BREAKING NEWS

Koronavirusi në Shqipëri, Ministria e Shëndetësisë përditëson të dhënat: Ja sa persona janë konfirmuar pozitivë në 24 orët e fundit

Koronavirusi në Shqipëri, Ministria e Shëndetësisë
x

Ekonomia

Raporti i FMN, ekonomia pritet të tkurret me 7.5 për qind për shkak të pandemisë, kërkohet kujdes me borxhin dhe PPP

Raporti i FMN, ekonomia pritet të tkurret me 7.5 për qind për

Ekonomia e Shqipërisë do të tkurret me 7.5 për qind gjatë 2020. Ky është vlerësimi i fundit i Fondit Monetar Ndërkombëtar për vendin tonë. Në muajt e parë që vendi ynë u fut në izolim dhe në vijim ndërkombëtarët dhanë paralajmërime të forta për një krizë të thellë ekonomike, ndërsa nivelin e tkurrjes e përcaktuan në 5%. Por me sa duket periudha pas izolimit po i shfaq pasojat e vërteta, FMN tregon se ekonomia shqiptare e ka rritur nivelin e tkurrjes në gati 3% më shumë. Sipas FMN mungesa e remitancave dhe goditja në turizëm sollën këto pasoja, duke çuar në 7% deficitin dhe 80% borxhin publik. “Për shkak të varësisë ndaj turizmit dhe ndaj dërgesave të emigrantëve, ekonomia parashikohet të tkurret me rreth 7,5% në vitin 2020. Deficit fiskal parashikohet të rritet në rreth 7 për qind të PBB-së dhe borxhi publik pak mbi 80 për qind të PBB-së deri në fund të vitit 2020”, thuhet në deklaratën e FMN. Sipas Fondit, krahas një pandemie botërore më të rëndë, risqet kryesore vijnë nga deficitet dhe borxhi i rritur publik, dobësitë në financat publike dhe nga një nivel relativisht i lartë i kredive me probleme. Menaxhimi i këtyre risqeve mes pasigurive të mëdha do të kërkojë mbështetjen e vazhdueshme sidomos për të reduktuar borxhin publik. FMN tregon se një nga lëvizjet që duhet të bëjë qeveria për uljen e borxhit është reduktimi i detyrimeve të prapambetura, sidomos ato të rimbursimit të TVSH. Pasi këto detyrime që vazhdojnë të akumulohen po dëmtojnë më shumë biznesin dhe nuk po lënë hapësira për shlyerjen e stokut. “Autoritetet duhet të shmangin krijimin e detyrimeve të reja të prapambetura të shpenzimeve buxhetore dhe në rimbursimin e TVSH-së dhe t’i qëndrojë planit për shlyerjen e stokut ekzistues. Këto detyrime të prapambetura, jo vetëm që cenojnë klimën e biznesit dhe besimin tek qeveria, por dëmtojnë edhe flukset monetare të bizneseve në një kohë kur tashmë janë nën trysni për shkak të krizave. Po të kemi parasysh nivelin e rritur të borxhit dhe nevojat e larta bruto për financim, duhen rritur përpjekjet për të përmirësuar menaxhimin e likuiditetit dhe të borxhit dhe forcuar sistemin financiar”, theksoi FMN.

Kujdes me PPP

Nga ana tjetër FMN e ka vënë theksin tek menaxhimi i koncesioneve, duke i cilësuar si një nga risqet kryesore të krizës ekonomike. Fondi tregon që monitorimi i tyre nuk ka qenë i mjaftueshëm, por duhet të thellohet më tej. Ndërsa ka kërkuar që duhen shmangur kontratat e shumta koncensionare, FMN kujton se ministria duhet të rishikojë detyrimet që ato krijojnë të cilat kanë ndikim të drejtpërdrejtë në buxhet dhe rritje të stokut. “Ritheksojmë thirrjen që kemi bërë për një proces të unifikuar për përgatitjen, prioritizimin dhe vlerësimin e të gjitha projekteve të investimeve publike, përfshirë edhe partneritetet publike-private (PPP). Përdorimi i PPP-ve me propozim të pa kërkuar duhet të vazhdojë të parandalohet. Nevojiten përpjekje të forta për të vlerësuar dhe menaxhuar me rigorozitet jo vetëm ndikimin e drejtpërdrejtë në buxhet, por edhe detyrimet e kushtëzuara që lindin nga PPP-të. Ligji për PPP-të me të drejtë ka fuqizuar rolin e filtrit që luan Ministria e Financave dhe Ekonomisë cila duhet të rrisë kapacitetet për të përmbushur këtë detyrë të rëndësishme”, deklaroi FMN. Sipas Fondit, ka gjasa që, Korporata Shqiptare e Investimeve do të sjellë risqe të reja fiskale kur të fillojë nga puna.

Ja si mund të rimëkëmbet ekonomia

Sipas FMN, sinjalet nuk janë fort pozitive për muajt e ardhshëm të këtij viti, por mënyra e vetme për t’i rimëkëmbur në 2021 është miratimi dhe zbatimi me përpikëri të një strategjie afatmesme fiskale. Sa për amnistinë fiskale që ka miratuar qeveria për bizneset FMN, sugjeron të jetë e përkohshme dhe vëmendja të kalojë në bashkëpunimin me bizneset dhe të rritet transparenca. “Mbështetja për njerëzit dhe për bizneset e cenuara nga këto kriza është e përligjur, por duhet të jetë e përkohshme, me përfitues të identifikuar, si dhe të jetë objekt i transparencës dhe i llogaridhënies. Theksojmë rëndësinë e përfundimit, miratimit dhe fillimit të zbatimit të një strategjie solide afatmesme për të ardhurat në vitin 2021, pas konsultimeve të nevojshme publike”, sugjeron FMN. Fondi thotë që vetëm krijim i kësaj strategjie do të normalizojë nivelin e të ardhurave dhe do të reduktojë informalitetin në ekonomi. Prandaj sistemi tatimor duhet të jetë më i thjeshtë, më transparent, por nuk duhet të vazhdojnë më tepër lehtësirat fiskale për bizneset. “Një sistem tatimor më i drejtë, më i thjeshtë, më efikas dhe më transparent mund ta fuqizojë mobilizimin e të ardhurave buxhetore, duke përmirësuar ndërkohë klimën e investimeve dhe duke ulur informalitetin. Përgatitja në proces e një strategjie afatmesme për të ardhurat ofron një mundësi të mirëpritur për të shqyrtuar dhe riprojektuar në mënyrë të gjithanshme sistemin tatimor dhe duhet të vijojë pa vonesa të mëtejshme”, tregoi FMN.