BREAKING NEWS

Më në fund ‘zhbllokohet' Gjykata e Lartë/ Zgjidhet nënkryetari që do të ketë kompetencat e kryetarit, ja kush emërohet

Më në fund ‘zhbllokohet' Gjykata e Lartë/ Zgjidhet
x

Ekonomia

Raporti i MFE, institucionet 52 milionë euro borxhe, në shtator parashikohet të nisë rimëkëmbja ekonomike

Raporti i MFE, institucionet 52 milionë euro borxhe, në shtator

Entet publike në vend vazhdojnë të rrisin nivelin e borxhit edhe për 2020. Pak kohë më parë, në vlerësimin për muajt e fundit të 2019 gjithashtu ministria tregoi se niveli i borxhit nga institucionet ishte i lartë. Ndërkohë në raportin më të fundit të Ministrisë së Financave jepet një analizë e përgjithshme e buxhetit 2020 për 3 mujorin e parë. Sakaq në raport evidentohet fakti se edhe në këtë fillimviti institucionet publike kanë shtuar borxhin, duke e çuar në 52 milionë euro vlerën totale të kostos. Shifra të cilat nuk janë aspak pozitive për situatën ekonomike ku ndodhemi. “Në tre muajt e parë të viti, institucionet publike kanë krijuar 1.4 miliardë lekë apo 11.3 milionë euro detyrime të prapambetura ndaj bizneseve dhe individëve, duke e çuar faturën totale të borxhit ku përfshihen edhe detyrimet stok në rreth 6.5 miliardë lekë apo 52.2 milionë euro deri në fund të marsit 2020”, thuhet në raport. Ashtu si edhe në raportin e mëparshëm, në pikën për stoqet e krijuara nga institucionet vërehet se sërish një pjesë e konsiderueshme e faturës së përgjithshme i përket proceseve gjyqësore. “4 miliardë lekë janë vendime gjyqësore që buxheti i shtetit duhet të paguajë në favor të palëve fituese për ish-punonjës të larguar nga puna apo për dëmshpërblime për prishje objektesh nga ana e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit”, theksohet në raport. Më tej në raport tregohet se shifra të larta të detyrimeve të prapambetura vërehen në Ministrinë e Infrastrukturës me afro 1.7 miliardë lekë, e ndjekur nga Ministria e Brendshme. Ndërsa sa i takon detyrimeve të krijuara rishtazi, vlerën më të lartë e zë Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, e cila ka akumuluar 648.3 milionë lekë detyrime të reja vetëm në tre muajt e parë të vitit për vendime gjyqësore lidhur me rimbursimin e TVSH, ndërsa në total arrin shifrën e 728 milionë lekëve duke përfshirë edhe të prapambetura. “Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë raporton që detyrimet e krijuara janë 1.72 miliard lekë progresiv deri në mars 2020. Ministria e Brendshme, stoku i detyrimeve deri në mars 2020 është në vlerën 1.15 miliard lekë”, thuhet në raport.

Parashikimet e MFE për pjesën e dytë të 2020

Ashtu sikur edhe u paralajmëruar disa javë më parë, Ministria e Financave ka rishikuar edhe njëherë projektbuxhetin e vitit 2020. Ndryshe nga sa prirej, përveç një dobësimi të ndjeshëm të ekonomisë në këto muaj, parashikimet shfaqen më pozitive për 5 muajt e fundit të vitit. Periudhë për të cilën qeveria parashikon të rinisë rimëkëmbjen ekonomike. Në rishpërndarjen e re buxhetore të treguesve të të ardhurave ka MFE ka ulur planin e arkëtimeve mujore nga prilli deri në gusht në raport me buxhetin fillestar, por në muajt nga shtatori deri në dhjetor plani i të ardhurave mujore rritet më shumë se buxheti fillestar. Ndërkaq vetëm për shtatorin pritet rritje me 4,3% e të ardhurave në buxhetin e shtetit. “Në shtator do të grumbullohen 41,9 miliardë me një rritje 4.3 për qind në raport me buxhetin fillestar. Në muajin tetor plani i të ardhurave buxhetore është 45,6 miliardë lekë ose 2.2 për qind më i lartë se plani fillestar, në tetor bizneset do të paguajnë 4,5 miliardë lekë më shumë se programi fillestar apo 10% më shumë, ndërsa në dhjetor do të paguajnë 4% më shumë me një total prej 51,8 miliardë lekësh”, theksohet në raport. Ndërsa deri më tani nga përpilimi i fundit i të dhënave ministria tregon se plani i të ardhurave është shkurtuar me 20 miliardë në krahasim me buxhetin fillestar. Ndërkohë për muajin që lamë pas financat presin të arkëtojnë 7,2 miliardë lekë më pak se buxheti fillestar, me një rënie 17 për qind në raport me planin e fillim vitit. Gjithashtu rënia e të ardhurave në raport me parashikimin fillestar do të jetë – 2,5 % në qershor, -1,9 në korrik dhe -1.8 për qind në gusht.