BREAKING NEWS

ZYRTARE/ Kuvendi zgjedh kryetarin e ri të KLSH-së

ZYRTARE/ Kuvendi zgjedh kryetarin e ri të KLSH-së
x

Ekonomia

Shefja e Bankës Botërore: Masat izoluese do të sjellin rënie ekonomike me 5.2 për qind, ja sa do të jetë numri i të papunëve

Shefja e Bankës Botërore: Masat izoluese do të sjellin rënie

Banka Botërore vijon me parashikimin e saj pesimist për krizën ekonomike që do të pësojë vendi ynë për shkak të pandemisë. Që prej dy muajsh përfaqësues të BB kanë dalë me deklarata se Shqipëria do të pësojë goditjen më të fortë ekonomike në rajon, sakaq së fundmi edhe Menaxherja e Zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri, Maryam Salim ka folur për një tkurrje ekonomike të ndjeshme dhe rritje të papunësisë. Gjatë një interviste televizive ajo u shpreh se si gjithë globi do të pësojë tkurrje ekonomike me përmasa 5,2% dhe në të njëjtat përmasa pritet të zvogëlohet edhe ekonomia shqiptare. “Sipas raportit më të fundit të Bankës Botërore “Perspektiva ekonomike globale”, goditja nga pandemia e koronavirusit pritet ta tkurrë ekonominë botërore me 5,2%. Shqipëria nuk përbën përjashtim, në këtë aspekt. Sipas skenarit bazë të Bankës Botërore, ekonomia shqiptare ka të ngjarë të zvogëlohet me 5%. Lajmi i mirë është se në periudhën afatshkurtër, rritja pritet ta rimarrë veten fuqishëm, teksa veprimtaria ekonomike i kthehet normalitetit gradualisht. Por, si rrallë ndonjëherë, ka një pasiguri të lartë lidhur me parashikimet ekonomike të kësaj periudhe”, u shpreh Salim. Por ajo nuk ngurroi të dalë garant se Banka Botërore do të vijojë të jetë një partner i fuqishëm dhe do ta mbështesë Shqipërinë në çdo hap. Ndër të tjera e pyetur nëse qëndron ende parashikimi se 142 mijë shqiptarë do të mbeten të papunë pas pandemisë Maryam Salim tha se kjo shifër qëndron, sigurisht për arsye të shumta, por më kryesorja se shumë sipërmarrës nuk kanë më të ardhura të mjaftueshme dhe kështu do detyrohen të shkurtojnë stafin. “Po e vërtetë. Por ajo që shpresojmë tani është që shumë njerëz të mund të kthehen në vendet e mëparshme të punës, me rifillimin e veprimtarisë ekonomike. Por disa mund të gjenden përballë faktit se punëdhënësit e tyre kanë mbetur pa punë apo janë të detyruar ta zvogëlojnë aktivitetin”, theksoi ajo. Gjithsesi ajo u shpreh optimiste duke paraqitur tre politika që mund të ndjekë qeveria shqiptare për të krijuar vende të tjera pune dhe për t’i përshtatur qytetarët në punë të reja. “Në këto raste, punonjësit do të duhet të gjejnë një punë tjetër. Kjo do të thotë se u duhet dhënë zgjidhje tri problemeve: Së pari, ekonomia e Shqipërisë duhet të krijojë vende të reja pune. Qeveria mund të ndihmojë duke e lehtësuar të bërit biznes në Shqipëri. Së dyti, punonjësit mund të jenë të detyruar të gjejnë mundësi punësimi në sektorë të rinj. Këtu qeveria mund të ndihmojë nëpërmjet Shërbimit Kombëtar të Punësimit, duke ndihmuar të përputhen kërkesat e të papunëve me vendet e reja të punës. Së treti, qeveria mund të ofrojë mundësi trajnimi për ta lehtësuar këtë kalim nga një sektor në një tjetër”, tha ajo.

Këshilla për rimëkëmbjen ekonomike

Nga ana tjetër shefja e Bankës Botërore tregoi se çfarë hapash duhet të ndjekë Shqipëria për të rimëkëmbur ekonominë. Sipas saj, qeveria duhet të mbështesë tepër biznesin, të vazhdojë me procesin e rindërtimit si dhe shumë e rëndësishme rritja e kapitali njerëzor. “Duhet të vijojë puna për rindërtimin lidhur me pasojat e tërmetit, i cili mund t’i japë nxitje rimëkëmbjes. Masat që do të mundësojnë turizmin këtë verë mund të sigurojnë që sezoni i këtij viti të mos humbet plotësisht në Shqipëri. Instrumentet financiare, siç janë skemat e garantimit të kredive, mund të zhbllokojnë mundësitë për kreditim, të cilat do t’u japin mundësi bizneseve të rivihen në lëvizje gjatë muajve të ardhshëm. Ndërkohë që rimëkëmbja do ta shpejtojë ritmin, Shqipëria duhet të ecë përpara me reformat strukturore ku përfshihet fuqizimi i shtetit ligjor, sigurimi i qëndrueshmërisë makrofiskale, përmirësimi i mjedisit të biznesit dhe përmirësimi i shërbimeve publike për të rritur kapitalin njerëzor”, u shpreh ajo. Më tej ajo tha se ecuria ekonomike do të varet nga rrjedha e pandemisë, nga shpejtësia me të cilën do të mund të lehtësohen kufizimet e vendosura për shëndetin publik dhe nga shkalla me të cilën do të mund të normalizohet jeta ekonomike. Por nga ana tjetër theksoi se, në skenarin bazë të BB, pritet që rimëkëmbja të fillojë në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2020 dhe të vijojë në vitin 2021.