BREAKING NEWS

Publikohet përditësimi më i fundit i Ministrisë së Shëndetësisë, zbardhet shifra: Ja sa të infektuar me koronavirus u shënuan ditën e sotme

Publikohet përditësimi më i fundit i Ministrisë së
x

Ekonomia

Raporti i MFE, borxhi publik gjatë tremujorit të parë u rrit me 372 milionë euro, 15% mbi kufirin maksimal

Raporti i MFE, borxhi publik gjatë tremujorit të parë u rrit me

Niveli i borxhit publik ka vijuar me trend rritës edhe për këtë vit. Goditja që mori vendi ynë nga fatkeqësitë natyrore detyruan qeverinë të marrë më shumë hua dhe borxhi publik nisi të ngrihej në ritme të shpejta. Gjithsesi, rritja në këto tre muaj të parë të vitit 2021 ka qenë shumë më lart se niveli i rritjes në të gjithë vitin 2020. Sipas të dhënave të bëra publike, në periudhën janar-mars borxhi publik në vend u rrit me 372 milionë euro, një rritje me 41% më shumë se viti 2020. Borxhi është rritur edhe përtej pritshmërive të Ministrisë së Financave, madje më shumë se gjysma e nivelit që ishte parashikuar është arritur brenda tre muajve. “Stoku i borxhit publik u rrit në janar-mars me 45,7 miliardë lekë ose rreth 372 milionë euro. Kjo ishte rritja më e fortë për një periudhë kaq të shkurtër dhe është sa rreth 41 për qind të gjithë shtesës së borxhit gjatë vitit pandemik 2020 (në 2020-n stoku i borxhit u rrit me rreth 112 miliardë lekë, në raport me 2019-n). Në total stoku i detyrimeve publike arriti në rreth 1.26 trilionë lekë, nga 1.24 trilionë lekë që ishte në fund të vitit 2020. Të dhënat tregojnë se janë konsumuar vetëm në tre muaj gjysmën e sasisë vjetore të borxhit të ri që ishte planifikuar ketë vit”, theksohet në raport. Financat sqarojnë se, mbajtja nën kontroll e borxhit publik përbën një sfidë më vete dhe një nga sfidat prioritare për këtë vit, sepse përcakton dhe ecurinë e ekonomisë në vitet e ardhshme. Ndërsa theksohet me tej se, rritja e vazhdueshme ka filluar që pas tërmetit të vitit 2019 që gjeti të papërgatitur ekonominë, ku nga 1 trilion e 113 miliardë lekë që ishte në fund të vitit 2019, shkoi në 1 trilion e 270 miliardë lekë në 2020, me një shtesë prej 157 miliardë lekësh brenda 15 muajve.

Shkaqet kryesore

Të dhëna më të detajuara të Ministrisë së Financave tregojnë se, dy shkaqet kryesore që borxhi u rrit kaq shumë në kaq pak kohë janë huatë që qeveria ka marrë në këta muaj për të nisur rikuperimin ekonomik. Konkretisht, huaja prej 90 milionë eurosh që u mor për të përforcuar sistemin shëndetësor dhe një tjetër 82 milionë euro që u mor për të mbështetur financiarisht zhvillimin e turizmit, përgatitje të cilat kanë filluar që në muajt e parë të 2021. Ndër të tjera sqarohet se, rritja e borxhit është ndikuar edhe nga luhatjet e kursit të këmbimit si dhe nga ndikimi i borxhit të brendshëm. “Rritja e borxhit në këtë periudhë është stimuluar nga dy kredi të mëdha. Njëra me vlerë 90 milionë euro nga Komisioni Europian për zbutjen e pasojave të rënda ekonomiko-sociale që krijoi pandemia Covid-19 dhe tjetra kredi prej 82 milionë euro e IBRD për mbështetjen e turizmit dhe infrastrukturës. Më tej një rritje prej rreth 50 milionë eurosh është krijuar nga rivlerësimi i kursit të këmbimit dhe pjesa tjetër prej 18 miliardë lekësh rreth 150 milionë euro është huaja shtesë që u mor në tregun e brendshëm”, evidenton raporti.

Ndikimi nga detyrimet e prapambetura

Ministria vë në dukje se detyrimet e prapambetura janë krijuar nga entet publike. Sipas të dhënave, këto detyrime pësuan një akumulim të lartë që nga viti 2020, kur nuk mundën të shlyheshin as gjysma e tyre dhe vijojnë pasojat në 2021. Financat tregojnë se, detyrimet e prapambetura arritën në 23.8 miliardë lekë në vitin 2020 me një zgjerim prej 5.7% në krahasim me vitin 2019. Ndërsa, stoku i detyrimeve të prapambetura në nivel lokal arriti në rreth 7 miliardë lekë, në rënie vjetore me rreth 15.2%, apo rreth 1.2 miliardë lekë më i ulët se niveli i shënuar në fund të vitit 2019. Në nivel bashkie, rreth 53% e stokut të detyrimeve të prapambetura në fund të vitit 2020 mbartet nga 8 bashki. Niveli më i lartë i stokut të detyrimeve të prapambetura u regjistrua në Bashkinë Tiranë me rreth 762 milionë lekë, ose 11% ndaj stokut total në fillim të 2021. Rreth 55% e këtyre detyrimeve janë për investime.