajo u pyet nga deputetja Evis Kushi se sa do të jetë bonusi i fundviti për pensionistët. Por ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, tha se nuk është vendosur ende asgjë konkrete në lidhje me këtë çështje, pasi sipas saj, duhet shikuar më parë ecuria e disa zërave deri në muajin dhjetor.“Sigurisht që Ministria e Financave do të analizojë kërkesën e bërë nga ky komision. Kjo kërkesë ka ardhur më vonë se ky akt normativ që po diskutojmë. Ne do të shikojmë të gjitha vlerësimet të cilat kanë të bëjnë me zërat e shpenzimeve dhe në muajt në vijim në çdo mundësi të parë që do të shikojmë do të alokojmë fondin e nevojshëm. Por kjo do të jetë pjesë e një analize të 3 mujorshit të ardhshëm dhe është e parakohshme të them nëse do ta marrim ose jo parasysh”, tha Denaj. Në përgjigje të Denaj dha qëndrim-komentin e tij kritik, kryetari i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, Arben Ahmetaj. Sipas tij, ministria duhet të organizoj sa më parë një plan për shpërblimet e fundvitit për pensionistët dhe familjet në nevojë, pasi kjo është një traditë e përvitshme e qeverisë dhe vetë kryeministrit, prandaj nuk është e hijshme që institucionet përkatëse nuk u janë përgjigjur angazhimeve të tyre. “Ne kemi marrë angazhim politik dhe financiar. Është kthyer tashmë në traditë që shpërblimi i pensionistëve dhe familjeve në nevojë është pjesë e politikës financiare, fiskale të qeverisë, të kryeministrit, në fund të vitit”, tha Ahmetaj. Praktikisht, referuar pensionit për festat e fundvitit, vitin e kaluar qeveria dha 5 mijë lekë të reja shpërblim për çdo pensionist dhe po ashtu edhe për familjet me ndihmë ekonomike dhe personat me trajtim financiar. Kjo ishte një paketë e veçantë e vendosur nga qeveria, e cila në total i kushtoi buxhetit të shtetit rreth 3.3 mld lekë.

Ja kritikat e Arben Ahmetajt

Më tej Arben Ahmetaj përmendi edhe problemin për detyrimet e prapambetura. Sipas tij është Ministria e Financave dhe Ekonomisë që duhet të punojë për normalizimin, pavarësisht se nuk është kjo ministri institucionin që i krijon ato. Gjithashtu kryetari komisionit paralajmëroi probleme në ekonomi nga mos shlyerja e detyrimeve, për të cilat, në fund do mbajë përgjegjësi ministrja Anila Denaj dhe kolegët e saj. “Ministre kam merakun që në fund të vitit si ministre përgjegjëse do ta keni ju në kurriz pavarësisht se nuk i krijoni ju këto detyrime”, u shpreh ai. Ndër të tjera Ahmetaj tha se vlera e 3 miliardë lekëve e rezervuar nga shkurtimi i fondeve për investimet, duhet të kishte shkuar për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura vlera e 3 miliardë lekëve. Ministrja Denaj e vlerësoi argumentin e kryetarit si të drejtë, por shtoi se në 9 mujorin e vitit 2019 detyrimet e prapambetura kanë regjistruar ulje në 115.2 miliardë lekë nga 115 miliardë lekë që ishin vitin e kaluar. 

Esmeralda Hida

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 14/11/2019 - 07:32

Qeveria i ka hapur rrugë zbatim të ligjit për përfitim të pensioneve për naftëtarët, minatorët dhe metalurgët.

Postuar: 14/11/2019 - 07:28

Projektbuxheti i qeverisë për vitin 2020 nuk është pritur aspak mirë nga Komisioni Parlamentar i

Postuar: 12/11/2019 - 13:39

Euro sërish po shkon drejt pikiatës.

Postuar: 12/11/2019 - 07:29

Koncesionet në shëndetësi do të përfitojnë nga buxheti i shtetit 2020 plot 4.5 miliardë lekë të r

Postuar: 09/11/2019 - 07:26

Pak kohë më parë Banka e Shqipërisë tregoi se inflacioni i ulët i detyrohet faktorëve kalimtarë.