BREAKING NEWS

Reagon Ambasada e Francës me ‘notë proteste’ MJP për deklaratat e forta të kryeministrit: Rama po sulmon vendet mike dhe aleate, Bashkimi Evropian është donatori më i madh në Shqipëri

Reagon Ambasada e Francës me ‘notë proteste’ MJP për
x

Ekonomia

Raporti i BSH, investimet e huaja ranë me 13.7 për qind, problem sektori prodhues, bankar dhe ai i energjisë

Raporti i BSH, investimet e huaja ranë me 13.7 për qind, problem

Investimet e huaja direkte u reduktuan shumë gjatë 2020. Goditja që u dha pandemia të gjithë vendeve të prekura sigurisht që do të reflektonte edhe në investimet e huaja në Shqipëri, për shkak të pasigurisë dhe klimës së dëmtuar të biznesit. Në një raport të publikuar nga Banka e Shqipërisë thuhet se gjatë këtij viti investimet e huaja kanë rënë me 13.7%. Kjo rënie e madhe ka ardhur për shkak se sektorët që zënë pjesën më të madhe të investimeve u dëmtuan tepër. Konkretisht sektori i energjisë, ai i industrive prodhuese dhe sistemi bankar patën një përmirësim të lehtë gjatë tre mujorit të dytë, por në terma vjetorë shënuan tkurrje të ndjeshme. Sektori i energjisë erdhi më me shumë se 2019 dhe e kishte të pamundur rikuperimin dhe tërheqjen e investimeve gjatë 2020. Madje shpesh ndërkombëtarët i kanë tërhequr vëmendje qeverisë që të investojë më shumë në këtë sektor dhe ta përmirësojë, duke qenë se është dominuesi në tërheqjen e investimeve të huaja. “Për 9-mujorin 2020, Shqipëria thithi në total 691 milionë euro investime të huaja, në rënie me 13.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Investimet e huaja direkte për vitin 2020 janë në rënie për shumicën e sektorëve që kanë dominuar në vitet e fundit. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se rënia është më e theksuar sidomos te industria nxjerrëse, te energjetika dhe tek shërbimet bankare e financiare. Në sektorin e energjisë investimet e huaja edhe për tremujorin e tretë, me një shumë totale prej 68 milionë eurosh, në rritje me tre milionë euro krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Megjithatë, edhe në rastin e energjetikës bilanci vjetor është negative, me investime totale në vlerën e 229 milionë eurove, 14% më pak krahasuar me 9-mujorin 2019”, thuhet në raportin e BSH.

Dëmtimi i sektorit prodhues dhe bankar

Sipas raportit mbyllja e dyerve me tregtinë e huaj ka shkaktuar gjithashtu humbje shumë të mëdha, sidomos në sektorin prodhues. Të dhënat e bankës tregojnë se gjatë këtij viti kanë pësuar krizë të madhe call centerat dhe fasoneritë, që zënë gjithashtu një pjesë të madhe në përthithjen e investimeve të huaja. Në po këtë trend rënës kanë ecur gjithë vitin edhe sektori i pasurive të luajtshme, pavarësisht se në përqindje më të ulët tkurrja e investimet ka qenë e ndjeshme. “Paraqiten në rënie investimet edhe në degët e shërbimeve të lidhura me aktivitetet profesionale, teknike dhe shërbimet mbështetëse, që përgjithësisht mbizotërohen nga shërbimet e llojit call center. Në rënie të ndjeshme për 9-mujorin 2020 paraqiten investimet në ndërtim dhe sektorin e pasurive të paluajtshme, çka duket në kontrast me ecurinë mjaft dinamike të këtyre sektorëve ekonomikë edhe në kushtet e krizës. Megjithatë, këta sektorë në përgjithësi dominohen nga investitorët vendas”, theksohet në raport. Kësisoj bëhet me dije se edhe sektori financiar, i cili kontribuoi në qëndrueshmërinë e vendit gjatë pandemisë, nuk mundi të mbante po këtë rezultat në përthithjen e investimeve të huaja. Sipas BSH investimet e huaja në këtë sektor ranë me 3.3% në parametra vjetorë dhe madje u ulën me 18% në krahasim me tre mujorin e dytë. “Sektori financiar vazhdon të jetë një nga burimet kryesore të investimeve të huaja dhe në tremujorin e tretë solli 28 milionë euro investime, 18% më pak krahasuar me tremujorin e tretë 2019. Për 9-mujorin, investimet në këtë sektor kishin vlerën e 88 milionë eurove, në rënie të lehtë me 3.3% krahasuar me një vit më parë. Investimet në sektorin financiar lidhen sidomos me sektorin bankar dhe rritjen periodike të kapitaleve të injektuara nga investitorët e huaj, në funksion të rritjes së institucioneve financiare, por edhe të kërkesave rregullatore për kapital”, sqaron raporti i BSH.