BREAKING NEWS

Italia më pak të vdekur 727 persona, 2937 të infektuar më shumë dhe 1118 të shëruar

Italia më pak të vdekur 727 persona, 2937 të infektuar më
x

Ekonomia

Raporti i KLSH, miliona lekë dëme nga rimbursimi i barnave dhe skadimi i tyre

Raporti i KLSH, miliona lekë dëme nga rimbursimi i barnave dhe skadimi

Miliona lekë dëme u regjistruan nga keqmenaxhimi i fondeve për rimbursim të barnave dhe shpërndarjen e tyre në vitin 2019. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka publikuar së fundmi raportin me rezultate e nxjerra gjatë auditimeve të kryera në lidhje me ecurinë e Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor. Auditimet në këtë zë janë fokusuar në: efektet financiare nga keqmenaxhimi i fondeve të programuara për shpenzime operative, lidhur me shkeljet ligjore, me marrjen e angazhimeve deri në mungesën e kontrolleve për të mbajtur kostot buxhetore në nivelin e programuar, apo shkelje të tjera të disiplinës buxhetore lidhur me likuidimin e shpenzimeve. Sakaq rezultatet e auditimeve tregojnë se dëmi i shkaktuar nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor arrin në vlerën e 1,528,800,000 lekëve. Referuar të dhënave të raportit evidentohet se, në shumën e dëmeve pjesa më e madhe është shkaktuar nga shtimi i vlerës për rimbursim të barnave. Duke regjistruar të njëjtin nivel dëmesh edhe qarkullimi i mallrave të skaduara. Respektivisht, regjistrohen 574 milionë lekë dëme nga rimbursimi i barnave dhe 109 milionë lekë nga barnat e skaduara, që qarkullojnë në tregun farmaceutik në vend. Duke theksuar se kjo vlerë vlen vetëm për vitin 2019. “Nga vlera totale e dëmeve, rezulton se, 574 milionë lekë u krijuan, si pasojë e një rritje të shpenzimeve të rimbursimit në skemën e rimbursimit duke kaluar nga 10,453,000 mijë lekë të planifikuara në vlerën 11,027,054 mijë lekë. Vlera 109.8 milionë lekë, si pasojë e mosmarrjes së masave për minimizimin e qarkullimit të barnave të skaduara dhe mungesës së ushtrimit të një kontrolli mbi sasitë e barnave në mbyllje dhe hapje të periudhës me hyrjen e LBR së re”, thuhet në raport. Ndër të tjera në raport theksohet se një vlerë e konsiderueshme dëmesh është shkaktuar edhe si pasojë e neglizhencës së zyrave përgjegjëse për ndërprerjes në kohë të kontratave për rimbursim. Çka do të thotë se janë bërë shpenzime të panevojshme për rimbursime që ishin ndërprerë me kohë. “Vlera 13 milionë lekë, si pasojë e dërgimit me vonesë të vendimit të marrë nga KSHA në njësitë shpenzuese dhe subjektet ankimuese për ndërprerjen e kontratave respektive, duke krijuar rimbursim edhe pas marrjes së vendimit dhe krijimin e efekteve financiare negative në buxhetin e njësive vartëse të FSDKSH”, thekson KLSH.

Shkelje me kontratat

Dëmet e konstatuara në këtë zë përfshijnë edhe shkeljet që kanë të bëjnë me çështjet ligjore. Sipas KLSH, 306 milionë lekë dëme janë shkaktuar si pasojë e shpenzimeve mbi parashikimet për kontratën koncesionare të “Shërbimit të Integruar të Furnizimit të Setit të Personalizuar të Instrumenteve Kirurgjikale Sterile dhe Furnizim me materiale Mjekësore Sterile”. Ndër të tjera bëhet e ditur se me fondin e sigurimeve për kujdesin shëndetësor kanë abuzuar edhe privatët që ofrojnë shërbime përmes kontratave me qeverinë. Ndërkaq 287 milionë lekë dëme konstatohen si pasojë e lidhjes së kontratave me spitalet private pa një proces të rregullt vlerësimi të plotësimit të kritereve dhe me efekt paraveprues si dhe mungesë monitorimi dhe analize duke patur dhe rënien e rasteve të ofrimit të shërbimit të dializës me 49%. Duke vazhduar me 168 milionë lekë, si pasojë e mosveprimit të strukturave shtetërore, vijohet të paguhen kosto për shërbim të pakryer dhe shpenzime të pandodhura, por edhe që ky shërbim të trajtohet me TVSH, duke sjellë një kosto shtesë të konsiderueshme. Në këtë raport theksohet fakti se, mungon një udhëzues i qartë mbi të cilin monitorohet ky lloj shërbimi dhe kontrolle reale në terren dhe si pasojë hapja e pastudiuar e këtij shërbimi ka krijuar detyrime të prapambetura në fund të vitit 2018. Gjithashtu, 71 milionë lekë dëme rezultojnë, si pasojë e diferencave të inventarëve dhe 236,672 mijë lekë të padeklaruara nga shitja e mallrave.