BREAKING NEWS

Ndahet nga jeta Vito Kapo, postet e rëndësishme që ka mbajtur ndër vite në krah të Enver Hoxhës

Ndahet nga jeta Vito Kapo, postet e rëndësishme që ka mbajtur
x

Ekonomia

Qeveria bën bilancin, rritja ekonomike shkon 3,81%, përmirësohen investimet e huaja, ja prioritetet për vitin 2020

Qeveria bën bilancin, rritja ekonomike shkon 3,81%, përmirësohen

Ministrja e Financave, Anila Denaj, ka bërë dje bilancin për situatën ekonomike në vend dhe ka treguar planet për vitin 2020. Sipas ministres, rritja ekonomike në 3,81% gjatë tremujorit të tretë të këtij viti është një rezultat tepër pozitiv. Ajo tregoi se efekt pozitiv në ecurinë e ekonomisë kanë dhënë rritja e investimeve të huaja si dhe sektori i industrisë dhe ai i shërbimeve, përkatësisht me një kontribut rreth 0.67 dhe 1.3 pikë përqindje. “Rritja ekonomike e tre mujorit të tretë të vitit 2019 rezultoi me një rritje prej 3,81% krahasuar me të njëjtën periudhë të 2018. Rezulton një kontribut pozitiv i sektorit të industrisë me një rritje prej 5.85% dhe kontribut në PBB me 0.67 pikë përqindje; sektori i tregtisë, transportit, dhe shërbimeve ushqimore me një rritje prej 6.69% dhe kontribut ne PBB dhe 1.3 pikë përqindje”, tha ajo. Gjithashtu investimet e huaja rezultojnë si kontribuues pozitivë në këtë nivel të rritjes ekonomike. Sipas të dhënave të publikuara nga ministrja Denaj, për periudhën janar-shtator investimet e huaja direkte llogariten 810.2 mln euro me një rritje prej 7.3%, krahasuar me vitin e mëparshëm. Ndër ta, Denaj tregoi si një kontribuues pozitiv projektin e TAP. “Nga pikëpamja e kërkesës agregate bie në sy një rritje prej pothuajse prej 4% e konsumit final të popullatës. Ndërkohë, investimet totale në ekonomi sërish rezulton me një kontraktim të lehtë krahasuar me vjet, kryesisht në reflektim të kontraktimit të ndërtimit të lidhur me TAP. Megjithatë, Investimet e huaja direkte në 9 mujorin e vitit 2019 kanë qenë në rritje me 7.3 % në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në vlerë monetare ky fluks arrin 810.2 mln euro, pritet të tejkalohet shifra prej 1mld euro”, u shpreh Denaj. Ministrja ka folur gjithashtu për një indeks në rritje të punësimit në vend. Sipas saj, gjatë viti 2019 është rritur punësimi sidomos në sektorin e industrisë, duke shtuar këtu edhe rritjen e pagave. “Kjo performancë e ekonomisë shkon gjithashtu në linjë me performancën e tregut të punës gjatë këtij tremujori, ku norma e papunësisë njohu sërish një reduktim të konsiderueshëm. Punësimi njohu gjithashtu rritje, e ushqyer kryesisht nga rritja e shkallës së pjesëmarrjes në forcat e punës dhe me burime në rritje Industrinë dhe Shërbimet gjatë gjithë vitit dhe në Bujqësi. Disa nga treguesit kryesorë që mbështesin përmirësimin e performancës janë edhe indeksi i besimit të konsumatorit, rritja e kreditimit të konsumatorëve, rritja e punësimit dhe nivelit të pagave, indikatorë të cilët kanë pasur përgjithësisht një trend rritës gjatë të tre tremujorëve të këtij viti”, theksoi Denaj.

Prioritetet për 2020

Nga ana tjetër Denaj deklaroi se qeveria po përpiqet që i njëjti ritëm rritje të vijojë edhe në vitin 2020. Teksa tregoi synimet dhe sektorët prioritar për buxhetin e vitit të ardhshëm, ministrja tha se fokusi i qeverisë do të jetë tek investimet në vazhdimësi për çdo qytetar. “Indikatorët e synuar për buxhetin 2020 do të jenë: ulje e borxhit në nivelin prej 64.8% të PBB; deficiti brenda parametrave të vendosur prej 2.2% të PBB; investime publike në nivelin jo më pak se 4.55% PBB-së; bilanc primar pozitiv në nivelin prej 0.1% të PBB. Më lejoni të sjell në vëmendje të qytetarëve shqiptarë që, fokus i buxhetit 2020 do të jetë në çdo rast ofrimi i shërbimeve dhe realizimit të prioriteteve tona strategjike”, tha ajo. Sipas ministres, një fond rreth 4 mld lekë i buxhetit do të shkojë për në arsim, ku do të sigurohen ushqim, tekste dhe transport falas. Ndërkohë, arsimit profesional i shkon një buxhet prej 3.2 mld lekë. Shërbime spitalore me cilësi më të mira dhe çmime më të ulta është një tjetër synim i këtij buxheti. Sipas të dhënave të MFE, 62 mld lekë do të shkojnë për këtë sektor, duke përfshirë rimbursim barnash për 1000 pacientë. Realizimi një skeme efektive për kategoritë e veçanta është një tjetër pikë e rëndësishme, nga ku është përcaktuar për të përndjekurit 1 mld lekë, për ish-pronarët 4.5 mld lekë, fondin e përcaktuar për mbështetjen sociale, ndihmën ekonomike dhe pagesën për aftësi të kufizuar 21 mld lekë.

Esmeralda Hida