Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Raporti vjetor, borxhi në Tatime arrin në 95.5 mld lekë, rimbursimin i TVSH mbetet problem në raport me sipërmarrjen

Postuar: 21/04/2019 - 08:05

 Detyrimet e parapaguara ndaj administratës tatimore shënuan një rritje në vitin 2018, duke arritur rreth 108 miliardë lekë, me një rritje prej 8 miliardë lekë në raport me një vit më parë. Duke ju referuar të dhënave nga administrata tatimore peshën më të madhe në këto borxhe e zë Tatimi mbi Vlerën e Shtuar me 37 %, i ndjekur nga tatim fitimi me 28% dhe më pas vijnë detyrimet e papaguara nga sigurimet shoqërore me 13 % të vlerës. Vetëm detyrimet e papaguara për efekt të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në vitin që lamë pas u zgjeruan me 2.6 miliard lekë. Ajo që vlen të përmendet në këtë shifër është fakti se pjesa më e madhe e këtij borxhi vjen nga institucionet publike, ku shoqëritë e ujësjellësit që janë pjesë e pushtetit vendor mbajnë një peshë kryesore. Por jo vetëm. Në këtë borxh përfshihen edhe ato biznese që kalojnë në status pasiv duke ngrirë pagesën e detyrimeve ndaj tatimeve. Ekspertë të sigurimeve ngrenë shqetësimin se krijimi i këtij borxhi ka përmasa të pamatshme, për shkak se i mohohen vitet e punës për efekt pensioni individëve të punësuar. Ndonëse këto borxhe janë pjesë e mbledhjes me forcë nga ana e tatimeve, duket se tashme fenomeni i mospagesës nga institucionet publike është kthyer në një kërcënim për skemën e pensioneve, për të cilin ende nuk po gjendet zgjidhja. Një pjesë e mirë e shoqërive të ujësjellës kanalizimeve nuk gjenerojnë fitim, çka ka futur në një spirale borxhesh mijëra të punësuar. Për shkak edhe të rëndësisë së aktivitetit të këtyre shoqërive, shteti nuk mund të ndërhyjë për ti bllokuar punën e tyre.

Menaxhimi i borxhit

Menaxhimi i borxhit gjatë vitit 2018 është mbështetur në objektivat strategjikë dhe është përqendruar në garantimin e mbledhjes së detyrimeve të prapambetura, duke siguruar respektimin e të drejtave të tatimpaguesve, uljen e ekspozimit ndaj rreziqeve dhe në të njëjtën kohë, evidentimit sa më real të gjendjes së borxhit tatimor. Gjatë vitit 2018 janë ndërmarrë një varg iniciativash për funksionin e mbledhjes, me fokus forcimin e kuadrit ligjor, përmirësimin e proceseve të punës, lehtësimin e proceseve të komunikimit me tatimpaguesit me qëllim ndjekjen e menjëhershme të borxhit të ri, duke parandaluar kthimin e tij në borxh të vjetër për mos përshkallëzimin e stokut të borxhit aktual. Gjatë vitit 2018 është implementuar në sistemin [email protected] dhe në E-filing funksionaliteti “Akt Marrëveshja me Këste”, modul aktualisht i disponueshëm për të gjithë përdoruesit. Implementimi i këtij moduli vjen në zbatim të nenit 77 e vijues i Ligjit Nr. 9920 datë 19.05.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar. Ligji ka përcaktuar rrethanat për të cilat tatimpaguesi mund të kërkojë lidhjen e marrëveshjes të pagesës me këste të detyrimit tatimor të papaguar, kushtet që duhen përmbushur për lidhjen e kësaj marrëveshje, ndjekjen dhe zbatimin e saj.

Rimbursimin i TVSH

Rimbursimi i TVSH vijon të mbetet një shqetësim i administratës tatimore në marrëdhënien e saj me sipërmarrjen, çka pranohet dhe nga kjo e fundit. Megjithatë, Tatimet thonë se viti që lamë pas, shënoi cilësi si në drejtim të përmirësimit të procedurës së rimbursimit (rimbursim në bazë të riskut), uljes së numrit të kontrolleve tatimore për rimbursim dhe në drejtim të shumës së rimbursuar e më konkretisht; Gjatë vitit 2018 pati një rritje të numrit të kërkesave për rimbursim nga 941 kërkesa në vitin 2017, në 987 kërkesa ose 5 % më shumë se viti i kaluar; Gjatë 2018 u rimbursuan 14.4 miliardë lekë TVSH, krahasuar me vitin e kaluar, kjo shifër e shprehur në % është 9,3% më shumë se në vitin e kaluar apo 1.2 miliardë lekë më shumë; Gjatë vitit 2018, 25% e kërkesave është miratuar pa kontroll, praktikë kjo e bazuar në analizën e riskut implementuar në fillim të vitit 2017 dhe e rishikuar me rregulloren “Për rimbursimin e TVSH-së mbështetur në analizën e Riskut” të miratuar më datë 23.03.2018. Në vitet e kaluara numri i kërkesave që rimbursoheshin pa kontroll përbënte 5% të tyre.

Referimet për veprat penale

Gjatë vitit 2018, Drejtoria e Hetimit Tatimor është angazhuar në parandalimin dhe zbulimin e rasteve të evazionit fiskal. Gjatë vitit 2018 ka patur 308 referime në organet hetuese për raste të tilla. Në lidhje me zbatimin e rregullores, mbi vlerësimin tatimor të tatimit mbi të ardhurat personale për të ardhurat e padeklaruara dhe të patatuara të individëve, Drejtoria e Hetimit Tatimor ka dërguar pranë DRT-ve 17 raste për procedurën e vlerësimit tatimor dhe përllogaritjen e tatimeve të papaguara. Gjithashtu ka patur disa raste ku vetë shtetasit kanë bërë vetëdeklarim dhe pagimin e detyrimeve afërsisht në vlerën 34.429.020 lekë. Ndërkohë, trajtimi i denoncimeve/ ankesave është pjesë e detyrave funksionale të strukturave të hetimit tatimor. Ndjekja e ankesave bëhet brenda një kohe sa më të shkurtër duke ruajtur të dhënat konfidenciale të denoncuesit. Gjatë 2018, pranë Drejtorisë së Hetimit Tatimor kanë mbërritur nga burime të ndryshme rreth 980 denoncime, prej të cilave janë ezauruar 876 (90%) dhe nga denoncimet e trajtuara në fund të kontrolleve të ushtruara janë konstatuar rreth 258 (30%) e subjekteve me shkelje tatimore.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 26/05/2019 - 09:27

Banka Qendrore Evropiane ka bërë të ditur se shumë shpejt do të dalin në qarkullim kartmonedhat e reja prej 100 dhe 200 euro.
 

Postuar: 26/05/2019 - 07:59

Autoriteti i Konkurencës do të vijojë të mbajë nën monitorim të vazhdueshëm tregun e sigurimeve p

Postuar: 25/05/2019 - 07:35

 Rreth 13 mijë banesa dhe troje në të gjithë vendin të ndërtuara pas vitit 1991, janë të par

Postuar: 24/05/2019 - 17:13

Gjatë ditës së sotme një euro u këmbye sot me 122.4 lekë, duke rënë me 0.21 lekë në raport me dit

Postuar: 24/05/2019 - 07:19

“Kush ka një banesë më të madhe, do të paguajë më shumë taksë prone”.

Postuar: 23/05/2019 - 12:05

Investimet e huaja në fushën e transportit si dhe mbështetja që Qeveria Gjermane i ofron vendit t

Postuar: 23/05/2019 - 07:31

Agjencia Shtetërore e Kadastrës, do të bashkëpunojë me njësitë e qeverisjes vendore për për