BREAKING NEWS

Të shtëna me armë në Durrës, dalin detajet e para

Të shtëna me armë në Durrës, dalin detajet e para
x

Ekonomia

Qeveria bllokon lejet e ndërtimit në bregdet, do të lejohen vetëm koncesionet, zbardhet projektligji

Qeveria bllokon lejet e ndërtimit në bregdet, do të lejohen

Qeveria bllokon dhënien e lejeve të ndërtimit për zonat bregdetare. Prej kohësh qeveria ka paralajmëruar se do të kthejë në normalitet zonat bregdetare pa ndërtime informale që dëmtojnë imazhin dhe natyrën bregdetare. Sakaq së fundmi Ministria e Infrastrukturës ka hartuar dhe ka nxjerrë për konsultim projektligjin e posaçëm, i cili nuk do të lejojë më dhënien e lejeve të ndërtimit në zonat bregdetare. Në relacion shpjegohet se me miratimin e projektligjit ndërtimet në këto zona do të bëhen vetëm përmes koncesioneve apo investimeve strategjike për çështje publike. Ndërsa theksohet se Agjencia Kombëtare e Bregdetit do të ushtrojë kontroll të rreptë edhe ndaj kontratave koncesionare që do të nënshkruhen për veprimtari ndërtimi, duke respektuar afatet e përcaktuara. “Pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, ndalohet dhënia e lejeve të ndërtimit në bregun e detit, me përjashtim të kontratave koncensionare/PPP, investimeve strategjike dhe ndërtimeve për infrastrukturë publike. Për ndërtimet ekzistuese në bregun e detit, pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, Agjencia kërkon nga institucionet përgjegjëse verifikimin e dokumentacionit përkatës. Agjencia verifikon në bashkëpunim me institucionet përkatëse, kontratat në fuqi të dhëna në bregun e detit. Kontratat të cilat pas verifikimit rezultojnë të rregullta mbeten në fuqi deri në përfundimin e afatit”, thuhet në relacion. Gjithashtu projektligji parashikon edhe ndëshkime me gjobë, masë ende e paparacaktuar, në rast shkelje të rregullores. Madje edhe në ato raste të ndryshimi të të dhënave të kontratës. “Kur konstaton shkeljen e dispozitave të këtij ligji, Agjencia merr masat e mëposhtme; a. vendos gjobë ndaj organeve shtetërore, qendrore apo vendore, për veprime ose mosveprime në kundërshtim me parashikimet e dispozitave të këtij ligji, si më poshtë;për mosrespektimi i detyrimit për marrjen e mendimit të Agjencisë në dhënien e lejeve, licencave dhe autoriteteve përkatëse, mosushtrimi i funksioneve të kontrollit dhe inspektimit; shtrembërimi i rezultateve të kontrollit dhe inspektimit; mosrespektimi i kërkesës së Agjencisë për ushtrimin e kompetencave ligjore; mosrespektimi i rregullave, kushteve dhe kritereve për përdorimin e pasurisë publike të patjetërsueshme”, thuhet në relacion.

Kontroll edhe në kontratat ekzistuese

Ndër të tjera ligji parashikon përshtatje me rregullat e reja dhe auditim për gjete të problematikave edhe për ndërtimet ekzistuese në bregun e detit. Kështu, menjëherë pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, Agjencia Kombëtare e Bregdetit, që do të ketë edhe rolin kryesor që zbatimin e tij, do të kërkojë nga institucionet përgjegjëse verifikimin e dokumentacionit. “Agjencia verifikon në bashkëpunim me institucionet përkatëse, kontratat në fuqi të dhëna në bregun e detit. Kontratat të cilat pas verifikimit rezultojnë të rregullta mbeten në fuqi deri në përfundimin e afatit”, thuhet më tej në relacion, çka nënkupton se në rast parregullsish do të ketë edhe revokime. Një risi tjetër e këtij projektligji prek edhe nenin për shitjen e pronës private në këto zona. Me ligjin e ri parashikohet që shteti ka të drejtë të nënshkruajë një kontratë parablerje me pronarin, brenda normave dhe limiteve që do të vendosen nga qeveria me publikimin e draftit të përfunduar. “Në rastet e shitjes së pronës private në bregun e detit, shteti ka të drejtën e parablerjes. Kriteret dhe procedurat e të drejtës së parablerjes përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave”, sqarohet në relacion. Ndërkaq në këtë projektligj evidentohet fakti se përgjegjësit dhe kompetencat më të shumta do t’i marrë Agjencia Kombëtare e Bregdetit dhe më pak bashkitë në këto zona, por sigurisht sqarohet se institucionet do të ndërveprojnë mes tyre për zbatimin e plotë të rregullores. Sakaq, i vetmi bashkëpunim me pushtetin vendor që deri më sot ka në dorë lejet e ndërtimit, do të jetë ai i verifikimit të dokumentacioneve dhe kontratave të ndërtimeve aktuale në vijën bregdetare për të shkuar në vendimin për shembje ose jo në rast parregullsish. Bashkive do t’u mbeten vetëm propozimet, dhe jo e drejta për vendimmarrje. “Bashkëpunojnë me AKB gjatë fazës së hartimit të instrumenteve të planifikimit të territorit dhe reflektojnë mendimet dhe sugjerimet e Agjencisë, në përputhje me qëllimet, objektivat dhe kriteret e menaxhimit të zonës bregdetare”, theksohet në relacion.