BREAKING NEWS

Mbi 2 mijë testime! Zbardhen të dhënat e fundit, ja sa raste të reja me COVID u regjistruan në 24 orët e fundit në Shqipëri

Mbi 2 mijë testime! Zbardhen të dhënat e fundit, ja sa raste
x

Ekonomia

Rreziku i një izolimi të dytë, BSH ia bën të qartë qeverisë se nuk duhet t’u bjerë në kurriz bankave, s’mund të ketë pezullim kredish

Rreziku i një izolimi të dytë, BSH ia bën të qartë

Bankat nuk do të ndërmarrin më risqe aq të larta sa herën e parë nëse vendi do të shkojë drejt një izolimi të dytë. Gjatë izolimit të vendit në muajin mars Banka e Shqipërisë në koordinim me bankat e tjera u erdhën në ndihmë bizneseve dhe familjeve përmes shumë lehtësirave në kreditim, por me sa duket kjo gatishmëri nuk do jetë kaq e lartë në një mbyllje të dytë. Lëvrimi i dy garancive sovrane, ngrirja e pagesës së kredive për familjet, lehtësimi në procedura, si dhe më pas dhënia e kredive me normë interesi të ulët futën në rrezik sistemin bankar. Prandaj këtë herë bankat do të qëndrojnë në një vijë të dytë në përballje me krizën. Zëvendësguvernatorja e parë e BSH, Luljeta Minxhozi, tha dje në konferencën virtuale vjetore të Bankës së Shqipërisë se, qeveria duhet të mendojë që në një izolim të dytë të vendit peshën më të madhe ta përballojë me politikat e saj dhe t’ia ngarkojë mbi shpinë bankave. “Politika nuk duhet të transferojë kosto të mundshme të krizës ekonomike në bilancet e sektorit bankar, se bankat po mbajnë peshën e duhur të barrës së krizës dhe ato do të mund të absorbojnë një pjesë të madhe të kostove shtesë financiare, në rast goditjesh të mëtejshme. Pra, nuk duhet kërkuar sërish vetëm nga bankat dhe institucionet financiare një moratorium i detyrueshëm i pagesave të kredive, i ngjashëm me atë që u miratua në muajin mars”, u shpreh ajo. Sipas saj, çdo vendim që do merret si nga sistemi bankar edhe nga qeveria me politikat monetare duhet peshuar dhe konsultuar mirë më parë. Minxhozi sugjeron të veprojnë njëherazi tre indikatorët kryesorë që do mund të mbajnë të qëndrueshëm ekonominë në vend dhe jo të anohen vetëm nga një zë dhe vetëm nga bankat. “Çdo normalizim i politikës duhet të jetë i koordinuar dhe i bazuar në të dhëna. Një normalizim i koordinuar do të thotë një kombinim ideal, së pari, i qëndrimit të politikës makroprudenciale, i ndjekur më pas nga politika fiskale dhe ajo monetare. Politikëbërësit kanë nevojë të shohin evidenca të dukshme të një rigjallërimi të qëndrueshëm, para se të ndërmarrin masa të shtrëngimit të politikës. Për shkak të rigjallërimit të brishtë, politikëbërësit do të ishte e këshillueshme të anonin nga ana e kujdesit”, tha Minxhozi.

Bankat nuk do marrin më rreziqe përsipër

Nga ana tjetër zëvendësguvernatorja, u kërkoi bankave të mos aplikojnë më ngrirje kredish dhe të mos jenë aq lehtësuese në huadhënie. Pavarësisht se shprehu gatishmërinë për stimuj të mëtejshëm monetarë, duke përshirë edhe përdorimin e politikave jokonvencionale, Minxhozi u kërkoi bankave qendrore se duhet të tregohen të kujdesshme në marrjen përsipër të rreziqeve të reja. “Tregjet financiare likuide nuk janë kura për krizën, por mbeten parakusht i nevojshëm për çdo zgjidhje. Bankat qendrore të ekonomive në zhvillim, përfshirë Shqipërinë, gjithashtu po studiojnë mundësinë e përdorimit të instrumenteve jokonvencionale. Megjithatë, kjo nuk është pa rreziqe dhe nuk mund të zbatohet me lehtësi në ekonomitë në zhvillim. Mendojmë se bankat qendrore të vendeve në zhvillim duhet të shmangin rritjen e profilit të rrezikut të bilanceve të tyre dhe duhet të përpiqen të ruajnë besueshmërinë e kuadrit të politikës dhe të atij të pavarësisë së tyre”, theksoi ajo. Sipas saj, politika fiskale duhet të ofrojë mbështetje shtesë, në varësi të hapësirës fiskale ekzistuese. Deri më tani, sektori publik në ekonomitë e zhvilluara ka nivel të ulët të kufizimeve financuese, pjesërisht falë injektimeve masive të likuiditetit nga bankat qendrore. Por, Banka e Shqipërisë gjykon se autoritetet fiskale të ekonomive të tregjeve në zhvillim duhet të jenë të kujdesshme lidhur me nevojën për të ruajtur besueshmërinë e tregjeve në qëndrueshmërinë e financave të tyre. Lidhur me efektet e pritshme të pandemisë në ekonomi, Banka e Shqipërisë vlerëson se ajo mund të sjellë rritje të pabarazisë, si brenda ekonomive ashtu edhe ndërmjet ekonomive të ndryshme.