Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Prokurimet publike/ Kompanitë private ankesa për dokumentet KPP kërkon kritere të unifikuara për tenderët e njëjtë ose të ngjashëm

Postuar: 14/04/2019 - 07:47

Operatorët ekonomikë kanë pasur ankesa të shumta vitin e kaluar për dokumentet e tenderëve. Në raportin vjetor të Komisionit të Prokurimit Publik mësohet se për vitin 2018, nga 1158 ankesa në total, 225 prej tyre ose 19.43 % janë ankesa të paraqitura për dokumentet e tenderit. Nga këto, 91 janë ankesa për dokumentat e tenderit të paraqitura në procedura prokurimi për shërbimet e ruajtjes fizike. Në këto rrethana, KPP sugjeron që unifikimi dhe bërja e detyrueshme e një pakete kriteresh minimale të

kualifikimit dhe specifikimeve teknike për procedura të njëjta ose të ngjashme, do të rezultonte me ulje të ndjeshme të numrit të ankesave me këtë objekt. Ankesat e operatorëve ekonomikë përsa i përket dokumenteve të tenderit kanë të bëjnë me: Respektimin e rregullave për përcaktimin e fondit limit sipas fushës që i përket objekti i prokurimit, referuar përcaktimeve në nenet 27 e vijues të ligjit dhe në rregullat përkatëse të prokurimit; Respektimin e rregullave për përzgjedhjen e llojit të procedurës sipas kufijve përkatës monetarë (procedurë e hapur, e kufizuar, kërkesë për propozim, procedura me negocim, konkurs projektimi, shërbime konsulence, marrëveshje kuadër), si dhe afateve specifike për dokumentat e tenderit dhe njoftimet në lidhje me to, sipas përcaktimeve në nenet 27 e vijues të ligjit dhe në rregullat përkatëse të prokurimit; Respektimin nga autoritetet kontraktore të kërkesave të ligjit për hartimin e specifikimeve teknike sipas përcaktimeve në nenin 23 të ligjit dhe në rregullat përkatëse të prokurimit; Respektimin e rregullave për hartimin e kërkesave dhe dokumentave provuese në lidhje me kriteret e kualifikimit, sipas përcaktimeve në nenin 46 të ligjit dhe në rregullat përkatëse të prokurimit; Ruajtjen e zbatimit të parimeve të barazisë dhe mosdiskriminimit, në rastet kur autoritetet kontraktore në hartimin e kërkesave të cilësisë, vendosin kërkesa të tepërta, të panevojshme ose pa lidhje me objektin e prokurimit për certifikime e akreditime kombëtare ose ndërkombëtare.

Ankesat për fazën e vlerësimit të ofertave

Operatorët ekonomikë janë ankuar vitin e kaluar pranë KPP dhe për fazën e vlerësimit të ofertave. Disa ankesa të pretenduara nga operatorët janë; Skualifikim i padrejtë dhe i pabazuar në ligj dhe në rregullat e prokurimit i ankimuesit nga ana e autoriteteve kontraktore për mospërmbushje të kritereve kualifikuese dhe/ose specifikimeve teknike; Kualifikim i padrejtë dhe i pabazuar në ligj dhe në rregullat e prokurimit i ofertuesve të tjerë të ndryshëm nga ankimuesi duke u anashkaluar kërkesat e vendosura nga vetë autoritetet kontraktore për përmbushje të kritereve kualifikuese dhe/ose specifikimeve teknike; Mosrespektimi i rregullave për njoftimet dhe komunikimin me pjesëmarrësit në një procedurë prokurimi; Mosrespektimi i afateve dhe procedurave të kualifikimit dhe përzgjedhjes nga autoritetet kontraktore, duke kërkuar anullimin e procedurës. Për vitin 2018, nga 1158 ankesa në total, 916 prej tyre ose 79.1 % janë ankesa të paraqitura për fazën e vlerësimit të ofertave.

Ankesat në total gjatë vitit 2018

Gjatë periudhës 1 Janar 2018 – 31 Dhjetor 2018, janë regjistruar pranë Komisionit të Prokurimit Publik 1158 ankesa në total, prej të cilave 1148 ankesa janë paraqitur për procedurat e prokurimit publik, 2 ankesa për procedurat konkurruese koncesione/PPP, 5 ankesa për procedurat e ankandit publik dhe 3 ankesa për procedurat konkurruese leje minerare. Gjatë vitit 2018 është vënë re një rritje e numrit të ankimeve administrative të paraqitura pranë Komisionit të Prokurimit Publik, krahasuar kjo me vitin paraardhës 2017, gjatë të cilit, pranë Komisionit të Prokurimit Publik janë dorëzuar 1099 ankesa. Duke krahasuar numrin e ankesave të depozituara gjatë vitit 2018, vihet re një rritje me rreth 0.94 % ndaj atyre të vitit 2017. Gjatë 2018, vijon që numrin më të madh të ankesave ta zënë ato në lidhje me procedurat e prokurimit për ofrimin e shërbimit privat të sigurisë fizike dhe shoqërim të vlerave monetare me 614 ankesa nga 1145 në total ose 53.6 % duke shënuar një rritje të vogël krahasuar me 50 % që ka qenë pesha e këtyre ankesave në vitin 2017, por që gjithsesi është një volum i madh ankesash në raport me numrin total. Gjatë vitit 2018, Komisioni i Prokurimit Publik ka vendosur mospranimin e 104 ankesave për shkak se janë dorëzuar jashtë afateve pranë KPP-së dhe/ose pranë autoriteteve kontraktore, të cilat referuar numrit total, përbëjnë rreth 9 % të ankesave të dorëzuara pranë Komisionit të Prokurimit Publik, ndërkohë që gjatë vitit 2017 kanë qenë 56 të tilla, ose rreth 5% të ankesave të dorëzuara pranë Komisionit të Prokurimit Publik. Gjatë veprimtarisë së vitit 2018 janë evidentuar gjithashtu 10 raste (ankesa) me mungesa të kushteve formale (janë paraqitur pa paguar tarifën përkatëse), krahasuar me 7 të tilla të paraqitura gjatë vitit 2017. Gjatë vitit 2018 pranë Komisionin të Prokurimit Publik janë paraqitur ankesa lidhur me vendimmarrjen për procedurat e prokurimit publik, koncensione/ppp, ankande publike dhe leje minerare për 315 autoritete kontraktore, nga 1388 të tilla, që janë të regjistruar në Sistemin e Prokurimeve Publike. Komisioni i Prokurimit Publik ka marrë vendime lidhur me ankesat e paraqitura për procedura të cilat, në total, referuar fondit limit të prokuruar, arrijnë një vlerë prej 18.828.414.336,60 lekë, nga totali prej 129.819.994.300 lekë të publikuara për prokurim, pra 14.5 % e fondit limit total të publikuar për prokurim, është shoqëruar me ankesa në procedurat përkatëse. Nga 8814 procedura të publikuara për prokurime, ankande dhe koncesione, për 840 ose në 9.5 % prej tyre janë paraqitur ankesa në KPP.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 21/04/2019 - 08:05

 Detyrimet e parapaguara ndaj administratës tatimore shënuan një rritje në vitin 2018, duke arritur rreth 108 miliardë lekë, me një rritje prej 8 miliardë lekë në raport me një vit më parë.

Postuar: 20/04/2019 - 07:51

Ashtu si pothuajse gjatë gjithë vitit 2018, edhe këtë vit mesa duket bankat do të vijojnë të mos

Postuar: 19/04/2019 - 07:20

Pas shumë muajsh kundërshtimesh nga ana e biznesit, qeveria ka shfaqur shenjat e para të një tërh

Postuar: 18/04/2019 - 07:19

Të gjithë tatimpaguesit me të ardhura në shumën mbi 2 milionë lekë duhet të dorëzojnë deklaratën

Postuar: 17/04/2019 - 07:18

Ministria e Financave dhe Ekonomisë në bashkëpunim me Sekretariatin e Këshillit të Investimeve zh

Postuar: 16/04/2019 - 07:26

Hyn në fuqi vendimi për rritjen e pagave për diplomatët, ushtarakët, mësuesit dhe policët e burgj

Postuar: 14/04/2019 - 18:45

Bankat shqiptare kanë aktualisht 2,9 miliardë euro të investuara jashtë vendit ose gati një të tr