BREAKING NEWS

Gjykata e Posaçme merr vendimin final, dënon me burg ish-gjyqtarin e njohur Luan Dacin

Gjykata e Posaçme merr vendimin final, dënon me burg ish-gjyqtarin e
x

Ekonomia

Raporti i Financave, 36.2 miliardë lekë humbje në arkën e shtetit gjatë këtij viti, problem Doganat dhe Tatimet

Raporti i Financave, 36.2 miliardë lekë humbje në arkën e

Arka e shtetit vazhdon të pësojë humbje të thella në çdo muaj. Që prej marsit kur filloi pandemia qeveria shqiptare është detyruar të rrisë shpenzimet në një bilanc shumë më të lartë se të ardhurat e grumbulluara. Në fakt muaj pas muaji të ardhurat kanë rënë ndjeshëm dhe kanë futur në krizë buxhetin e shtetit. Ministria e Financave ka publikuar së fundmi raportin e 10 mujorit ku të ardhurat regjistrojnë 36.2 miliardë lekë rënie në krahasim me një vit më parë. Madje, sipas raportit, të ardhurat kanë pësuar tkurrje të ndjeshme edhe në krahasim me parashikimin e fundit të qeverisë, të bërë në korrik pas rishikimit për herë të dytë të aktit normativ. Ndërsa nga ana tjetër shpenzimet kanë pësuar rritje me 22.6 miliardë lekë krahasuar me 10 mujorin e vitit të shkuar, rritje kjo që nuk ishte parashikuar në planin fillestarë të 2020. “Të ardhurat totale për 10-mujorin e vitit 2020 u realizuan në masën 347 miliardë, me rënie 36.2 miliardë lekë krahasuar me 10 mujorin e vitit 2019, kur arka e shtetit mblodhi 383.6 miliardë lekë, duke e marrë përsëri goditjen më të madhe nga të ardhurat tatimore që mblidhen nga TVSH, tatim-fitimi apo të ardhurat personale. Shpenzimet e përgjithshme publike, për 10-mujorin e vitit 2020, arritën në 412.65 miliardë lekë me një realizim në masën 89.6 % të planit të periudhës, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019 ky zë ka rezultuar 5.8 % më i lartë ose rreth 22.6 miliardë lekë më shumë”, thuhet në raport. Gjithashtu tabelat me të dhënat fiskale të publikuar nga MFE tregojnë se, niveli i deficitit në muajin e dhjetë të vitit 2020 rezultoi në rreth 65.5 miliardë lekë nga rreth 107.6 miliardë lekë i planifikuar. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ku niveli i deficitit arriti në masën rreth 6.6 miliardë lekë, për periudhën 10 mujore të vitit 2020 deficiti rezulton 58.8 miliardë lekë më shumë. Grafiku i mëposhtëm tregon tendencat e treguesve kryesorë të buxhetit të shtetit.

Rrënohen Tatimet dhe Doganat

Doganat dhe Tatimeve vazhdojnë të japin performancë shumë të keqe dhe të rrënojnë arkën e shtetit. Referuar raportit të ministrisë nga 36 miliardë lekë minus në buxhet, 32 miliardë lekë humbje janë shkaktuar nga Drejtoria e Tatimeve dhe ajo e Doganave. Këto dy zëra kanë përkeqësuar performancën e tyre dhe në raport me planin fillestar të qeverisë. “Të ardhurat e arkëtuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave (përfshirë edhe Kontributet e mbledhura nga DPT), u vlerësuan në masën 304.6 miliardë lekë, 32.2 miliardë më pak ose -9.6% krahasuar me vitin 2019, si dhe 3.45 miliardë ose 1.1% më pak se plani vjetor (i rishikuar sipas AN 28) për vitin 2020”, thuhet në raport. Sipas ministrisë, 81 miliardë lekë janë të ardhurat nga TVSH-ja në import me një rënie prej 9%, ndërsa të ardhurat nga akciza ishin 36 miliardë lekë me tkurrje 7%. Nga ana tjetër kanë zbritur me 20.6 miliardë lekë të ardhurat tatimore, ku peshën kryesore në mosrealizimin e planit e zë mosrealizimi i Tatimit mbi Fitimin dhe Tatimi mbi të Ardhurat Personale. “Për shkak të shtyrjes së kësteve të pagesës së tatimit mbi fitimit në ndihmë të biznesit, këto të ardhura janë realizuar 7.4 miliardë lekë më pak se 10 mujori 2019. Faktori kryesor në mosrealizimin e Tatimit mbi të Ardhurat Personale është reduktimi i numrit të të punësuarve dhe reduktimi i kohëzgjatjes së punës, nga ana e tatimpaguesve si pasojë e COVID 19”, argumenton ministria. Ndërsa shpenzimet për këta dy zëra kanë pësuar rritje të menjëhershme si pasojë e nevojës që lindi nga kriza ekonomike që solli pandemia. Ndërkohë edhe shpenzimet korrente dhe ato kapitale, kanë shënuar një realizim respektivisht në masën 96.8% dhe 85.4% të planit të periudhës. Ndërkohë që, në terma vjetorë ato janë realizuar përkatësisht në, 77.8 % dhe 64% të planit vjetor.