BREAKING NEWS

Drejtësia makthi i presidentit, pasuria miliona euro rrezikon ta bëjë subjekt të SPAK, nga vilat e 13 apartamentet, te shpenzimet mijëra paund në Londër

Drejtësia makthi i presidentit, pasuria miliona euro rrezikon ta
x

Ekonomia

Qeveria dështon me planifikimin për strehimin social, nuk përmirësohen kushtet e familjeve rome dhe egjiptiane, braktisen gratë e divorcuara dhe jetimët

Qeveria dështon me planifikimin për strehimin social, nuk

Qeveritë shqiptare kanë premtuar gjithnjë politika strehimi shpresëdhënëse për kategoritë vulnerabël të shoqërisë, por që në të vërtetë rezulton të jetë bërë fare pak, për të mos thënë aspak. Gjasat duken të njëjta edhe për 2016, pasi edhe pse po ikën gati gjysma e vitit, qeveria nuk ka bërë thuajse asgjë për strehimin social. Madje këtë e konfirmon dhe vetë Ministria e Zhvillimit Urban. Të dhënat zyrtare të publikuara në faqen e këtij institucioni tregojnë qartë dështimin të paktën në 3 muajt e parë, për trajtimin e kategorive që u nevojitet strehimi social. Siç flasin vetë të dhënat zyrtare, Ministria e Zhvillimit Urban kishte planifikuar 165 familje të komunitetit rom me kushte banimi të përmirësuara për 3 mujorin e parë të këtij viti. Rezultati është zero. Ministria ka planifikuar gjithashtu 151 banesa të ndërtuara para vitit 1993 të rehabilituara. Edhe këtu, rezultati është zero. Dikasteri i drejtuar nga Eglantina Gjermeni kishte planifikuar për 3 mujorin e parë 176 familje që trajtohen me qera financiare. Nga këto rezulton të jenë trajtuar vetëm 57 familje. E njëjta situatë vijon dhe me ndërtimin e banesave të reja sociale. Të dhënat flasin se Ministria e Zhvillimit Urban kishte planifikuar për 3 mujorin e parë të merrte 6 mijë m2 sipërfaqe ndërtimi për banesat sociale me qira. Për këtë periudhë rezulton të jetë marrë vetëm afro një e treta e planit, ose 1970 m2. Qeveria kishte parashikuar të ndihmonte për të njëjtën periudhë 20 familje njëprindërore/gra të divorcuara me fëmijë që përfitojnë bonus strehimi. Sipas të dhënave të disponuara nga ministria e Gjermenit, rezulton se për 3 mujorin e parë nuk është ndihmuar asnjë familje e tillë. Po ashtu, parashikimet flisnin për ndihmesën e 525 familjeve me bonus qeraje për strehimin. Në të vërtetë asnjë prej këtyre familjeve nuk është ndihmuar, siç tregojnë shifrat për 3 mujorin. Ndërsa me grante të menjëhershme për strehimin do të ndihmoheshin 17 familje, të cilat në fakt nuk e morën kurrë këtë përfitim. 

Premtimet e Gjermenit për strehimin 

Ministrja Eglantina Gjermeni ka premtuar se gjatë vitit 2016 do të zbatohen disa projekte që lidhen me Komunitetin Rom dhe Egjiptian. Sipas saj, një buxhet prej 107 milionë lekësh do të përdoret për ndërtimin dhe rikonstruksionin e banesave të këtij komuniteti, nga ku përfitojnë 148 familje në 9 qytete të vendit. Ndërsa në 6 qytete të tjera si: Tropojë, Malësi e Madhe, Krumë, Fushë Arrëz, Përrenjas apo Kavajë, me një fond prej 68 milion lekësh do të ndërhyhet për eficiencën e energjisë në godina banimi. Edhe për qeverinë “Rama”, ashtu si për paraardhësen e saj, strehimi social është një prioritet kyç, një çështje me ndjeshmëri dhe impakt të jashtëzakonshëm social. Madje, pavarësisht se ende nuk ka bërë asgjë për strehimin e komunitetit rom dhe egjiptian, Gjermeni ka premtuar strehim dhe për jetimët. “Ministria e Zhvillimit Urban veç programit të bonusit do të sjellë edhe projektet për përmirësimin e kushteve të kategorisë së jetimëve, ku për herë të parë do të zbatojmë një projekt pilot për trajtim me strehim të përshtatshëm të grupit të jetimëve. Kjo kategori ka vëmendjen time të veçantë për shkak edhe të background- it tim në këtë fushë”, ka deklaruar pak muaj më parë Gjermeni.