Lajme të tjera
BREAKING NEWS

Vizita në Gjermani për të takuar kancelaren Merkel? Ja çfarë thotë kryeministri Rama  

Vizita në Gjermani për të takuar kancelaren Merkel? Ja
x

Ekonomia

Sezoni drejt fundit, vjen lajmi i mirë nga euro dhe dollari

Sezoni drejt fundit, vjen lajmi i mirë nga euro dhe dollari

Monedha e përbashkët ka kërcyer mbi 124 lekë ditën e sotme, për herë të parë që na mesi i muajit korrik, teksa efektet sezonale, ndonëse këtë vit ishin të dobëta, po shkojnë drejt fundit.

Një euro u këmbye sot, me 124.07 lekë, duke u rritur me 0.32 lekë në krahasim me ditën e mëparshme, dhe duke arritur në nivelin më të lartë që nga 20 korriku, sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë.

Në rritje ishin dhe monedhat e tjera. Dollari i cili pak ditë më parë zbriti në nivelin më të ulët në gati 6 vjet, e ka marrë vetën, duke u këmbyer me 104.96 lekë, 0.26 lekë më shumë se një ditë më parë.

Me rritje ishin edhe paundi dhe franga zvicerane.

Në bursat ndërkombëtare, euro u rrit lehtë ndaj dollarit, pasi kishte rënë për dy ditë radhazi. Monedha e gjelbër u forcua ditët e fundit, pasi SH.B.A-të miratuan përdorimin emergjent të plazmës së gjakut në trajtimin e pacientëve COVID-19.

Në tregun e brendshëm, ekspertët pohojnë se forcimi i valutave lidhet me faktin që efektet sezonale po shkojnë drejt fundit. Monedha vendase ishte e qëndrueshme në javët e para të gushtit, duke u forcuar lehtë ndaj euros, edhe pse kjo e fundit u mbiçmua lehtë në bursat ndërkombëtare, duke arritur në nivelin më të lartë në dy vite.

Aktorët e tregut pohojnë se gushti ka shënuar një farë gjallërie në vend, sa i përket turizmit, pas rënies me 65% të hyrjes së shtetasve të huaj në korrik, çka e ka mbatur lekun relativisht të fortë.

Gjithsesi, në krahasim me vitet e kaluar, kur në gusht monedha vendase forcohej ndjeshëm, këtë vit efektet kanë qenë të moderuara për shkak të kufizimeve në qarkullimin e turistëve por edhe të ekonomisë, të lidhur me Covid.

Nga 3 janari deri në 25 gusht, kursi mesatar i këmbimit të euros është 123.7 lekë, nga 123 lekë vitin e kaluar, duke shënuar tendencë të lehtë mbiçmuese për herë të parë prej 6 vitesh. Kjo rritje e euros lidhet më shumë me situatën e pazakontë të krijuar në mars, kur monedha e përbashkët kërceu për pak ditë mbi 130 lekë, si rrjedhojë e ndërprerjes së fluturimeve, që bllokuan rrugët e hyrjes së valutës./Monitor