BREAKING NEWS

Listat e hapura/ Kryeministri Rama del live dhe jep qëndrimin e PS (VIDEO)

Listat e hapura/ Kryeministri Rama del live dhe jep qëndrimin e PS (VIDEO)
x

Ekonomia

Selami Xhepa: Masat financiare të qeverisë të pamjaftueshme, ja ku duhet të bëhet kujdes dhe pse duhet bashkëpunim me FMN

Selami Xhepa: Masat financiare të qeverisë të pamjaftueshme, ja

Për ekspertët ekonomisë masat ekonomike të ndërmarra nga qeveria gjatë kohës së pandemisë nuk kanë qenë shumë të efektshme. Gazeta kontaktoi me Z. Selami Xhepa, i cili ka folur mbi situatën ku ndodhet vendi dhe masat që duhet të ndërmerren. Sipas tij paketat e ndihmës ekonomike ishin të pamjaftueshme për rimëkëmbjen e biznesit. “Në gjykimin tim masat që ka marrë qeveria kanë qenë të pamjaftueshme së pari për të ruajtur standardin në parametra normalë të jetesës për qytetarët dhe për disa grupe të veçanta dhe së dyti për të mbështetur dhe rimëkëmbur bizneset për shkak të mbylljes të aktivitetit. Sidoqoftë duke qenë se aktiviteti ekonomik për disa sipërmarrje vazhdon të jetë i mbyllur mendoj që është akoma koha e përshtatshme për të menduar dhe ndërmarrë të tjera masa në mënyrë që sipërmarrjet të kthehen në normalitet”, tha Xhepa. Më tej ai tha se, qeveria duhet të jetë më tepër mbështetëse për t’u reduktuar bizneseve kostot shtesë që sjell për ta zbatimi i rregullave të protokollit për frenimin e koronavirusit. Sipas tij mbulimi i këtyre kostove është një metodë që po zbatohet në qeveritë e tjera europiane dhe duhet të ndiqet edhe nga qeveria shqiptare. “Në gjykimin tim si një çështje tjetër mjaft e rëndësishme që duhet shqyrtuar dhe duhet patur nën kujdes është dhe ajo për bizneset që kanë qenë të hapura gjatë kësaj periudhe. Duhet t’u provohet që nuk kanë mundur të respektojnë rregullat dhe distancimin social dhe janë bërë shkak për përhapjen e kësaj sëmundje për shkak të mungesës financiare për të përballuar kostot. Edhe në këtë rast unë mendoj që mbështetja nga qeveria ka qenë inekzistente, sepse në vendet e tjera politikëbërësit mbështesin dhe marrin masa vetë për reduktimin e kostove për shkak se respektimi i protokolleve ka kostot e tyre shtesë. Pra edhe në këtë rast qeveria nuk ka dhënë mbështetjen e duhur dhe ka lënë jashtë vëmendjes bizneset”, theksoi ai.

Bashkëpunimi me FMN

Një tjetër debat i ditëve të fundit është bashkëpunimi me FMN. Disa deputetë të PS në Komisionin e Ekonomisë kanë hedhur idenë e nisjes së një bashkëpunimi të ri me FMN. Edhe për zotin Xhepa bashkëpunimi me Fondin Monetar është i nevojshëm. Sipas tij, FMN po i vjen në ndihmë Shqipërisë jo vetëm me marrëveshje për kreditime dhe mbështetje financuare, por edhe në orientimin e bërjes së politikave ekonomike. Ndërsa shtoi se ekonomia shqiptare ka më së shumti nevojën e FMN për efektin monitorues dhe rregullues të saj, pasi politikat tona nuk janë ende në politikat e duhura. “Politikat ekonomike në Shqipëri apo politikëbërësit akoma nuk janë maturuar për të marrë vendime të pavarura, që të jenë koherente dhe të qëndrueshme. Pra, unë bashkëpunimin me Fondin Ndërkombëtar nuk e shoh veç si një mbështetje thjesht me rastin e krizave, pasi aktualisht bashkëpunimi me Fondin lidhet me një kredi të posaçme që Fondi ka shtrirë për të gjithë vendet e prekura nga pandemia, pra si një lloj aksesi në lehtësi të kreditimit për mbështetjen e bilancit të pagesave, por gjithmonë e më shumë unë po e shoh personalisht si të nevojshme prezencën, monitorim dhe bashkëpunim shumë më të kujdesshme nga FMN në vazhdim”, u shpreh ai. Nevojën për mbështetjen nga FMN për marrjen e hapave ekonomike Xhepa e theksoi edhe për situatën aktuale, për masat që do ndërmerren më tej për rimëkëmbjen e ekonomisë dhe për mënyrën se si do të mbështeten bizneset në vend për të përballuar krizën ekonomike. Sipas tij bashkëpunimi me FMN vlen shumë në këtë rast pasi është pikërisht momenti që vendimet që do të merren të jenë të maturuara dhe efektive, gjë për të cilën deri më tani politikëbërësit tanë nuk janë treguar plotësisht të gatshëm dhe të kujdesshëm. Prandaj është koha që FMN të përfshihet në ekonominë shqiptare.