Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Rezervat e Shtetit abuzime me shitjen e makinave të konfiskuara, ja skemat që i shkaktuan mbi 1 miliard lekë dëme në buxhetin e shtetit

Postuar: 14/09/2018 - 07:28

 Në Rezervat e Shtetit bëhen abuzime të mëdha me shitjen për skrap apo për qarkullim, të automjeteve të ndryshme të konfiskuara, për çka rezulton se i është shkaktuar buxhetit të shtetit një humbje mbi 1 miliard lekë. Në këtë konkluzion ka dalë së fundmi Kontrolli i Lartë i Shtetit, pas një auditimi të zhvilluar në këtë institucion për periudhën kohore 4 vjeçare 2014-2017. Nisur nga kjo, KLSH pritet të përcjellë raportin përfundimtar të auditimit si indicie penale në organin e Prokurorisë, duke i kërkuar veçanërisht këtij organi thellimin e hetimeve penale në lidhje me çështjen e shitjes, nga DPRMSH dhe degët rajonale të Rezervave, të rreth 5,200 automjeteve të ndryshme për skrap, për të cilat nga përllogaritjet e grupit të auditimit rezulton se i është shkaktuar buxhetit të shtetit një humbje potenciale prej minimalisht 100,000,000 lekë.

Mospërcaktimi i peshës së metaleve me ngjyrë

KLSH thotë në raportin e tij se nga auditimi konstatohet se DPRMSH nëpërmjet ankandeve të realizuara, ka shitur për skrap rreth 5,200 mjete të ndryshme (autovetura dhe kamionë) me peshë totale prej 4,732 ton. Në përcaktimin e vlerës fillestare të ankandit për shitje në formë skrapi të këtyre mjeteve motorike nuk është përcaktuar pesha e metaleve me ngjyrë, të cilat zënë rreth 10 % të peshës totale të skrapit të shitur. Mosrespektimi i bazës ligjore nga autoriteti shitës, ka sjellë si pasojë të ardhura potenciale të munguara në Buxhetin e Shtetit në vlerën prej 100 milionë lekë të rinj. “Rezultoi që e gjithë pesha e makinës është shitur si metal pa ngjyrë (hekur) i cili ka çmimin më të ulët të të gjithë metaleve dhe që varion sipas bursës përkatëse nga 23 lekë deri në 30 lekë për kg, ndërsa metalet me ngjyrë kanë çmime disa herë me të larta, si p.sh skrapi i bakrit ka çmimin nga 600-700 lekë/kg dhe skrapet e aluminit, duraluminit, plumbit, shkojnë nga 130-170 lekë kg, ose me një mesatare prej 220 lekë/kg. Mosrespektimi i standardeve të mësipërme nga autoriteti kontraktor lë shteg për abuzime si, nxjerrja në tregun informal të pjesëve të këmbimit dhe të ardhura të munguara në vlera të konsiderueshme për buxhetin e shtetit pasi çmimet e metaleve me ngjyrë janë disa herë më të larta se vlera e skrapi i hekurit. Nga sa më sipër arrijmë në konkluzionin, që nëpërmjet mënyrës se si DPRMSH ka përllogaritur vlerën fillestare të ankandit të makinave të shitura për skrap, buxhetit të shtetit i është shkarkuar një humbje potenciale minimalisht rreth 100,000,000 lekë. (4,732 ton x 10 % x 220 lekë/kg).

Mosçregjistrimi i mjeteve të shitura për skrap

Nga auditimi i KLSH është evidentuar gjithashtu mosrespektim i akteve ligjore dhe nënligjore, mangësi në lidhjen e kontratave dhe mos bashkëpunim më Avokaturën e Shtetit në lidhje me hartimin e kontratave të ankandit për shitjen e mjeteve për qarkullim dhe për skrap të cilat kanë vlera të konsiderueshme nga 5 deri 40 milionë lekë, duke sjellë si pasojë që, mjetet në formë skrapi të shiten pa marrë asnjë konfirmim në se janë çregjistruar nga DPSHTR. Kjo mënyre veprimi lë shteg për tjetërsim të mjeteve nga objekt skrapi në mjete për qarkullim apo edhe favorizim për veprimtari të jashtëligjshme dhe kriminale. “Mos dorëzimi i dokumentacionit për çregjistrim krijon kushte të favorshme për tjetërsimin e mjeteve nga mjete për skrap në mjete për qarkullim, veprim i cili përbën shkelje të rendë të “Kodit rrugor” dhe krijim mundësish për përfitime të paligjshme nga subjektet e shpallura fituese në ankandet e shitjes së mjeteve”, evidenton KLSH.

Ankande me vlerë më të madhe se çmimi i bursës

KLSH ka zbuluar ndër të tjera se Rezervat e Shtetit kanë zhvilluar disa ankande me objekt “Shitjen e automjeteve për qarkullim”, por llogaritja e vlerës fillestare ankandit është bërë e gabuar, për pasojë vlera është ulur padrejtësisht 50 %, duke sjellë si pasojë të ardhura të munguara për buxhetin e shtetit në vlerën prej 12,580,000 lekë. KLSH akuzon Drejtorinë e Përgjithshme të Rezervave Materiale të Shtetit, se nuk ka marrë masa të plota për zbatimin ligjor që rregullon veprimtarinë e saj ekonomiko-financiare, zbatimin e procedurave të prokurimit publik, zhvillimin e ankandeve dhe kryerjen e inventarëve,e konkretisht: Sistemet e kontrollit të brendshëm nuk kanë funksionuar në disa komponentë të tij si moskryerjen e plotë të inventarëve fizike dhe të mjeteve të konfiskuara sipas dispozitave të “Kodit Rrugor”. Mos dokumentimi i mjeteve të mësipërme në aktivet e institucionit të konvertuara minimalisht në skrap në sasinë prej 17,000 kg, ka sjellë si pasojë të ardhura të munguara që do realizoheshin nga shitja e tyre në vlerën rreth 595,000 lekë.

Makinat pa dokumentacion

Nga auditimi, për vitet buxhetore 2014,2015,2016 dhe 2017, me objekt “Mbi administrimin e marrjes në dorëzim të mjeteve të konfiskuara nga Drejtoritë Rajonale të Policisë së Shtetit dhe vazhdimësia e procedurave të tyre”, rezultoi se, shumë mjete gjenden në pikat e bllokimit dhe ato të ruajtjes, në Komisariate apo në Drejtoritë e Policive Vendore për shkaqe, penale ose administrative, të cilat jo vetëm nuk janë dorëzuar në kohë, por janë pranuar nga DRRMSH, me mangësi në dokumentacionin shoqërues të kërkuar. “Nga auditimet e praktikave shkresore dhe dosjeve fizike, u evidentua se, me gjithë miratimet dhe ndryshimet e akteve të mësipërme, situata vazhdon të jetë kaotike, pasi nga ana e Policisë së Shtetit, nuk disponohen dokumentacione shoqëruese për mjetet e bllokuara për arsye penale ose administrative. Këto mjete pasi qëndrojnë për një kohë relativisht të gjatë në pikat e bllokimit të Drejtorive të Policive Vendore, dalin jashtë funksionit për qarkullim, deri në degradim si hekurishte. Nga ana e DPRMSH, këto mjete merren në çdo kohë dhe në çdo formë, me dokumentacion jo të plotë, në disa raste edhe pa dokumente përkatëse, si dhe në disa raste pa kuadruar dokumentacionin me gjendjen fizike të mjeteve si nga pala dhënëse dhe ajo marrëse, në kundërshtim me aktet ligjore e nënligjore dhe administrative të mësipërme, si dhe me ligjin nr.10296, datë 07.08.2010 “Për menaxhimin financiar dhe kontrollin”,me pasojë të ardhura të munguara në buxhetin e shtetit, duke krijuar në këtë mënyrë dritë hije për abuzime dhe mashtrime nga të dyja palët”, thotë raporti i KLSH. 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 6

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 18/11/2018 - 07:45

 Dy muajt e fundit të këtij viti, për të gjithë bizneset që tregtojnë me pakicë do të ketë kontrolle intensive nga ana e strukturave të hetimit tatimor.

Postuar: 17/11/2018 - 07:30

 Monedha e përbashkët ka vijuar tendencën rënëse përgjatë ditëve të fundit, e cila ka qenë e

Postuar: 16/11/2018 - 12:28

Monedha e përbashkët ka shënuar një tendencë të lehtë rënëse përgjatë ditëve të fundit, e cila ka

Postuar: 16/11/2018 - 07:18

Amerikanët marrin në dorë një nga sektorët më problematikë në vend, hidrokarburet.

Postuar: 15/11/2018 - 07:22

U finalizua marrëveshja për mirëmbajtjen e tubacionit të gazsjellësit në Shqipëri.

Postuar: 15/11/2018 - 07:21

Banka e Shqipërisë tashmë nuk është në gjendje që të marrë vendime, pasi 6 anëtarëve të Këshillit

Postuar: 14/11/2018 - 07:11

 Projektet e mëdha rrugore të planifikuara për t’u ndërtuar nëpërmjet kontratave me Pa