Lajme të tjera
BREAKING NEWS

Vizita në Gjermani për të takuar kancelaren Merkel? Ja çfarë thotë kryeministri Rama  

Vizita në Gjermani për të takuar kancelaren Merkel? Ja
x

Ekonomia

SGS shërbim mizerabël, kaos total me kolaudimin e makinave, zvarritja e liberalizimit të tregut lë shoferët në pritje me ditë të tëra

SGS shërbim mizerabël, kaos total me kolaudimin e makinave, zvarritja

Kolaudimi i automjeteve vijon të jetë makthi i të gjithë shoferëve në vend. Ish-kryeministri Sali Berisha e dha me koncesion në vitin 2009 dhe monopolin e mori kompania SGS, e cila ka ofruar vetëm radhë dhe kaos, por jo shërbim. Ashtu si çdo vit, edhe këto ditë qytetarët që kanë shkuar për kolaudimin e makinave janë përballur me një situatë kaotike. Disa shoferë të pyetur nga gazeta janë shprehur mjaft të irrituar pasi sipas tyre çdo vit është e njëjta situatë dhe askush nuk do t’ia dijë për ta. Që të bësh kolaudimin e makinës gjithçka bëhet me planifikim, por SGS i shtyn datat sipas qejfit. Qytetarët janë të detyruar të presin 10 ditë apo dy javë që të bëjnë kolaudimin. Pyetja që shtrohet është por nëse ka kaluar afati dhe të ndalon policia kush e mban përgjegjësinë? Shumë shoferë janë shprehur të pakënaqur pasi sipas tyre të tilla zvarritje po shtohen nga dita në ditë. Por duket se duke qenë se SGS është në fund të kontratës, ka lënë çdo gjë pas dore, duke krijuar vetëm radhë dhe kaos. SGS e mori monopolin gjatë kohës që qeveriste Sali Berisha dhe kishte një kontratë 10-vjeçare, që i mbaronte në datën 3 shtator të vitit 2019. Por ky afat u shty edhe për 16 muaj nga Partia Socialiste. Ishte Ministria e Transportit ajo e cila e shty këtë koncesion deri në fund të këtij vitit, ndonëse pritej që në shtator të vitit të kaluar kontrolli i automjeteve t’i kalonte shtetit, së bashku me të gjitha asetet dhe investimet e kryera nga kompania private. Në klauzolat e kontratës koncesionare ishte përcaktuar edhe rruga se si shërbimi duhej t’i rikthehej shtetit duke i lënë detyrë Ministrisë së Infrastrukturës që të nisë procesin e transferimit 6 muaj përpara përfundimit të koncesionit. Por Ministria e Infrastrukturës zgjodhi të mos veprojë për ta rikthyer kolaudimin në shtet duke vendosur ta zgjasë afatin e koncesionit deri në dhjetor të vitit të ardhshëm. Shërbimi i kolaudimit është një treg që qarkullon rreth 8 milionë euro në vit. Sipas bilancit zyrtar, vitin e kaluar kompania SGS realizoi një fitim neto mbi 1.6 milionë euro, me një rritje mbi 20 për qind krahasuar me 2017-ën. Për shkak të leverdishmërisë ekonomike, koncesioni i kolaudimit të automjeteve ka qenë gjithmonë i lakmuar nga grupet vendase të biznesit, por deri tani mbetet e paqartë se çfarë do të ndodhë me këtë koncesion pas vitit të ardhshëm.

Batërdia e SGS

Koncesioni i kolaudimit të makinave është ndër më të kontestuarit. Të gjithë ata që kanë makina e dinë se sa kohë duhet që të fusësh makinën në kolaudim, ndërkohë që radhët dhe korrupsioni nuk kanë munguar, pasi policia ka arrestuar shumë persona. Po ashtu SGS është kapur dhe në shkelje nga autoritetet shtetërore. Komisioni i Konkurrencës vendosi në shkurt të 2018 hapjen e procedurës së hetimit paraprak në tregun e shërbimit të kontrollit teknik të automjeteve, me dyshimin se mund të jemi përpara një abuzimi me pozitën dominuese nga ndërmarrja SGS. Në përfundim të hetimit paraprak, Komisioni i Konkurrencës konkludoi se sjellja e ndërmarrjes me pozitë dominuese SGS në tregun përkatës, mund të përbëjë abuzim me pozitën dominuese, ndaj në qershor të 2018 u vendos hapja e hetimit të thelluar në këtë treg. Nga inspektimet e kryera në ndërmarrjen SGS rezulton se klientët për të marrë shërbimin e kontrollit teknik pranë QKT-ve të kësaj ndërmarrjeje duhet të paraqesin veç dokumenteve të tjera, edhe nënshkrimin e “Deklaratës-tip” nga ana e klientit, e kërkuar nga ana e koncesionarit duke marrë përsipër të heqë nga përgjegjësia çfarëdo dëmtimi që mund t’i ndodhë automjetit në territorin/mjedisin e koncesionarit, gjatë procesit të kontrollit teknik. Kjo kopje mbahet nga koncesionari dhe nuk u vihet në dispozicion klientëve pas nënshkrimit të tij.