Lajme të tjera
BREAKING NEWS

Vizita në Gjermani për të takuar kancelaren Merkel? Ja çfarë thotë kryeministri Rama  

Vizita në Gjermani për të takuar kancelaren Merkel? Ja
x

Ekonomia

Qeveria ligj për të reduktuar kostot nga çështjet e humbura në Arbitrazh, synohet rritja e investimeve të huaja

Qeveria ligj për të reduktuar kostot nga çështjet e

Qeveria shqiptare ka hartuar ligjin e ri për çështjet e Arbitrazhit. Vitet e fundit shteti shqiptar është detyruar të paguajë vlera të larta për shkak të çështjeve të humbura në Gjykatën e Arbitrazhit. Konkretisht bëhet me dije se në thesarin e shtetit janë depozituar 112 milionë euro fatura që duhen të shlyhen nga taksapaguesit shqiptarë si detyrim ndaj gjykatës për çështjet që kanë rezultuar në dëm të Shqipërisë. Për këtë arsye qeveria ka hartuar ligjin për arbitrazhin, përmes të cilit synohet ulja e kostove, duke i zgjedhur çështjet pa arritur në Gjykatën e Arbitrazhit. Më konkretisht në ligjin e hedhur për konsultim publik tregohet se rregullat e reja do të rrisin efikasitetin në trajtimin e çështjeve për zgjedhjen sa më parë të tyre pa qenë të detyruar të shtojnë kostot, duke theksuar se procedurat do të drejtohen sipas direktivave europiane. “Objektivi i këtij ligji është përmirësimi i procedurave të gjykimit dhe rritja e efikasitetit në trajtimin e konflikteve duke ofruar zgjidhje më efektive dhe më pak të kushtueshme, për të garantuar respektimin e të drejtave dhe lirive themelore, në përputhje me aktet e Bashkimit Europian. Synohet gjithashtu ulja e shpenzimeve dhe pakësimi i formaliteteve e burokracive, në zgjidhjen e një konflikti. Një nga argumentet më të rëndësishëm që influencon në promovimin e  arbitrazhit si një nga format alternative për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve lidhet me faktin se vendimet që sigurohen nëpërmjet tij janë vendime më të shpejta dhe kanë një kosto më të ulët në krahasim me proceset gjyqësore”, thuhet në relacion. Ndërkohë hartimi i këtij ligji pritet të sjellë ndryshime në këtë çështje pasi deri më tani mungesa e një kuadri të brendshëm ligjor që rregullon arbitrazhin në nivelin kombëtar, nuk u ka mundësuar subjekteve të së drejtës që të gjejnë rrugë alternative për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.

Nxitja e investimeve të huaja

Por inkurajimi i investimeve ndërkombëtare dhe i tregtisë është një tjetër objektiv që qeveria pret të arrijë nga ky ligj. Sipas relacionit shoqërues të projektligjit, është shumë e rëndësishme që palët e huaja të ndihen të sigurt dhe të vlerësojnë transparencën në vend për zgjidhjen e çështjeve konfliktuale, pasi kështu fitojmë besimin e tyre. Ndër të tjera në këtë mënyrë mund t’i nxisim investitorët e huaja të veprojnë në vendin tonë, gjë e cila do të kishte të mira jo vetëm në këtë drejtim, por edhe kontribut në ekonomi. “Arbitrazhi ndërkombëtar është ndërtuar me qëllimin për t’i siguruar palëve, të cilët u përkasin juridiksioneve të ndryshme, që mosmarrëveshja e tyre do të trajtohet dhe zgjidhet në mënyrë neutrale. Palët që janë pjesëmarrës në një marrëveshje ndërkombëtare të arbitrazhit kërkojnë që arbitri, të mos jetë i lidhur me asnjë prej rendeve juridike kombëtare në konflikt si dhe të mos ketë ndikime prej tyre. Për zgjidhjen e mosmarrëveshjes, ata kërkojnë aplikimin nga arbitra të rregullave proceduralë ndërkombëtare neutrale. Gjithashtu dhe garantimi i parimit të barazisë së palëve në proces  ndikon në rritjen e investimeve të huaja në vend”, thuhet në relacion.

Ndikimi në çështjet ekonomiko-shoqërore

Ndër të tjera në relacion thuhet se qëndrimi tradicional i bizneseve, por edhe i shoqërisë shqiptare për t’iu drejtuar gjykatave, në vend të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve me metoda të tjera alternative vjen si pasojë e një njohje të ulët juridike, prandaj futja në sistem e këtij ligji është e nevojshme. Por gjithashtu arbitrazhi dhe në përgjithësi mënyrat alternative për zgjidhjen e konflikteve përbën një fenomen të ri dhe mbetet ende i panjohur për shoqërinë shqiptare. Për shkak të influencës së faktorëve ekonomiko-shoqërorë të tranzicionit në vendin tonë, shoqëria shqiptare, por kryesisht edhe bizneset karakterizohen nga një mungesë e theksuar e besimit në sistemin e drejtësisë të gjykatave shqiptare. Dhe si pasojë kanë qenë të pakta rastet në të cilat shoqëria shqiptare apo dhe bizneset t’i drejtoheshin Arbitrazhit për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në kushtet që sistemi i drejtësisë sigurohet me vështirësi nga shteti, analizojnë ekspertët. Sakaq, Neni 21 parashikon rastet e ndalimit në pjesëmarrje në gjykim, në mënyrë që të garantohet paanshmëria dhe pavarësia  e tij në një procedurë arbitrazhi. Konkretisht në relacion thuhet se, në rast se arbitri bëhet i paaftë ose i pamundur për të përmbushur funksionet e tij, palët ose vetë arbitri kanë të drejtë të kërkojnë përfundimin e detyrës së arbitrit.