BREAKING NEWS

Telefonata që i habiti të gjithë në studio! Zbulohet kush është modelja shqiptare që i ka marrë mendjen Silvio Berlusconit!

Telefonata që i habiti të gjithë në studio! Zbulohet kush
x

Ekonomia

Raporti i BSH, pritet rënia e ndjeshme e kreditimit në 2021, problem ulja e konsumit

Raporti i BSH, pritet rënia e ndjeshme e kreditimit në 2021, problem

Banka e Shqipërisë jep alarmin për rënie të ndjeshme të ekonomisë në 2021. Në raportin e publikuar së fundmi BSH tregon se, në tremujorin e katërt të 2020 bankat në vend kanë reduktuar numrin e huadhënieve për bizneset, familjet dhe individët. E gjithë kjo ka ardhur për shkak se bankat vërejnë pamundësi nga bizneset për të shlyer të paktën kreditë e vjetra, prandaj nuk do të japin kredi të reja qoftë edhe për arsye rikuperimi. Sipas analizës së BSH, tkurrja e kredidhënieve rrezikon kreditimin e ekonomisë, një nga indikatorët kryesorë për të rinisur rikuperimin. “Rënia e kërkesës për kredi, prej pesë tremujorësh me radhë, në këndvështrimin e bankave, është udhëhequr nga rreziku më i lartë i perceptuar për situatën makroekonomike në vend e perspektivën për të. Bankat shtrënguan standardet e kreditimit ndaj bizneseve në tremujorin e katërt të vitit 2020. Zgjatja e pandemisë globale dhe e pasigurive që ajo përcjell në rimëkëmbjen ekonomike, ka rritur shqetësimet e bankave lidhur me aftësinë paguese apo gjendjen aktuale të bizneseve e perspektivën e tyre në të ardhmen. Këto zhvillime i kanë bërë bankat të jenë më të kujdesshme në terma të tolerancës ndaj rrezikut në miratimin e kredive të reja për bizneset. Këta faktorë kanë sjellë vlerën më të lartë negative të balancës për standardet e kreditimit për bizneset”, thuhet në raport. Bankat shprehen skeptike jo vetëm ndaj bizneseve, por edhe në dhënien e kredive për individët. Sipas BSH, në tremujorin e tretë ata kanë shfaqur një rënie të lartë të aftësisë paguese dhe në shqyrtimet e kryera tregohet se edhe për 2021 individët janë pesimistë për borxhin që kanë ndaj bankave. Madje, bankat që tani ndihen të rrezikuara për shkak të tolerimeve që kanë bërë ndaj individëve sa i përket afatit për shlyerjen e kredive. “Për individët, kushtet e ofertës për kredi ishin të lehtësuara në tremujorin e katërt, si për standardet ashtu edhe për kushtet në miratimin e kredive. Kjo përqasje e bankave ndaj kreditimit për individët, prej dy tremujorësh tashmë, është përcaktuar nga treguesit e lidhur me rrezikun e perceptuar për individët dhe tolerancën e bankave ndaj këtij rreziku. Bankat iu mundësuan atyre një kohëzgjatje më të lartë për maturitetin e kredisë së kërkuar. Nga ana tjetër, kërkesa për kredi vijon të perceptohet e ulët, si nga bizneset ashtu edhe nga individët”, thekson raporti.

Efektet e konsumit

Niveli i konsumit është një nga treguesit i cili parqet situatën ekonomike në vend dhe në 2020 ky tregues pësoi rënie të ndjeshme. Sipas BSH, për aq kohë sa bizneset dhe individët nuk kanë aftësi paguese dhe i druhen pandemisë, rënia e konsumit do të vijojë edhe për 2021. Ndërsa evidentohet se rënia e konsumit është e qartë që vjen nga dobësimi i të ardhurave dhe ulja e remitancave. “Pasiguria në nivele ende të larta dhe rënia e të ardhurave të disponueshme janë faktorët kryesorë që kanë penguar rikuperimin e plotë të konsumit privat në tremujorin e tretë. Rënia e konsumit përgjatë gjithë vitit 2020 ka penguar aktivitetin ekonomik dhe ka penguar qarkullimin e parasë, që do jepte kontribut të lartë në këto përmasa”, thuhet në raport. Ndërsa bëhet e ditur se kjo situatë do të vijojë edhe për tre vitet në vazhdim, për shkak të pasigurisë. “Familjet, bizneset e vogla e të mesme kanë janë gjendur në vështirësi financiare gjatë vitit 2020, si pasojë e efekteve të pandemisë. Të ardhurat e tyre janë cenuar nga situata e krijuar dhe mbyllja e aktivitetit ekonomik, që solli rënie të xhiros për sipërmarrjen, rritje të papunësisë dhe më pak të ardhura në xhepin e konsumatorëve. Ekonomia shqiptare shënoi recesion, niveli i papunësisë erdhi në rritje, bizneset dhe familjet përjetuan vështirësi financiare dhe premisat e rritjes së pagave dhe të kthimit të inflacionit në objektiv u zbehën. Aktiviteti ekonomik, në vend dhe në botë, ka qenë e vijon të mbetet nën efektin negativ të pandemisë COVID-19”, evidenton BSH.