BREAKING NEWS

Tjetër rrjedhje/ Tronditet Kryemadhi, largohet ish deputeti i njohur i LSI dhe i bashkohet PS, vjen reagimi i fortë i tij: LSI një klub në Tiranë që mbush televizionet me sharje. Eksperimenti i kësaj partie ka mbaruar

Tjetër rrjedhje/ Tronditet Kryemadhi, largohet ish deputeti i njohur i LSI
x

Ekonomia

Qeveria miraton vendimin, 996.5 milionë lekë për pronarët e prekur nga ndërtimet informale në 17 zona territoriale

Qeveria miraton vendimin, 996.5 milionë lekë për pronarët e

Në mbledhjen e fundit Këshilli i Ministrave ka miratuar fondit për shpërblim të pronave që preken nga ndërtimet informale. Ky vendim është bërë publik në faqen zyrtare të qeverisë ku jepen detajet mbi vlerën që do shpërndahet dhe sipërfaqen që do kompensohet. Gjithashtu në këtë vendim janë përcaktuar edhe zonat të cilat përfitojnë nga fondi i vënë në dispozicion. Referuar të dhënave në dokument, shuma që do të jepet për kompensim të ish-pronarëve e kalon vlerën e 996 milionë lekëve. “Miratohet vendimi për kompensimin financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme që preken nga ndërtimet e legalizuara Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 24, të ligjit nr. 20/2020, “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”, dhe të nenit 10, të ligjit nr. 133/2015, “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave vendosi: që masa e kompensimit është 114 230,8 m² dhe vlera e përgjithshme e kompensimit financiar është 996. 582. 030 lekë, sipas shtojcës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij”, theksohet në vendim. Sakaq vendimi bën të qartë se, fondi që do të jepet për kompensim të këtyre pronave është alokuar nga të ardhurat që kanë mbledhur bashkitë e pronarëve përfitues përmes procedurave të kalimit të pronësisë për këto ndërtesa që janë legalizuar. Pra të ardhura të krijuara brenda për brenda këtyre çështjeve pa sjellë efekt shtesë në buxhet. “Për kompensimin e pronarëve përdoren po ato të ardhura që arkëtohen nga drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, si rrjedhojë e kalimit të pronësisë nëpërmjet shitjes së parcelës ndërtimore, si për pasuritë shtetërore edhe për pasuritë e të tretëve, në favor të objekteve informale që legalizohen”, sqarohet në dokument.

Ja kush përfiton

Ndër të tjera sqarohet se, do të bëhet kompensimi i pronave për ata pronarë që i përkasin bashkive: Tiranë, Fier, Vlorë, Sarandë, Lezhë e tjerë, por sigurisht duke u identifikuar edhe nga numri rendor i çdo prone, ku kategoritë përfituese janë paraqitur në vendim. “Kompensimin financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, për sipërfaqet takuese, të zëna nga ndërtimet e legalizuara në drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës: Durrës, Elbasan, Lushnjë, Tiranë Rurale 1, Tiranë Veri, Tiranë Jug, Kamzë-Vorë, Vlorë, Gjirokastër, Fier, Sarandë, Korçë, Lezhë, Kavajë, Kukës, Zonat e Stimuluara dhe Tiranë Rurale 2. Për kompensimin financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme, që preken nga ndërtimet e legalizuara për pasuritë me numrat rendorë, përkatësisht: nr.1, nr.41, nr.43, nr.58, nr.76, nr.88, nr.89, nr.125, nr.139, nr.140, nr.141, nr.146, nr.148, nr.155, nr.174, nr.178, nr.183, nr.194, nr.199, nr.204, nr.206, nr.207, nr.213, nr.214, nr.215, nr.222, nr.229, nr.231, nr.232, nr.234, nr.235, nr.236, nr.238, nr.239, nr.240, nr.283, nr.285, nr.304, nr.326, nr.329, nr.330, nr.335, nr.336, nr.345 dhe nr.352”, thuhet në vendim. Kësisoj sipas seksionit të veçantë shuma e kompensimit financiar vihet në dispozicion nga Agjencia e Trajtimit të Pronave, sipas pikës 3, të nenit 24, të ligjit nr.20/2020, “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”. Drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës së çdo bashkie duhet të kryejnë ndryshimet përkatëse për këto pasuri, në regjistrat e pasurive të paluajtshme. Ndërkohë bëhet e ditur se ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren Zyrtare” dhe ngarkohen Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Agjencia e Trajtimit të Pronave për zbatimin e këtij vendimi.