BREAKING NEWS

La Stampa fut në sherr Italinë me Rusinë, kërcënohet gazetari nga zëdhënësi rus i mbrojtjes

La Stampa fut në sherr Italinë me Rusinë, kërcënohet
x

Ekonomia

Programi ekonomik, qeveria fut në monitorim koncesionet, analizë mbi rreziqet që sjellin PPP-të

Programi ekonomik, qeveria fut në monitorim koncesionet, analizë mbi

Qeveria do të fusë në monitorim Partneritetin Privat Publik në të gjithë sektorët në vend. Ditën e djeshme Ministria e Financave ka publikuar në Fletoren Zyrtar vendimin e Këshillit të Ministrave për miratim të programit ekonomik 2020-2022. Politikat e këtij programi do të kenë prioritet rekomandimet e dhëna nga Komisioni Europian për ekonominë fiskale në planin afatmesëm. Një nga rekomandimet e parashtruara është edhe ai për kujdesin ndaj rreziqeve nga PPP, në të cilin kërkohet mbikëqyrej më e thelluar dhe regjistrimin e saktë të veprimtarisë të këtyre kompanive. “Siguroni një regjistrim sistematik dhe të plotë të detyrimeve fiskale që rrjedhin nga Partneritetet Publike-Private dhe borxheve në të gjitha nivelet e qeverisë në raportet e rregullta fiskale dhe kornizën makrofiskale”, thuhet në raport. Duke ju përgjigjur kësaj kërkese në programin ekonomik për tre vitet e ardhshme, qeveria ka garantuar analizën e detajuar të kontratave, për evidentimin e rreziqeve dhe shmangien e problematikave të më vonshme. “MEF-ja do të vazhdojë të adresojë boshllëqet dhe të thellojë analizën në mënyrë që mbikëqyrja e rreziqeve fiskale të menaxhohet dhe kontrollohet siç duhet. Çështjet specifike të përmendura në këtë rekomandim do të adresohen përmes masave monitoruese: monitorimi i ngushtë i borxheve të qeverisë qendrore dhe përmirësimi i deklaratës së rreziqeve fiskale në lidhje me kontratat e PPP-së”, theksohet në raport. Më tej ministria tregon se do të aplikojë të njëjtin kontroll të masave të rrepta, duke përfshirë si të detyrueshëm edhe raportin me të dhënat e përgjithshme për çdo koncensionar. “Të zhvillohet dhe të mirëmbahet një tubacion i vetëm projekti për të gjitha projektet, pavarësisht nga burimi i financimit; për të rritur cilësinë e propozimeve më të mëdha investimeve publike të paraqitura për miratim; për të përmirësuar veprimtarinë e investimeve publike, përfshirë projektet PPP dhe koncesionet. Përgatitja dhe botimi i një raporti gjithëpërfshirës për koncesionet private”, sqarohet në raport.

Financimi i PPP-ve arrin majat

Monitorimi dhe mbikëqyrja e rreptë e kompanive koncesionare që aplikojnë në vend duket se është një nevojë urgjente, duke qenë se ky zë do të përfitojë financim të shifrave të larta nga qeveria shqiptare. Referuar të dhënave të paraqitura në programin afatmesëm, financimi i kontratave koncesionare nga fondet buxhetore do të arrijë kulmin deri në vitin 2021, ku do të regjistrohet vlera e rreth 15,2 miliardë lekëve. Ndërsa parashikimet për këtë vit janë që pagesat, vjetore neto që parashikohen të kryhen nga njësitë e qeverisjes së përgjithshme për kontratat koncesionare apo PPP-ve, kapin vlerën rreth 14.6 miliardë lekë. Duke qenë se vlera e fondit për koncesionet ka qenë një temë mjaft e debatuar edhe në hartimin e projektbuxhetit 2020, Ministria e Financave ka sqaruar në raport se në buxhetin 2020 është respektuar kufizimi ligjor, pasi vlera e parashikuar prej 14.6 miliardë lekësh për pagesat vjetore neto të kontratave koncesionare apo PPP për vitin 2020, përbën vetëm 3.3 për qind të totalit të të ardhurave tatimore të parashikuara për vitin 2019, prej rreth 448.3 miliardë lekësh. Gjithsesi nuk mund ta mohojmë faktin se pagesat për koncesionet kanë arritur majat. Tendenca në rritje e pagesave nga fondi i buxhetit ka nisur që prej fillim-vitit 2019. Të dhënat e raportit tregojnë qartë se, nivelin më të lartë të pagesave e ka shënuar muaji janar, me 2.9 miliardë lekë nga të cilat 2.52 miliardë lekë është pagesa për kontratën e MIE-s “Ndërtimi dhe operimi i Rrugës së Arbrit”. Po të krahasojmë me të njëjtën periudhë të vitit 2018, rezulton se në 2019 janë shpenzuar 4.1 miliardë lekë më shumë për PPP. Në të dhënat për vitin e shkuar rezulton se pagesat faktike, në total për 11-mujorin 2019, rezultojnë 11.56 miliardë lekë ose 91.5% e planit vjetor 2019. Ndërkaq, bazuar në parashikimin e ecurisë së pagesave për muajin e fundit të vitit 2019, fondi i planifikuar për t’u shpenzuar është 742.5 milionë lekë, nivel ky që do të përmbushte 97.4% të planit vjetor.