BREAKING NEWS

Pandemia e Covid-19/ Rama del në konferencë online, tregon si është situata: Mbyllja e vendit do të...

Pandemia e Covid-19/ Rama del në konferencë online, tregon si
x

Ekonomia

Raporti i Moody’s, lehtësirat fiskale do të sjellin pasoja në ekonomi, problemet e pronave dhe informaliteti kyçe për financat

Raporti i Moody’s, lehtësirat fiskale do të sjellin pasoja

Qeveria shqiptare duhet të rrisë formalitetin në ekonomi për të realizuar synimet e 2021. Ndryshe nga organizatat e tjera, agjencia e vlerësimit të ekonomisë Moody’s ka dhënë sinjale pozitive për ekonominë shqiptare, por sigurisht shoqëruar me sugjerime, të cilat ndajnë vendin tonë nga kufiri i një krize të pandreqshme. Në një raport të publikuar së fundmi Moody’s parashikon se, ekonomia shqiptare do të bjerë me 7.1% gjatë 2020 dhe nëse gjithçka ecën sipas planeve do të fillojë rimëkëmbjen në 2021, për të mbërritur në një përmirësim të dukshëm vetëm në vitin 2023. Përmes këtij raporti agjencia i kërkon qeverisë shqiptare të jetë e kujdesshme në ecurinë e detyrimeve të prapambetura që krijojnë sidomos institucionet shtetërore, si dhe të zgjidh sa më parë problemet që kanë krijuar zvarritjet me çështjen e pronave. Sipas, Moody’s këto janë disa metoda që do të rrisin formalitetin në ekonomi dhe do mund të rikuperojnë sistemin fiskal, pas dobësimit që ai do të pësojë me lehtësirat e fundit që ndërmori qeveria për t’u ardhur në ndihmë bizneseve. “Autoritetet duhet punojnë për një strategji afatmesme të mobilizimit të të ardhurave. Ndryshimi i fundit në Ligjin Organik të Buxhetit, që synon një balancë primare të paktën zero nga 2023 e tutje, do të ankorojë konsolidimin fiskal në periudhën afatmesme e afatgjatë. Gjatë 2021 duhen vënë në zbatim dhe të jenë në fokus; hapat e ndërmarra për të parandaluar shpenzimet e tepërta para zgjedhjeve, krijimi i një kuadri monitorimi për të parandaluar akumulimin e përsëritur të detyrimeve të prapambetura dhe progresi i bërë në zgjidhjen e pretendimeve për pronat, ndihmojnë në kufizimin e riskut fiskal në të ardhmen”, thuhet në raport. Sipas Moody’s zgjidhja e problemeve të lartpërmendura do të përthithë më shumë investime të huaja dhe të brendshme, për të cilat vendi sot ka më shumë nevojë se kurrë. Në këto kushte edhe bizneset do të rifitojnë sërish besimin dhe do vijojnë rregullisht me aktivitetet e tyre. “Përparimi në reformimin e sektorit të energjisë, heqja e pengesave administrative, forcimi i mjedisit rregullator dhe gjyqësor,veçanërisht adresimi i dobësive në zbatimin e kontratave dhe të drejtat e pronës, si dhe trajtimi i ekonomisë informale do të përmirësonte perspektivat për investim, ndërsa klima e biznesit forcohet”, theksohet në raport.

Kujdesi me evazionin fiskal

Në rishikimin më të fundit, agjencia ndërkombëtare e vlerësimit Moddy’s konfirmon për Shqipërinë vlerësimin aktual në “B1”, si dhe me perspektivën e qëndrueshme, pra në të njëjtin nivel të para disa muajve, kur bëri një zhvlerësim në nivel për shkak të krizës së shkaktuar nga pandemia. Gjithsesi edhe në këtë rast si një nga mundësitë për zbutjen e krizës agjencia thekson reduktimin e evazionit fiskal. “Pandemia e koronavirusit ka prekur Shqipërinë për shkak të kufizimeve të brendshme, si dhe prej ndikimit që pati në tregti dhe remitanca, faktorë të konsumit privat. Tronditja erdhi kur Shqipëria po fillonte të rikuperohej nga tërmeti i nëntorit 2019 dhe u përkeqësua nga lidhjet e forta tregtare dhe financiare të vendit me Italinë. Kushtet e forta e të qëndrueshme ekonomike në vitet e fundit dhe përpjekja e përbashkët nga autoritetet për të luftuar ekonominë informale kanë përmirësuar tregun e punës, por goditja e koronavirusit ka pasur një ndikim edhe në këtë aspekt. Prandaj vlerësohet se vazhdimisht qeveria duhet të vijojë me politikat kundër informalitetit”, thuhet në raport. Agjencia shpjegon se ndryshimet në sistemin fiskal do të ketë përkeqësim të përkohshëm të tij, pasi është e pamundur të shmanget rritja e borxhit publik deri në fund të 2020. Megjithëse kuadri fiskal është forcuar, rreziqet fiskale mbeten. Ndikimi i pandemisë së koronavirusit do të rëndojë në financat publike, duke përmbysur përkohësisht përmirësimin e tyre në vitet e fundit.