BREAKING NEWS

Obama, Melinda Gates dhe Fauci mbikqyrësit e laboratorit të Wuhanit në 2015 kur Bill Gates paralajmëroi rrezikun nga virusi

Obama, Melinda Gates dhe Fauci mbikqyrësit e laboratorit të Wuhanit
x

Ekonomia

Raporti i KPP, mbi 1 mijë ankesa për cilësinë e tenderave, Autoriteti Rrugor në krye të listës

Raporti i KPP, mbi 1 mijë ankesa për cilësinë e tenderave,

Operatorët ekonomikë kanë dorëzuar mbi 1 mijë ankesa pranë Komisionit të Prokurimit Publik gjatë vitit që lamë pas. Në raportin vjetor 2019 që ka publikuar KPP së fundmi mbi ankesat dhe veprimtarinë e këtij institucioni, tregohet se në total janë dërguar 1052 ankesa, ku dominuese ishin ankimimet në lidhje me procedurat e vlerësimit të operatorëve, që përbënin 80% të totalit dhe pjesa tjetër konsideronin si aspak të drejtë kriteret e vendosura për tenderat. Ndërkohë evidentohet se në total vlera e ankimuar arrin shifrat e mbi 30 miliardë lekëve. “Për vitin 2019, nga 1052 ankesa në total, 211 prej tyre ose 20% janë ankesa të paraqitura për dokumentet e tenderit dhe 841 ankesa ose 80% e tyre, janë ankesa të paraqitura për fazën e vlerësimit të ofertave. Nga 7384 procedura të publikuara për prokurime me vlerë totale prej 110.664.365.109 lekë, për 715 prej tyre me vlerë prej 30.431.663.339 lekë janë paraqitur ankesa në Komisionin e Prokurimit Publik”, thuhet në raport. Në ankesat e paraqitura për dokumentet e tenderit numri më i madh ishte për pakënaqësi ndaj rregullave për përcaktimin e fondit limit, pasi nuk zbatohen kriteret e vendosura në ligj. “Konstatohet se 45.05 % e ankesave të administruara pranë Komisionit të Prokurimit Publik gjatë vitit në raportim, lidhen me procedurat me fond limit nga 1,000,001 lekë pa përfshirë vlerën e TVSH deri në 5,000,000 lekë pa përfshirë vlerën e TVSH. Njoftojmë se deri më tani Komisioni i Prokurimit Publik nuk mban asnjë pjesë të të ardhurave të arkëtuara nga ankimuesit e pasuksesshëm”, thuhet në raport. Kjo do të thotë se ankesat për këtë çështje i kanë vjelë më shumë të ardhura këtij institucioni, pasi në rastet e aprovimit të kërkesave shuma i kthehet operatorit. Gjithsesi sipas të dhënave, në vitin 2019 ankesat për prokurimet publike kanë futur mbi 85 miliardë lekë në arkën e shtetit, ndërsa një pjesë më e vogël i është kthyer operatorëve. “Në shumat e tarifave të paguara për vendime të marra nga Komisioni i Prokurimit Publik gjatë vitit 2019, shuma prej 55,456,123 lekë i është kthyer operatorëve ekonomikë ankimues, të cilëve u është pranuar ankesa në bazë të vendimeve të marra deri në datën 31 Dhjetor 2019, ndërsa shuma prej 85,074,375 lekë, që rezulton nga vendimet jo në favor të ankimuesve, ka kaluar në buxhet të shtetit”, theksohet në raport.

Ja cilat autoritete kanë marrë më shumë ankesa

Më lartë thamë se ankesat për përcaktimin e fondit limit përbëjnë përqindjen më të madhe, që gjithashtu kanë edhe efekt financiar me vlera më të larta. Në raportin e KPP vërehet se në krye të listës për këto kërkesa qëndron Autoriteti Rrugor Shqiptar, i ndjekur nga Agjencia e Blerjeve të Përqendruara. Sipas të dhënave të tabelës me numrin e ankesave për këtë zë paraqitet se vlerën më të lartë të fondit limit e ka ARRSH, me vlerë totale 9,631,713,078 lekë. Ky institucion qëndron në krye të listës edhe për ankesat e bëra për punë. “Përsa i përket, procedurave të prokurimit të llojit “Punë Publike”, nga përllogaritjet rezulton se janë shqyrtuar 135 ankesa ose 13% e ankesave në total. Në tabelë me njëzet autoritetet kontraktore që kanë numrin më të lartë të ankimeve për këtë lloj procedure numri më i lartë i ankesave ka ardhur për ARRSH me 7 ankesa vetëm për këtë çështje”, theksohet në raport. Sa i takon ankesave në fazën e vlerësimit të ofertave raporti zbulon arsyet e dhëna nga bizneset ku së pari është cilësuar skualifikim i padrejtë dhe i pabazuar në ligj dhe në rregullat e prokurimit i ankimuesit nga ana e autoriteteve kontraktore për mospërmbushje të kritereve kualifikuese ose specifikimeve teknike. Së dyti kualifikim i padrejtë dhe i pabazuar në ligj dhe në rregullat e prokurimit i ofertuesve të tjerë të ndryshëm nga ankimuesi duke u anashkaluar kërkesat e vendosura nga vetë autoritetet kontraktore; së treti mosrespektimi i afateve dhe procedurave të kualifikimit dhe përzgjedhjes nga autoritetet kontraktore, duke kërkuar anullimin e procedurës.