BREAKING NEWS

Kishte humbur shikimin nga tërmeti, koronavirusi i merr jetën pedagogut të njohur

Kishte humbur shikimin nga tërmeti, koronavirusi i merr jetën
x

Ekonomia

Qeveria heq TVSH për bizneset, Kuvendi miraton ligjin për faljen e taksave, shtyhet edhe afati i fiskalizimit

Qeveria heq TVSH për bizneset, Kuvendi miraton ligjin për faljen e

Pas Tatim Fitimit, qeveria ka vendosur të heqë edhe Tatimin mbi Vlerën e Shtuar për biznesin e vogël. Gjatë mbledhje së djeshme të qeverisë u vendos që të rritet pragu për pagesën e saj. Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon: “1. Në zbatim të nenit 117, të ligjit, kufiri minimal i regjistrimit për tatimin mbi vlerën e shtuar është qarkullimi prej 10.000.000 lekësh në një vit kalendarik. Personi i tatueshëm ka të drejtë të zgjedhë të zbatojë regjimin normal të TVSH-së, në përputhje me përcaktimet e nenit 120, të ligjit, nëse qarkullimi vjetor është më i madh se 5.000.000 lekë’”, thuhet në vendim. Ndërsa ditën e djeshme Komisioni i Ekonomisë ka miratuar projektligjin për zerimin e tatim-fitimit për biznesin e vogël dhe reduktimin e taksës për biznesin e madh. Ndryshimet e propozuar në projektligj i prezantoi dje zëvendësministrja e Financave, Vasilika Vjero, e cila theksoi se këto ndryshime po bëhen për të ndihmuar bizneset që të rimarrë veten pas dëmtimeve që pësuan nga pandemia. Ajo tregoi se nga falja e taksave do të përfitojnë mbi 12 mijë biznese, ndërsa efektit financiar që do të krijohet në buxhetin e shtetit shkon në 680 milionë euro. "Konkretisht sqarojmë ndryshimet që propozohen, sipas ligjit aktual bizneset me të ardhura vjetore deri në 14 milionë lekë paguan taksë me normë 5%, ndërsa biznesi me të ardhura mbi 14 milionë lekë tatohet me 15%. Kështu, duke marrë parasysh situatën e vështirë me të cilën po përballen bizneset me pasojat që la pandemia, ne sugjerojmë që pagesa e tatim-fitimit të zerohet totalisht për biznesin me të ardhura nga zero deri në 14 milionë lekë dhe të reduktohet nga 15% në 5% për biznesin me të ardhura mbi 14 milionë lekë. Mbështet 12, 257 subjekte në të gjithë vendin për rimëkëmbje pas goditjes që morën nga pandemia. Tregon edhe ndërhyrjen e qeverisë në ekonomi për përmirësim. Efekti në buxhet llogaritet rreth 680 milionë lekë. Këto të ardhura që do ti mungojnë buxhetit do të ndihmojnë biznesin për tu rimëkëmbur në këtë periudhë", tha Vjero. Sakaq ajo bëri me dije se kjo falje taksash do të jetë e përkohshme, por deri më tani nuk është i përcaktuar një afat kohor. Ndërkohë tjetër ndryshim i propozuar nga ministria ishte edhe ai i pragut të TVSH-së. Vjero tha se pragu për t'i përfshirë në skemën e TVSH do të shkojë në sigurim të ardhurash mbi 10 milionë lekë, nga 2 milionë lekë që ishte më parë.

Shtyhet fiskalizimi

Sakaq si reflektime të drejtpërdrejta të kushteve ekonomike dhe financiare të krijuara në vend pas pandemisë, Komisioni i Ekonomisë miratoi dhe shtyrjen e afatit të fillimit të efekteve të ligjit të fiskalizimit. Sipas këtij ligji afatet e procesit të fiskalizimit do të shtyhen në një vit. Vjero tha se duke qenë se procesi po shtyhet në kohë bizneset mund të vazhdojnë të përdorin taksat aktuale. "Kërkojmë ndryshime edhe për projektligjin “Për një ndryshim në ligjin nr. 87/2019, “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit" i cili projektligji ka si qëllim shtyrjen e datës së fillimit të efekteve të ligjit “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, pra nisjes së procesit të fiskalizimit nga data 1 shtator 2020 për në 1 shtator 2021 dhe se shkak i këtij ndryshimi bëhej situata e krijuar nga pandemia. Lidhur me këtë ndryshim lindte nevoja të bëhej edhe rregullim tjetër ligjor lidhur me funksionimin dhe mirëmbajtjen e pajisjeve fiskale ekzistuese deri në momentin e fillimit të efekteve të ligjit për faturën, kështu që, në vijimësi të shqyrtimit", deklaroi ajo.

Masat administrative për moslëshim kuponi

Vijimi aktivitetit pas shlyerjes së gjobës nga tatim paguesi ishte një tjetër ndryshim që miratoi sot komisioni. Konkretisht në ligjin aktual nëse biznesi nuk lëshon kupon për herë të parë gjobitet me 50 mijë lekë, në rast përsëritje mbyllet aktiviteti për 30 ditë. Sakaq dje u miratua ndryshimi që, nëse tatim paguesi e paguan këtë gjobë ai mund të hapë sërish aktivitetin edhe para 30 ditëve kalendarike nga bllokimi i biznesit. Së bashku me këtë ndryshim, Komisioni miratoi edhe ndryshime të bëra nga vetë OECD në drejtim të shkëmbimit automatik të informacionit, afati i raportimit pranë Tatimeve shtyhet nga 31 korriku 2020, i parashikuar në ligj, deri më datën 15 nëntor 2020.