BREAKING NEWS

Koronavirusi në Shqipëri, Ministria e Shëndetësisë përditëson të dhënat: Ja sa persona janë konfirmuar pozitivë në 24 orët e fundit

Koronavirusi në Shqipëri, Ministria e Shëndetësisë
x

Ekonomia

Shifrat, gjatë izolimit ekonomia pësoi rënie me 10.23 për qind, tregtia, konsumi dhe turizmi në pikiatë

Shifrat, gjatë izolimit ekonomia pësoi rënie me 10.23 për

Të dhënat e fundit të indikatorëve ekonomikë po shfaqin goditjet e forta që i dha pandemia vendit. Ditën e djeshme Instituti i Statistikave ka publikuar shifrat e gjendjes ekonomike përgjatë tre mujorit të dytë që përkon dhe me periudhën kur vendi ishte i izoluar si pasojë e masave të ndërmarra në kuadër të frenimit të koronavirusit. Sipas INSTAT, vetëm në tre muaj ekonomia shqiptare është tkurrur në 10,23%, një shifër tepër e lartë kjo në krahasim me tre mujorin e parë, por edhe në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar. “Produkti i Brendshëm Bruto (PBB), i ndikuar nga situata e krijuar nga COVID19, në tremujorin e dytë të vitit 2020 vlerësohet me rënie prej 10,23 %, kundrejt tremujorit të dytë të vitit 2019. Nga ana tjetër GDP e vendit në qershor të këtij viti ishte 1.5 trilionë lekë nga 1.7 që ishte në fund të qershorit të 2019 duke kalkuluar një rënie prej 200 mld lekësh në një kohë kaq të shkurtër”, thuhet në raport. Një rënie e tillë ekonomike ishte e paralajmëruar vetëm nga ekspertët kritikë të ekonomisë. Banka Botërore paralajmëroi një rënie ekonomike në fund të vitit në nivelin e 5-7%, BERZH kishte parashikimin më të zymtë me 9% rënie ekonomike, Fondi Monetar Ndërkombëtar e rishikoi pritshmërinë e tij nga 5 në 7%. Ndërsa Ministria e Financave dhe Banka e Shqipërisë kishin një parashikim më optimist në nivelin nga 4.5 deri në 5%. Sakaq INSTAT tregon se po të krahasojmë të dhënat e tre mujorit të dytë me ato të tremujorit të parë të këtij viti rezulton se është në nivelin e 8.8%, këtu evidentohen edhe njëherë pasojat tkurrëse që solli koronavirusi sidomos për një vend në zhvillim si Shqipëria. Nëse do të krahasojmë të dhënat e janar-mars me periudhën prill-qershor rënia më e ndjeshme është po tek sektori i turizmit dhe tregtisë, me tkurrje prej më shumë se 28.3%. Sektori i turizmit sipas ekspertëve do të sjellë 1.4 miliardë euro më pak se në 2019.

Sektorët më të goditur

Ashtu sikur është vënë re tashmë sektorët që e vuajtën më shumë izolimin e vendit ishin transporti dhe turizmi. Sipas të dhënave të INSTAT, të dyja këto kategori nuk mundën të bënin asnjë xhiro normale gjatë pandemisë, sidomos në tre mujorin e dytë kur vendi ishte në izolim total. Të dy këta sektorë kanë pasur nga 4% tkurrje për shkak se shiheshin si më të rrezikuar nga përhapja e koronavirusit dhe prandaj për më shumë se dy muaj ishin në ngrirje totale. Por duke qenë se këto janë dy hallka bazë të ekonomisë rrjedhimisht sollën dobësim edhe në sektorë të tjerë të ndërlidhu si; industria, aktivitete profesionale dhe ndërtim. “Negativisht kontribuuan aktivitetet: Tregti, Transport, Akomodim dhe Shërbim ushqimor me - 4,11 pikë përqindje. Industri, Energji dhe Uji me -1,45 pikë përqindje, Aktivitete profesionale dhe Shërbime administrative me -1,23 pikë përqindje. Ndërtimi me -0,90 pikë përqindje, Administrata publike, Arsimi dhe Shëndetësia me -0,60 pikë përqindje, Aktivitete Financiare dhe të Sigurimit me -0,43 pikë përqindje, Arte, argëtim dhe çlodhje; aktivitete të tjera shërbimi me -0,41 pikë përqindje dhe Informacioni dhe Komunikacioni me - 0,24 pikë përqindje”, tregon INSTAT. Të gjitha këto erdhën si pasojë e rënies së konsumit që nga marsi dhe ende vijon me 7.5%. Instituti tregon se, pandemia i dha konsumit një goditje të befasishme si pasojë aplikimit të masave drastike në lëvizje. Në këto kushte shumë mallra dhe shërbime pezulluan shitjet pasi izolimi e kufizoi lëvizjet së paku në dy muaj dhe përqendroi blerjet vetëm në ushqime dhe pajise të jetesës së domosdoshme. Gjithashtu konsumi familjar tregoi rënie sidomos në hapjen e ekonomisë nga frika për një rimbyllje të dytë. “Konsumi i popullatës në tremujorin e dytë të vitit ka rënë me vetëm 7.57 për qind. Konsumi i familjeve pësoi rënie me 7,06 % krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2020, ndërsa konsumi final i qeverisë u rrit me 0,28 %. Eksportet e mallrave dhe shërbimeve u ulën me 49,12%, ndërsa importet e mallrave dhe shërbimeve u ulën”, thuhet në raport.