BREAKING NEWS

Koronavirusi në Shqipëri, Ministria e Shëndetësisë përditëson të dhënat: Ja sa persona janë konfirmuar pozitivë në 24 orët e fundit

Koronavirusi në Shqipëri, Ministria e Shëndetësisë
x

Ekonomia

Rregullat e reja për ndërtimet, socialistët i “bllokojnë” ligjin qeverisë, deputetët përplasen me Artan Shkrelin në komision

Rregullat e reja për ndërtimet, socialistët i

Rregullat e reja të qeverisë për ndërtimet kanë ngecur në mes. Prej vitesh në vendin tonë janë shtuar problematikat me ndërtimet informale. Pas nisjes së procesit të legalizimit të gjithë banesave që janë ndërruar më parë pa leje qeveria ka vendosur të ashpërsojë masat për ata që shkelin ligjin për ndërtim, me qëllim që pas finalizimit të legalizimeve të mos përsëritjen më shkeljet e bëra më parë. Kështu, zv/ministri i Infrastrukturës, Artan Shkreli, ka prezantuar dje në Komisionin për Veprimtarinë Prodhuese dhe Mjedisin ndryshimet e bëra në ligjin “Për planifikimin dhe rregullimin e territorit”. Ndërsa po shqyrtohej çdo risi e ligjit, Shkreli tregoi një nga rregullat më të rëndësishme, nënshkrimin e kontratës 10-vjeçare të sigurimit mes shoqërive siguruese dhe shoqërisë së ndërtimit. Pikërisht kjo risi në nenin 45 të ligjit ka ndezur debatet mes anëtarëve të komisionit dhe ministrisë. Konkretisht ishte deputeti i PS, Ilir Beqaj, ai i cili ka kritikuar ministrinë për mungesë saktësie në rregulla. Shqetësimi i ngritur nga Beqaj kishte të bënte me afatet e sigurimit dhe kalimin e kontratës nga shitësi tek blerësi. “Ju keni përcaktuar një afat të detyrueshëm 10-vjeçar për kontratën e sigurimit, por nuk keni përcaktuar se si mund të kalojë kontrata nga shitësi tek blerësi. Sepse, për shembull pas gjashtë vitesh nga lidhja e kontratës dhe pasi ka mbaruar ndërtimi dhe investimi në objekt, sh.p.k e ndërtimit do t’ia kalojë në banesë dhe ky i fundit si zotërues banese e shet më vonë tek dikush tjetër, atëherë si kalohet kontrata nga një zotërues tek tjetri, pasi në të kanë ndikim investimet e bëra në objekt si dhe afati që një pjesë e mirë tashmë ka kaluar”, deklaroi Beqaj. Sakaq Shkreli u përgjigj se kalimi i kontratës do të bëhet me kalimin e letrave të pronësisë, por duke theksuar se momentalisht nuk kanë detaje të tilla dhe nuk janë përcaktuar rregullat për këto raste specifike. Kështu me këmbënguljen e Beqajt, si dhe më kritikat që dha relatorja Gjermeni, komisioni vendosi të mos e miratojë këtë nen, por ta kalojë për një shqyrtim tjetër duke kërkuar ndihmën e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare.

Skepticizëm mbi nivelin dysheme për prishje objekti

Neni tjetër i shumë diskutuar nga anëtarët e komisionit edhe në mbledhjen e parë ishte Neni 8, që përcakton se cili është kufiri i ndërtimit pa leje që përcakton nëse objekti do të prishet i tëri apo vetëm shtesa. Ka qenë kreu i komisionit, Niko Peleshi i cili herën e parë ka kërkuar që norma për prishen e objektit pa leje të ulet poshtë 50%. Ditën e djeshme ministri tha se dy pragjet për prishjen ose jo të objektit janë 2% dhe 10%. Por sërish rregullat nuk ishin të qarta, prandaj Peleshi kërkoi shtyrjen e dhe të këtij neni, ndërsa i shfaqi ministrisë versionin më të saktë. “Ministria ende nuk është e qartë çka po na thotë, duke qenë se po bëjmë ndryshime duhet edhe t’i shpresojmë masat. Unë sugjeroj që ky nen të shtyhet për një diskutim tjetër, por versioni që unë e vlerësoj që tani pozitivisht është ky. Kryerja e punimeve pa leje të dënohet jo më pak se 35 mijë lekë për metër katrorë, kur shtesa bëhet për çështje fitimi. Ndërtim mbi masën 2% të faqes të dhënë nga leja fillestare e ndërtimit, do të prishet vetëm shtesa, ose konfiskohet në rast kur nuk mund të prishet. Ndërsa për ndërtim pa leje mbi volumin 10% në tokë do të prishet komplet objekti, ose përdoret për interes publik në rast se është e pamundur për çështje teknike prishja e tij”, deklaroi ai. Sakaq, Peleshi i kërkoi edhe njëherë qeverisë që të rishikojë me kujdes nivelet e gjobave pasi nuk duhen bërë më tolerime. Sipas tij procesi i legalizimit nuk duhet të lejojë që në mënyrë të padrejtë qytetarët të përfitojnë nga kjo amnisti, por duhet të ndërgjegjësohen me rregullat e reja.